Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani u largua më 15 gusht nga vendi për në Taxhikistan dhe qeveria e tij u rrëzua, teksa militantët talibanë hynë në kryeqytetin afgan, Kabul. Talibanët raportohet se kanë marrë nën troll gjysmën e qarqeve të kryeqytetit dhe Pallatin presidencial, teksa misionet diplomatike po shpejtojnë që të evakuojnë personelin e tyre.
Më 16 gusht, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një mbledhje urgjente lidhur me situatën në Afganistan.
Ndërkaq, largimin e presidentit Ghani e konfirmoi përmes një video-mesazhi Abdullah Abdullah, kreu i Këshillit Kombëtar afgan për Pajtim.
"Ai u largua nga Afganistani në kohë të vështirë. Zoti e mbajt përgjegjës", Abdullah. Ai e quajti Ghanin "ish-presidenti" edhe pse Ghani nuk ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje.
Dy zyrtarë të Qeverisë së Taxhikistanit, thanë për Radion Evropa e Lirë se Ghani ka arritur në Dushanbe. Këto burime, që folën në kushte anonimiteti, thanë se Ghani po përgatitet që të fluturojë për në një shtet tjetër. Por, ende nuk dihet se për cilin shtet bëhet fjalë.
Përmes një postimi në Facebook, Ghani ka thënë se është larguar nga shteti për të shmangur "gjakderdhjen" dhe ka shtuar se talibanët kanë fituar përmes "shpatës dhe armëve", por jo edhe "legjitimitetin e zemrave".
Ndërkaq, Al-Jazeera ka shfaqur pamje nga Pallati presidencial, ku një grup i liderëve talibanë janë ulur në tavolinën e presidentit, të shoqëruar me luftëtarë të armatosur rëndë, teksa militantët kanë thënë se janë të kënaqur që Pallati ra në duart e tyre pa gjakderdhje.
Talibanët janë zotuar se nuk do ta marrin Kabulin përmes forcës, teksa më herët u tha se po mbaheshin bisedimet me zyrtarët e lartë afganë për transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore.
Por, është e paqartë se kur do të bëhet tranferimi i pushtetit dhe cilët persona nga radhët e talibanëve po negocionin. Në anën e qeverisë, negociatorët janë ish-presidenti Hamid Karzai, lider i paritisë Hizb-e-Islam dhe Abdullah, që është kundërshtar i Ghanit.
Karzai përmes një videoje të postuar online tha se ai vazhdon të qëndrojë në Kabul.
"Ne do të tentojmë ta zgjidhim çështjen e Afganistanit me udhëheqësinë e talibanëve në mënyrë paqësore", tha ai.
Ambasada amerikane ka thënë se në aerportin e Kabulit, ku diplomatët, zyrtarët dhe afganët po strehohen, ka pasur të shtëna. SHBA-ja tha se aeroporti është mbyllur për fluturime komerciale, ndërsa evakuimet përmes avionëve ushtarakë po vazhdojnë.
"Situata e sigurisë në Kabul po ndryshon shumë shpejt, përfshirë në aeroport. Ka pasur raportime se ka pasur të shtëna, prandaj i këshillojmë qytetarët amerikanë që të strehohen", thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane.
Civilët kanë shprehur frikën e tyre se talibanët do të rivendosin rregullat e tyre të ashpra, ku do të eliminoheshin të drejtat e grave. Ata u janë drejtuar bankomatëve për të nxjerrë paratë e kursyera, ndërkaq diplomatët dhe personeli i ambasadave janë nisur drejt aerportit të qytetit.
Ndërkaq, helikopterët janë parë në qiellin e Kabulit teksa është evakuuar stafi i Ambasadës amerikane, ndërkaq është parë edhe tym në afërsi të ambasadës, pasi punonjësit kanë djegur dokumentet e rëndësishme. Edhe misionet e tjera diplomatike të vendeve perëndimore janë përgatitur që të evakuojnë njerëzit e tyre.
Ministri në detyrë i Brendshëm i Afganistanit, Abdul Satar Mirzakwal tha më 15 gusht përmes një video-mesazhi më 15 gusht se do të ketë transferim “paqësor” të pushtetit te një qeveri kalimtare.
Ghani u largua nga Afganistani, pavarësisht se më 14 gusht u zotua, gjatë një fjalimi televiziv, se nuk do të hiqte dorë nga "arritjet" e bëra në 20 vjetët e fundit, që prej pushimit të udhëhequr nga SHBA-ja, që çoi në rrëzimin nga pushteti të talibanëve, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.
Një zyrtar afgan i ka thënë AP-së më herët gjatë ditës se negociatorët talibanë janë nisur drejt Pallatit presidencial për t’u përgatitur për “transferimin” e pushtetit. Ky zyrtar tha se qëllimi është që të ketë një transferim paqësor të pushtetit te militantët talibanë.
Ndërkaq, një zëdhënës i talibanëve ka konfirmuar për Radion Azadi se bisedimet po zhvillohen për marrjen e pushtetit në mënyrë paqësore, por ai nuk ka dhënë më shumë detaje.
Talibanët "nuk duan ta marrin me forcë Kabulin"
Talibanët thanë më 15 gusht se nuk dëshirojnë të hyjnë "me forcë në qytet dhe të luftojnë, por po negociojmë me palë të tjera për të hyrë në qytet në mënyrë paqësore".
Por, më vonë, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujadid tha se kanë urdhëruar luftëtarët që të futen në qytet për të parandaluar plaçkitjet, pasi policia u largua nga pikat ku po bënin roje.
