Ndërlidhjet

Vendi me shumicë myslimane që po e ndalon hixhabin me ligj


Gratë me hixhab në Taxhikistan.
Gratë me hixhab në Taxhikistan.

Pas diplomimit nga shkolla e mjekësisë, Salomatit iu desh të punonte si punonjëse masazhi në një sallon bukurie në Dushanbe, sepse spitalet në Taxhikistan nuk e lejojnë hixhabin islamik, të cilin ajo e vesh.

“U detyrova të zgjidhja ndërmjet karrierës dhe besimit tim, dhe e zgjodha këtë të fundit”, thotë Salomat, e cila nuk deshi të tregonte emrin e saj të plotë. “Unë e hoqa hixhabin në shkollë, sepse mendoja se ishte diçka e përkohshme. Por, karriera është e përjetshme”.

Mijëra gra në Taxhikistan janë përballur me zgjedhje të ngjashme në vitet e fundit, teksa qeveria laike në Dushanbe po ndalon gjithnjë e më shumë përdorimin e shamisë islamike të kokës në shkolla dhe në vende pune.

Pavarësisht ndalesës efektive ndaj hixhabit në institucione publike, nuk ka ligj në Taxhikistan që e ndalon veshjen islamike. Por, kjo është gati të ndryshojë.

Është e rëndësishme të kemi lirinë të zgjedhim rrobat tona. Nuk duhet të ketë ligj që na urdhëron çfarë të veshim".

Parlamenti në vendin me shumicë myslimane, që numëron rreth 10 milionë banorë, ka miratuar projektamendamentet e ligjit për “traditat dhe festat”, i cili do të ndalojë veshjen, importimin, shitjen dhe reklamimin e “veshjeve të huaja në kulturën taxhike”, një term i përdorur gjerësisht nga zyrtarët për të përshkruar veshjet islamike.

Ligjbërësit kanë miratuar, po ashtu, amendamente të reja të kodit të shkeljeve administrative, i cili përfshin gjoba të majme për kundërvajtësit. Kodi më herët nuk e konsideronte veshjen e hixhabit apo të rrobave të tjera fetare si kundërvajtje.

Ligjbërësi taxhik, Mavludakhon Mirzoeva, i ka thënë Shërbimit taxhik të Radios Evropa e Lirë se versioni i ndryshuar i projektligjit “përfshirë një ndalesë” ndaj veshjeve që cilësohen të huaja në kulturën taxhike.

Individët kundërvajtës mund të gjobiten me 740 dollarë, kurse për personat juridikë kundërvajtës parashihen gjoba prej 5.400 dollarësh. Zyrtarët qeveritarë dhe autoritetet fetare mund të ndëshkohen me gjoba edhe më të larta, prej 3.700, përkatësisht 5.060 dollarësh, nëse shpallen fajtorë.

Projektligjet i janë dërguar dhomës së epërme të Parlamentit dhe pritet gjerësisht që të aprovohen dhe të nënshkruhen nga presidenti autoritar, Emomali Rahmon.

Në vitin 2018, Taxhikistani prezantoi Udhëzuesin për veshjet e rekomanduara ku përshkruhen ngjyrat, format, gjatësitë dhe materialet "e pranueshme" të veshjeve.
Në vitin 2018, Taxhikistani prezantoi Udhëzuesin për veshjet e rekomanduara ku përshkruhen ngjyrat, format, gjatësitë dhe materialet "e pranueshme" të veshjeve.

Liria e zgjedhjes

Disa banorë të Dushanbesë i kanë thënë REL-it se nuk e mbështesin një ndalesë ndaj llojeve të caktuara të veshjeve, sepse ata besojnë se njerëzit duhet të jenë të lirë të zgjedhin se çfarë rrobash duan të veshin.

“Është e rëndësishme të kemi lirinë të zgjedhim rrobat tona. Nuk duhet të ketë ligj që na urdhëron çfarë të veshim”, ka thënë Munira Shahidi, eksperte e artit dhe e kulturës.

Shumica e taxhikëve besojnë se amendamentet e reja vetëm sa do ta legalizojnë “një ndalesë që tashmë zbatohet prej vitesh”.

“Më është dashur të heq dorë nga hixhabi 15 vjet më parë, kur sigurova punën time [të ëndrrave]”, ka thënë një 42-vjeçare, mësimdhënëse universitare në qytetin verior Huxhand. “Ishte vendim i vështirë. Unë vesh kostume me krahë të gjatë dhe e mbuloj kokën time me një shami të lidhur në pjesën e pasme të kokës”.

Gruaja, e cila nuk ka dashur t’i bëhet publik emri, ka thënë se fillimisht e ka refuzuar një ofertë pune nga universiteti, sepse ai i kishte kërkuar asaj ta hiqte shaminë islamike të kokës.

“Për pesë vjet, kam punuar në vende të ndryshme, ku nuk iu pengonte veshja e hixhabit, por nuk më pëlqyen ato punë dhe, për më tepër, ndalesa e hixhabit vazhdonte të zgjerohej”, ka thënë ajo. “Kur më erdhi sërish mundësia për të punuar në universitet, e pranova”.

Ndalesa e autoriteteve taxhike ndaj hixhabit ka filluar më 2007, kur Ministria e Arsimit ua ndaloi studenteve veshjet islamike dhe minifundet e stilit perëndimor.

Ndalesa më pas u zgjerua për të përfshirë të gjitha institucionet publike, teksa edhe disa organizata u kërkojnë stafit të tyre dhe vizitoreve që t’i heqin shamitë e kokës.

Qeveritë lokale kanë themeluar grupe të veçanta për të zbatuar ndalesën jozyrtare, përderisa policia ka bastisur tregjet për të arrestuar “kundërvajtësit”. Por, autoritetet hedhin poshtë pretendime të shumta nga gratë që kanë thënë se janë ndaluar në rrugë dhe janë gjobitur për shkak të veshjes së hixhabit.

Një video e publikuar së voni thuhet se shfaq stafin e një spitali në Taxhikistanin jugor duke “u ndihmuar” dy vizitoreve të veshura me hixhab për të rregulluar veshjen e tyre në një “mënyrë taxhike” – duke ua lidhur shamitë prapa kokës.

Videoja e postuar në mediat sociale supozohet se tregon mjekët taxhikë që u kërkojnë vizitorëve ta heqin hixhabin para se të hyjnë në spital.
Videoja e postuar në mediat sociale supozohet se tregon mjekët taxhikë që u kërkojnë vizitorëve ta heqin hixhabin para se të hyjnë në spital.

Qeveria taxhike në vitet e fundit ka realizuar një fushatë për të promovuar veshjen kombëtare taxhike. Më 6 shtator 2017, miliona përdorues të telefonave mobilë pranuan mesazhe me tekst nga qeveria, të cilat u bënin thirrje grave të vishnin rroba kombëtare taxhike. Mesazhet porosisnin: “Rrobat kombëtare të vishen me patjetër!”, “Respektoni veshjen kombëtare” dhe “Le ta bëjmë veshjen e rrobave kombëtare traditë të mirë”.

Fushata kulmoi më 2018, kur qeveria prezantoi një udhëzues prej 376-faqesh – Udhëzuesi i veshjeve të rekomanduara në Taxhikistan – i cili parashihte se çfarë duhet të veshin gratë taxhike për raste të ndryshme.

Taxhikistani, po ashtu, ka ndaluar jozyrtarisht mjekrat e gjata. Mijëra burra në dekadën e kaluar raportohet të jenë ndaluar nga policia dhe t’u jenë rruar mjekrat kundër vullnetit të tyre.

Përgatiti: Trim Haliti
XS
SM
MD
LG