Ndërlidhjet

Telekomi i Kosovës mes pragut të mbijetesës dhe falimentimit


Posta dhe Telekomi i Kosovës
Posta dhe Telekomi i Kosovës

Telekomi i Kosovës, dikur kompania më profitabile në vend, aktualisht po përballet me krizë financiare dhe është afër falimentimit. Për të dalë nga kjo gjendje, Qeveria e Kosovës, përveç tjerash, ka paraparë uljen e pagave për punëtorët e kësaj kompanie.

Megjithatë, kjo përveç që po kundërshtohet nga Sindikata e Punëtorëve nuk po shihet si mënyrë e duhur për ta shpëtuar këtë kompani nga falimentimi as nga ekspertët e fushës përkatëse.

Javë më parë anëtarët e Bordit të Telekomit kishin njoftuar kabinetin qeveritar se borxhi i akumuluar i Telekomit të Kosovës ka arritur në 60 milionë euro.

Ata kishin thënë se kompania ka një numër të madh të punëtorëve dhe shpenzime të mëdha të qirasë. Po ashtu, Telekomi duhet të mbyllë një borxh ndaj Z-mobile prej mbi 26 milionë euro, si dhe ka rreth 11 milionë euro borxhe ndaj furnitorëve. Një situatë e tilë, është thënë se e ka vënë Telekomin në vazhdimin e humbjeve financiare, ku vetëm për tre muaj kompania ka humbur katër milionë euro.

Kryeministri i Kosovës Ramush Hardinaj, thotë se janë të hapur për të gjitha propozimet se si të dilet nga kriza në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës dhe se kompania duhet të shpëtohet nga falimentimi.

“Qeveria nuk është se ka dëshirë të ulë pagat apo edhe të merret me kriza. Kriza në Telekom po na merr një kohë të vlefshme, por duhet ta shpëtojmë këtë kompani dhe nuk duhet ta pranojmë falimentimin pasi që do të ishte lajmi më i keq për punëtorët. Të gjitha veprimet e nevojshme për të shpëtuar këtë kompani duhet të ndërmerren si reduktimi i çfarëdo shpenzimi të tepërt, ulja e shpenzimeve që nuk kanë bazë të mirëfilltë biznesore dhe njëkohësisht edhe të uljes së pagave”, tha Haradinaj.

“Nëse nevojitet 10 për qind i uljes së pagave të punëtorëve dhe 20 për menaxhmentin e lartë, pikërisht që të mbijetohet kjo kompani. Nëse në planin biznesor kompania ofron më pas profit atëherë mund t’i rritin pagat, por në këtë rast duhet të shpëtohet kompania”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Ulja e pagave për punëtorët po kundërshtohet nga Sindikata e Postë Telekomit të Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, Lahim Balaj tha për Radion Evropa e Lirë se nuk do të duhet të cenohet mirëqenia e punëtorëve, për siç thuhet, daljen nga kriza të Telekomit të Kosovës.

Ai tha se duke ulur pagat e rreth 2.300 punëtorëve sa ka Telekomi i Kosovës, nuk mund të shpëtohet nga kriza financiare në të cilën po kalon kompania.

“Nuk është faji i punëtorëve që ka ardhur në këtë gjendje Telekomi i Kosovës. Këtu janë shumë faktorë që është dashur të merren, siç është keqmenaxhimi dhe kontratat e dëmshme të bëra para se të merren me punëtorët. Tani askush nuk po merret me ato gjëra që sollën në krizë Telekomin, por po tentohet të merren me punëtorët dhe ato mjete të zhvatura të mbulohen me mjete të punëtorëve. Për neve është e papranueshme”, tha Balaj.

Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë thonë se Telekomi i Kosovës është duke falimentuar si pasojë e keqmenaxhimit.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku tha për Radion Evropa e Lirë se janë shumë probleme që kanë përcjell ndërmarrjen brenda viteve. Sipas tij, të gjitha këto procese të keqmenaxhuara duhet të rishikohen dhe Telekomi i Kosovës duhet të rimëkëmbet.

“Kjo është një situatë të cilën askush nuk e kemi pritur. Të gjithë e kemi konsideruar Postën si një shtyllë të rëndësishme të ekonomisë së Kosovës. Tani Posta duhet të ketë një program të ristrukturimit të vet, duhet të ketë Bordin nga profesionist jo nga politikanët. Posta duhet ta fuqizojë menaxhmentin e vet i cili duhet të kuptojë konkurrencën në tregun e këtyre shërbimeve dhe në një periudhë dy ose tre vjeçare të rimëkëmbet”, thotë Sadiku.

Ndryshe, javë më parë Qeveria e Kosovës ka fituar betejën ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit kundër kompanisë ‘Axos-Capital’, e cila kërkonte dëmshpërblim qindra miliona euro për anulimin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kompania ‘Axos – Capital’ kishte bërë padi në adresë të Qeverisë së Kosovës, për arsye, siç thuhej, të moszbatimit të kontratës së privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës.

Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës kishte shpallur fituese në blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së kompaninë ‘Axos – Capital’ me një vlerë prej 277 milionë eurosh.

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit ishte theksuar se do të lehtësojë të ardhmen e Telekomit. Ndërkaq, synimi i Qeverisë së Kosovës është që procesi i privatizimit të Telekomit të fillojë pas dy vjetëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG