Ndërlidhjet

Performanca financiare e PTK-së, pengesë për privatizim


Ilustrim
Ilustrim

Ka kohë që është heshtur zhurma e madhe, apo polemikat e shumta në opinion, e posaçërisht ato të zyrtarëve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, rreth privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Këtë heshtje, sipas ekspertëve të kësaj fushe, e ka vendosur padia që ka bërë kompania “Axos - capital” në adresë të Qeverisë së Kosovës, për arsye, siç thuhet, të mos zbatimit të kontratës së privatizimit të Post Telekomit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, ndërkaq, ka përzgjedhur kompaninë “Paton Box” si përfaqësuese ligjore, për ta zgjidhur kontestin në mes të kompanisë AXOS dhe Qeverisë së Kosovës.

Lidhur më këtë proces, pavarësisht insistimit tonë për të marrë një prononcim nga zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, ka qenë e pamundur.

Sidoqoftë, kompania “Axos - capital” ishte shpallur fituese në blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, me një vlerë prej 277 milionë eurosh, kurse fundi i dhjetorit të vitit 2013, ka qenë afati i fundit për nënshkrimin e kontratës.

Por, privatizimi i kësaj kompanie në atë kohë u shpall i dështuar, për shkak se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ishin kundër shitjes së 75 për qind të aksioneve të këtij aseti publik.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se Posta dhe Telekomi i Kosovës duhet të privatizohet, por së pari nevojitet një organizim në këtë kompani.

Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se në rend të parë duhet të bëhet një ristrukturim dhe konsolidim i kompanisë. Pastaj, siç thotë ai, duhet të shkohet me privatizim, por jo me 75 për qind të aseteve.

“Pas një ristrukturimi dhe konsolidimi besojmë se mund të fillojmë me privatizimin e pjesshëm të Telekomit dhe Valës. Unë mendoj se gradualisht duhet të fillohet deri në 60-65 për qind, por jo më shumë, sepse qeveria dhe publiku duhet të ruajnë pakon e aksioneve që paraqesin një kontroll që posta mos të mund të shitet në organizata që do të ishin të papërshtatshme për sigurinë e vendit. Është shumë me rëndësi t’i rritet vlera, e më pas të privatizohet”, thotë Mustafa.

Edhe profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku thotë se performanca financiare e Postës dhe Telekomit të Kosovës është përkeqësuar. Privatizimi, sipas tij, nuk duhet të ndodhë tani, kur vlera e kësaj kompanie ka rënë në treg.

“Qeveria së pari duhet ta zgjidhë problemin e menaxhimit të Postës, problemin e bordit dhe të zhbllokojë fondet për forcimin e aspekteve konkurruese, dhe pastaj me një fazë më të vonshme, kur posta do të përforcojë performancën dhe përmirësojë funksionimin e saj, eventualisht mund të pritet privatizimi i saj”, tha Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, që nga fillimi i procesit të privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, i cili kishte filluar në vitin 2009, edhe një proces tjetër kishte dështuar në vitin 2011.

Qeveria e Kosovës ka shpenzuar miliona euro për këshilltarë të transaksionit dhe për këshilltarë strategjik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG