Ndërlidhjet

Çka do të thotë të jesh grua në politikën kosovare?


Grupi i Grave Deputete gjatë një ngjarjeje të organizuar më 2024 kundër dhunës ndaj grave në politikë.
Grupi i Grave Deputete gjatë një ngjarjeje të organizuar më 2024 kundër dhunës ndaj grave në politikë.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Teksa zërat e grave po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në skenën politike të Kosovës, përballja me seksizëm, kërcënime dhe fushata dezinformuese mbetet realitet i përditshëm për shumë prej tyre. Raste të fundit në Kosovë tregojnë se gratë që angazhohen në politikë nuk sfidohen vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga barrierat e padukshme të gjinisë.

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u kërcënua dy herë me jetë së voni, ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Saranda Bogujevci, u përfshi në përplasje me disa figura publike.

Kjo na shtyu të pyesim: Si është përvoja e grave në politikë në Kosovë, dhe a ndikohet ajo nga gjinia e tyre?

Për Rrjetin e Grave të Kosovës (RRGK), përgjigja është e thjeshtë: Po.

“Gjuha seksiste dhe mizogjiniste është një prej pengesave kryesore”, thonë nga RRGK-ja.

Sipas organizatës, gratë përballen edhe me më shumë kërkesa për ta dëshmuar vlerën e tyre dhe bëhen shënjestra të fushatave dezinformuese, “që kanë synim ta minojnë besueshmërinë e tyre”.

Këtë e thonë edhe statistikat.

Një hulumtim i vitit të kaluar, nga organizata Demokracia për Zhvillim (D4D), gjeti se kur gratë janë subjekt i lajmeve nëpër media, ato postime në rrjete sociale marrin tri herë më shumë reagime sesa lajmet e tjera – dhe se gati 90 për qind e komenteve me gjuhë të urrejtjes bëhen nga burrat.

Arbnora Salihu gjatë një takimi me votues në Shtime.
Arbnora Salihu gjatë një takimi me votues në Shtime.

Përvojat e një deputeteje dhe të një asambilisteje

Atë që statistikat e thonë në shifra, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu, dhe asamblistja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Vushtrri, Amire Ajeti, e konfirmojnë me përvojat e tyre.

“Shumë njerëz të shohin me dyshim kur je një grua e re, një vajzë e re në politikë. Shpesh është dashur ta dëshmoj dyfish më shumë sesa burrat kolegë se çka mund të bëj”, thotë Salihu.

Këtë vit, 27-vjeçarja nga Ferizaj, në kandidaturën e saj të parë në zgjedhje parlamentare, mori mbi 16 mijë vota.

Ndërsa, Ajeti, në zgjedhjet për kuvendin komunal të Vushtrrisë më 2021, kishte dalë e dyta më e votuara nga lista e AAK-së, dhe gruaja e tretë me më së shumti vota në të gjithë komunën.

Por, edhe për të, rrugëtimi në politikë ka qenë i shënuar me paragjykime.

“Ka pasur lloj-lloj komentesh që më kanë prekur. Sidomos komentet mbi moralin kanë qenë goditje e madhe për mua, [si] ‘femra e ku ta dimë kujt është’, ‘ku ta dimë kush e ka futur në garë’”, thotë Ajeti.

Se si do të ishte përvoja e tyre ndryshe po të kishin qenë burra, për Salihun – që thotë se veprimet e saj janë analizuar gjithnjë me llupë – është e qartë.

“Nuk do të isha gjykuar qysh vishem, qysh rri… Kam rrugëtuar me shokë që kanë pasur të njëjtat paraqitje televizive, të njëjtat kritika si unë, por nuk janë përballur me komente, gjuhë të urrejtjes dhe të pavërteta sa unë”, thotë ajo.

Edhe pse pohojnë se plot herë janë prekur nga komentet përplot gjuhë të urrejtjes, Salihu dhe Ajeti thonë se gjithnjë kanë qenë të sigurta për ta vazhduar rrugëtimin në politikë.

Por, jo të gjitha vajzat e reja dhe gratë ndihen njëjtë.

Amire Ajeti duke folur në një mbledhje me bashkëpartiakë.
Amire Ajeti duke folur në një mbledhje me bashkëpartiakë.

Hezitimi i grave për përfshirje në politikë

Sipas të dhënave të organizatës Friedrich-Ebert Stiftung, nga vitet 2021 dhe 2022, gratë në Kosovë nuk tregojnë gatishmëri të lartë për t'u përfshirë në politikë, dhe gati 80 për qind thonë se as nuk do të merrnin pjesë në ndonjë protestë për vendime politike.

Hezitimi i grave për përfshirje në skenën politike ndikohet nga përvojat e këqija të grave që veçse janë aktive në politikë.

“Kur gratë përballen me sfida të tilla si paragjykimet, kërcënimet e ofendimet, kjo mund të krijojë një atmosferë të pasigurisë dhe të frikës, duke i penguar vajzat e reja të angazhohen në politikë”, thonë nga RRGK-ja.

Lidhur me këtë temë nuk janë përgjigjur, me gjithë tentimet e Radios Evropa e Lirë, nga LVV-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e as nga Presidenca e Kosovës.

Salihu dhe Ajeti theksojnë se përkrahjen kryesore, përtej familjes së tyre, e kanë gjetur te gratë e tjera me më përvojë se ato në botën e politikës. Dhe, tani Ajeti synon ta bëjë të njëjtën për gratë e tjera.

“Dëshmi e fakt i gjallë që gratë mund t’ia arrijnë, pa i dëgjuar fjalët e burrave, pa u dekurajuar prej tyre, jam unë”, thotë Ajeti.

Që më shumë gra të kenë sukses në politikë, Salihu rekomandon mentorim dhe trajnime për shkathtësi të buta, dhe krijim të një “rrjeti të mbështetjes për gratë”.

Pikërisht mungesa e një rrjeti të tillë ishte listuar si arsyeja e dytë kryesore pse gratë në Kosovë nuk janë më të përfshira në politikë, në një publikim të organizatës D4D.

Dy arsyet tjera kryesore ishin përkujdesja për fëmijë dhe mungesa e përkrahjes nga vetë partitë politike.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG