Ekzistojnë pafund shkaktarë pse një person mund të përjetojë traumë.
Por, lajmi i mirë është që me trajtim të duhur, trauma është e shërueshme.
Në Kosovë, nuk ekzistojnë të dhëna se sa persona janë përballur me traumë.
Ekspertët këshillojnë që t’i jepni hapësirë të mjaftueshme personit që është përballur me traumën dhe që asnjëherë të mos ia krahasoni apo minimizoni përjetimet.
Për të kuptuar më shumë për traumat, në edicionin më të ri të podkastit Të flasim, e ftuar ka qenë Melita Kallaba, psikiatre nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Ajo ka treguar për shkaktarët e traumës, simptomat e përjetimit të saj, format e shërimit dhe mitet që ekzistojnë rreth saj.
Dëgjojeni podkastin e plotë edhe në Spotify, Google Podcast dhe iTunes.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë është trauma?
Melita Kallaba: Kuptimi fillestar i traumës do të thotë një plagë fizike. Mirëpo, në kohët e sotme, moderne, nuk përdoret vetëm në aspektin fizik, por përdoret edhe si traumë shpirtërore, emocionale, psikologjike. Kur e përjetojmë ne një traumë? Traumën mund ta përjetojmë në situata të ndryshme. Shembull, vërshimet, tërmetet, të gjitha katastrofat natyrore, mund të jenë arsye që personi të përjetojë një traumë. Traumat më të vështira, dhe ato me të cilat ne jemi ballafaquar shumë në periudhën e pasluftës, kanë të bëjnë me luftën.
Kur një person përballet me një situatë që i rrezikohet jeta e tij fizike, kur kërcënohet edhe në aspektin emocional, kur përballet me një situatë kur të afërmit e tij janë në rrezik për jetë, ose është prezent në një situatë kur dikush vritet, është një ngjarje traumatike shumë e vështirë.
Simptomat, edhe fizike edhe psikike
Radio Evropa e Lirë: A shkakton traumë dhe humbja e një personi të afërt?
Melita Kallaba: Humbja e një personi të dashur mund të jetë traumatike, varësisht prej mënyrës se si e humbim ne atë person. Vdekjet e papritura janë shumë të vështira për t’u përpunuar. Ato janë vdekje, të cilat na gjejnë në një moment të befasishëm dhe përpunimi ynë emocional është shumë i vështirë të bëhet. Kërkon kohë dhe mund për ta tejkaluar një humbje.
Radio Evropa e Lirë: Cilat simptoma na tregojnë se po përballemi me traumë?
Melita Kallaba: Trauma mund të shkaktojë vështirësi nga më të ndryshmet dhe e prek komplet personin. I prek ndjenjat e tij, mendimet, ngacmimet dhe reagimet fizike. Gjithashtu, ndikon edhe në sjelljen e personit. Kur përjeton një person traumë, fillimisht mund të përjetojë një frikë të theksuar, është një frikë e natyrshme. Është një frikë, e cila, në përputhje me situatën në të cilën ndodhet personi, mund ta quajmë reagim normal ndaj një situate jonormale, sepse të kesh frikë në një situatë kur jeta jote dhe integriteti yt fizik dhe emocional kërcënohet, ne jemi qenie njerëzore dhe natyrisht, është normale të frikësohemi.
Por, ka edhe raste kur në situata të tilla traumatike, personi mund të mbetet në një gjendje, e cila mund të duket si pa ndjenja. Kjo është situatë, në të cilën organizmi ynë, reagon në mënyrë të pavetëdijshme, me qëllim të mbrojtjes sonë ndaj emocioneve të shumta që mund të na përfshijnë në një situatë traumatike. Kjo i shkakton trurit tonë një mohim, një bllokadë ndaj përballjes direke me atë situatë, në mënyrë që ne të mos përjetojmë atë frikën e tejskajshme. Disa persona ndihen të pafuqishëm, të pashpresë për ta tejkaluar situatën, apo për ta ndryshuar rrjedhën e situatës. Më vonë vjen ndjenja e fajësisë, sepse personi mendon se nuk arriti ta parashikojë një ngjarje të tillë, të tjerët mendojnë se pse unë mbijetova, dhe një familjar apo i dashur i imi nuk mbijetoi.
Radio Evropa e Lirë: Po te të rinjtë? Çfarë mund ta traumatizojë këtë gjeneratë të të rinjve në Kosovë?
Melita Kallaba: Në Kosovë kanë kaluar aq shumë vite, por ende është një situatë kaotike për të ardhmen e shumë të rinjve, sepse tani të rinjtë përballen me shumë mundësi, falë internetit. Ata mund të jenë shumë përpara në aspektin teknologjik, mirëpo mundësitë që ua ofron Kosova, nuk përputhen me mundësitë që ata i shohin në internet dhe që mendojnë që mund t’i kenë për jetën e tyre.
Pasojat e mostrajtimit të traumës
Radio Evropa e Lirë: Të ndalemi te një pikë që duam ta dimë të gjithë. A shërohen traumat?
