Tre persona u vranë të mërkurën nga të shtënat në ambientet e gjimnazit në Sanski Most, në veriperëndim të Bosnje e Hercegovinës.
Sulmuesi tentoi të kryente vetëvrasje dhe u plagos rëndë.
Ai qëlloi me armë automatike në drejtim të tre punonjësve të shkollës, duke vrarë drejtorin, sekretaren dhe një profesoreshë të gjuhës angleze, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Adnan Beganoviq, zëdhënës i policisë së kantonit Una-Sana.
Autori i dyshuar i vrasjeve është V.M., 68 vjeç, punonjës i qendrës së shkollës së mesme në Sanski Most.
"Hetimet janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk dihen motivet dhe rrethanat e këtij sulmi", tha Beganoviq.
Sipas policisë, sulmuesi u transferua në Qendrën Klinike Universitare në Banja Llukë.
Nga ky spital i thanë Radios Evropa e Lirë se pacienti u soll me një plagë në gjoks, të shkaktuar nga arma e zjarrit.
"Pacienti është i vetëdijshëm. Aktualisht janë duke u zhvilluar procedurat diagnostike dhe është planifikuar një operacion", thuhet në deklaratë.
Vrasja e trefishtë në gjimnaz u raportua në policinë e Sanski Mostit pak pas orës 10:00 të mërkurën.
Ministri i Punëve të Brendshme në kantonin Una-Sana, Adnan Habibija, tha se ky është një rast i izoluar që përfundoi tragjikisht.
Ai shtoi se duhet punuar në nivel institucional që të mos përsëritet.
"Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë sërish në të ardhmen. Fatkeqësisht, ndonjëherë nuk mund t'i parashikojmë disa gjëra, por kemi përgjegjësi që të veprojmë në mënyrë parandaluese", tha Habibija.
Ministri i Arsimit në kanton, Denis Osmankiq, tha se të enjten do të merret vendimi nëse fillimi i vitit të ri shkollor - i paraparë për 2 shtator - do të shtyhet, për shkak të vrasjes së trefishtë.