Në fillim i ndaluan vajzat të shkollohen dhe gratë të punojnë, e më pas nisën të imponojnë rregulla strikte të veshjes.
Tani, grave afgane iu ndalohet edhe hyrja në banja dhe parqe publike të Kabulit.
Vendimin për këtë të fundit e mori Ministria e talibanëve për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit.
Nuk është e qartë se si do ta ndikojë ky vendim një rregullore të mëhershme të ministrisë, sipas së cilës, të gjitha hapësirat e hapura publike, përfshirë parqet, duhet të ndahen sipas gjinisë dhe grave u lejohet hyrja vetëm në ditë të caktuara.
Po ashtu, nuk është e qartë nëse kufizimet do të vlejnë përtej kryeqytetit afgan.
Maria Tutakhil, një banore lokale, shprehet e tronditur me kufizimet e fundit mbi gratë.
“Nëse një dekret tjetër do të vendoset për gratë, do të jetë që gratë të mos dalin as nga shtëpia”, thotë ajo për shërbimin afgan të Radios Evropa e Lirë.
“Ajo që ata thanë - se gratë nuk mund të shkojnë në vende rekreative dhe banja - është qesharake. Kjo do të thotë se ne, gratë, po përballemi me një fatkeqësi që do të jetë e vështirë për t’u kapërcyer. Afganistani nuk është asgjë më shumë se një burg për gratë”, thotë Maria.
Habib Jan Zazi, drejtor i parkut “Habibullah Zazi” në Kabul - një park modern argëtues me pishina dhe atraksione të tjera - thotë se ndalimi i grave kërcënon të ardhmen e kompleksit të tij.
“Zyrtarët e [ministrisë] njoftuan se gratë nuk kanë më të drejtë të hyjnë në park dhe me këtë pësojmë shumë edhe ne”, thotë Zazi.
“Kemi 200 punëtorë dhe pasi të na bien të ardhurat, do të duhet ta mbyllim parkun”, shton ai.
Mbyllja e banjave publike, të cilat shpesh frekuentohen nga banorët që s’kanë ujë të ngrohtë ose pajisje të banjës në shtëpi, do të vendosë barrë shtesë mbi gratë që tashmë janë subjekt i shumë kufizimeve.
“Shumica e familjeve në këtë mot të ftohtë nuk mund të bëjnë banjë të ngrohtë në shtëpi”, thotë Hamira Farhangyar, ish-presidente e Universitetit Mjekësor Cheragh të Kabulit.
“Ku mund të lahen një nënë dhe fëmijët e saj?”, pyet ajo.
Pronari i një banje publike në Kabul, duke folur në kushte anonimiteti për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndalimi i hyrjes së grave në objektin e tij do ta godasë atë rëndë financiarisht.
“Me paratë që fitoj nga banja, mbaj familjen time”, thotë ai.
Akif Mohajer, zëdhënës i Ministrisë së talibanëve për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit, tha se Qeveria talibane, prej se ka marrë pushtetin në gusht të vitit 2021, ka punuar për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për gratë, në përputhje me besimin se gratë dhe burrat duhet të ndahen në vendet publike.
Por, ai tha se disa vende të caktuara paraqesin probleme dhe se “për momentin” gratë nuk do të lejohen në parqe publike e as banja.