Në mbrëmjen e 15 gushtit, ky zëdhënës tha se talibanët kanë nën kontroll 11 nga 22 qarqet e Kabulit.
Jalalabad bie në duart e talibanëve
Para se të niseshin drejt Kabulit, talibanët morën kontrollin e qytetit Jalalabad, pa luftë. Rënia e Jalalabadit ndodhi më pak se 24 orë pasi talibanët morën nën kontroll edhe qytetin Mazar-e Sharif.
Militantët postuan fotografi online teksa qëndruan brenda zyrës së guvernatorit të Jalalabadit, që është kryeqytet i provincës Nangarhar.
Abrarullah Murad, një ligjvënës nga provinca Nangarhar i tha agjencisë Associated Press se kryengritësit morën Jalalabadin pasi përfaqësuesit fisnor negociuan rënien e qeverisë në këtë qytet.
Talibanët kanë bërë përparim të shpejtë gjatë javëve të fundit, duke marr nën kontroll pjesë të mëdha të territorit teksa forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja, po tërhiqen nga Afganistani.
Ofensiva e militantëve talibanë u përshpejtua javën e kaluar, duke tronditur qeveritë perëndimore teksa mbrojtja e ushtrisë afgane duket se kolapsoi. Shtetet e Bashkuara dhe Britania po dërgojnë trupa shtesë për të ndihmuar në evakuimin e qytetarëve të tyre dhe afganëve që kanë punuar me ta.
Talibanët, përmes një deklarate, thanë se marrja e shpejt e territorit tregon se populli afgan i pranojnë ata dhe risiguruan afganët dhe të huajt se ata do të jenë të sigurt.
Talibanët “gjithmonë do të mbrojnë jetën e tyre, pronën dhe nderin dhe do të krijojnë një ambient të sigurt dhe paqësor për këtë komb”, thanë talibanët, duke shtuar se diplomatët dhe punëtorët e ndihmës po ashtu nuk do të përballen me asnjë problem.
Pas avancimit të talibanëve, presidenti amerikan, Joe Biden më 14 gusht autorizoi dërgimin e 1.000 trupave të marinës. Ata do t’iu bashkohen edhe 3.000 trupave që u autorizuan edhe më herët, për të siguruar tërheqjen e personelit ushtarak amerikan. Këto trupa do t’iu bashkohen mbi 650 pjesëtarëve të personelit që veçse janë në Kabul, të cilët po kujdesen për sigurinë diplomatike.
Trupat amerikane arritën më 14 gusht për të mbrojtur dhe ndihmuar operacionin e evakuimit dhe po ashtu për të ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të aeroportit.
Në njoftimin e Bidenit për dërgimin e trupave shtesë, po ashtu u tha se presidenti amerikan qëndron prapa vendimit të tij për të tërhequr trupat amerikane nga misioni në Afganistan.
“Gjatë 20 vjetëve të luftës sonë në Afganistan, Amerika ka dërguar burrat dhe gratë më të mirë, ka investuar pothuajse 1 trilion dollarë, ka trajnuar mbi 300.000 ushtarë dhe policë afganë, i ka pajisur ata me pajisjet më të mira ushtarake dhe ka mirëmbajtur forcat e saj ajrore si pjesë e luftës më të gjatë në historinë amerikane”, tha presidenti Biden.
“Edhe një vit apo pesë të prezencës së ushtrisë amerikane nuk do të bënte dallimin nëse ushtria afgane nuk mund ta mbajë vetë shtetin. Dhe një prezencë e pafundme amerikane në mesin e një konflikti civil në një shtet tjetër nuk ishte e pranueshme për mua”, shtoi presidenti Biden.
Ndërkaq, në fjalimin e tij, presidenti afgan Ghani tha se konsultimet kanë filluar brenda qeverisë së tij dhe përfaqësuesve fisnorë dhe liderëve politikë, por edhe me aleatët ndërkombëtarë.
“Shumë shpejt rezultatet e këtyre konsultimeve do të ndahen me ju”, tha ai, duke mos dhënë më shumë detaje.
Talibanët më 14 gusht morën kontrollin edhe të Sharanës, kryeqytetit të provincës Paktika dhe të Asadabad, kryeqytetit të provincës Kunar.
Talibanët deri më tani kanë nën kontroll 25 provinca nga 34 sa janë gjithsej në Afganistan.
Dhjetëra-mijëra afganë janë larguar nga shtëpitë e tyre, shumica prej tyre nga frika se talibanët do të kthehen në pushtet.
Talibanët kanë qenë në pushtet në Afganistan nga viti 1996 deri më 2001 dhe atëbotë kishin vendosur ligje të ashpra islamike, ku gratë s’kishin drejtë të punonin apo të shkonin në shkollë dhe nuk mund të dilnin nga shtëpia pa shoqërimin e një familjari mashkull.
Salima Mazari, që është një prej guvernatoreve gra në këtë shtet, ka shprehur frikën nga marrja e kontrollit të shtetit nga talibanët. Ajo ka folur për Associated Press nga Mazar-e Sharif, para se ky qytet të merrej nga talibanët.
“Nuk do të ketë vend për gratë”, ka deklaruar ajo, që ka qeverisur një qark në këtë qytet verior. “Në provincat e kontrolluara nga talibanët, asnjë grua nuk ekziston. Që të gjitha janë të burgosura në shtëpitë e tyre”, shtoi ajo.
Facebook Forum