Melita Kallaba: Trauma shërohet. Nëse një traumë ka zgjatur me muaj dhe me vite dhe është traumë kronike, sigurisht që ajo kërkon një intervenim më kompleks të trajtimit dhe periudhë më të gjatë të trajtimit për të arritur deri te rehabilitimi. Por, nëse personi menjëherë pas traumës, e kupton që ka nevojë për një mbështetje, atëherë edhe procesi i rehabilitimit, sigurisht që do të jetë më i lehtë dhe më i shpejtë. Trajtimin e traumës mund ta kombinojmë në trajtim psikologjik dhe trajtim medikamentoz.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndodh nëse nuk shërohen traumat, cilat janë rreziqet?
Melita Kallaba: Nëse nuk shërohen, trauma mund të kalojë në një gjendje kronike, ku personi mund të kalojë në sjellje jo të përshtatshme, mund të jetë agresiv, ose, në anën tjetër, të jetë depresiv, mund të ketë edhe çrregullim të stresit pas traumës, me çrregullim të ankthit, ose në një çrregullim depresiv dhe atëherë simptomatika është shumë më komplekse, dhe sigurisht që kërkon një trajtim më të gjerë multidisplinar.
Janë shumë të shpeshta edhe simptomat tjera, që lindin pas traumave.
Personi ka shumë ankesa trupore dhe ankohet për problematika të ndryshme. Ankohet për kokëdhembje, për probleme me organet e tretjes, probleme me diabetin, probleme reumatike.
Trauma ndikon si në aspektin psikik, ashtu edhe në atë fizik.
Trumat dhe bartja e tyre ndër gjenerata
Radio Evropa e Lirë: A barten traumat ndër gjenerata? Nëse po, si mund të shkëputet ky cikël?
Melita Kallaba: Në organizatën tonë, së fundi, është bërë një hulumtim dhe gjetjet kanë treguar se truma ka arritur të bartet nga personat që e kanë përjetuar traumën në mënyrë direkte. Cikli mund të shkëputet me vetëdijesim të popullatës. Trauma mund të bartet te familjarët tjerë edhe në formë gjenetike, mirëpo edhe në formën e sjelljes, sepse një sjellje mund të induktohet te të tjerët. Familjarët më pas mësohen me sjellje të tilla, që kanë të bëjnë me simptomatikën e traumës.
Radio Evropa e Lirë: A ekzistojnë mite rreth traumës?
Melita Kallaba: Po, mund të ekzistojnë mite. Njerëzit mund të mendojnë që një traumë e vogël nuk ka ndikim të madh, ose është e përkohshme. Pastaj, thuhet ndonjëherë që traumat janë të pashërueshme, dhe që vetëm personat që janë të dobët emocionalisht mund të përballen me pasoja nga trumat. Trauma mund të jetë e shërueshme, sigurisht, nëse kërkohet ndihmë. Sigurisht që kërkon përkushtim. Sepse, nëse një person kërkon ndihmë, por nuk i përkushtohet tërësisht trajtimit dhe nuk i përcjell të gjitha seancat me rregull, sigurisht që nuk mund të ketë sukses.
Pastaj, shpeshherë, njerëzit mund të thonë që me kalimin e kohës, personi mund të mos e kujtojë më traumën dhe mund të mos ketë probleme. Po, ekziston mundësia që persona të ndryshëm mund ta kalojnë një proces traumatik përmes mekanizmave të tyre të ndryshëm personalë dhe mund të kalojnë edhe pa pasoja. Mirëpo, në të shumtën e rasteve, trauma është një ngjarje që nuk mund të mos kujtohet. Por, është procesi i rehabilitimit që ndihmon në faktin që kur trauma të kujtohet, ajo të mos përjetohet në të njëjtën mënyrë siç është përjetuar në vitet e mëhershme.
Radio Evropa e Lirë: Përveç ndihmës te profesionistët shëndetësorë, si mund t’i ndihmojnë të tjerët një personi që ka përjetuar traumë?
Melita Kallaba: Thjesht, çdo ndryshim që e vërejmë te një person i afërt, duhet të na bëjë të mendojmë se ai person është duke vuajtur. Fillimisht, duhet t’iu kushtojmë rëndësi ndryshimeve në sjellje, që ndodhin tek anëtarët tanë të familjes, te dikush që e njohim me vite dhe papritmas sjellja e tij/saj ndryshon. Nëse ne mund të afrohemi dhe flasim me personin, natyrisht se diçka e tillë është shumë e mirëseardhur. Por, ajo çfarë është më e mira, është që të bindet personi të vizitojë një profesionist. E them këtë, sepse ne si familjarë e kemi përballë një person që vuan nga një problem, me raste, duke dashur t’i ndihmojmë, edhe mund ta dëmtojmë, sepse aty përfshihemi emocionalisht.
Radio Evropa e Lirë: Cila do të ishte këshilla juaj për të gjithë ata që mund të jenë përballur me traumë?
Melita Kallaba: Mos e neglizhoni gjendjen tuaj. Nëse e shihni që ka kaluar kohë, muaj, dhe vite që po vuani, dhe e shihni që nuk po arrini ta tejkaloni këtë gjendje psikologjike të rënduar, si pasojë e traumës, atëherë mos hezitoni të kërkoni ndihmë. Sikurse për gjendjet tjera shëndetësore, edhe për gjendjet psikologjike, duhet të kërkohet ndihmë. Në kohët e sotme është bërë më e lehtë që të kërkohet ndihmë.