Ndërlidhjet

Pas ndalimit të shkollimit nga talibanët, studentet agfane largohen nga universitetet


Gratë afgane qëndrojnë në radhë para Universitetit të Kabulit për t'iu nënshtruar testit pranues për në universitet. 13 tetor 2022.
Gratë afgane qëndrojnë në radhë para Universitetit të Kabulit për t'iu nënshtruar testit pranues për në universitet. 13 tetor 2022.

Reuters

Studentet e universiteteve të Afganistanit u larguan nga kampuset të mërkurën, pasi administrata e drejtuar nga talibanët ua ndaloi grave që të ndjekin shkollimin universitar.

Njoftimi për ndalimin e shkollimit të grave u nënshkrua më 20 dhjetor nga ministri për Arsim të Lartë, Neda Muhammad Nadeem.

“Ju informoj për zbatimin e menjëhershëm të urdhrit për pezullimin e edukimit të grave, deri në një njoftim të ri”, u tha në letër.

Vendimi vlen për të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit.

Të dërguarit e SHBA-së dhe Britanisë në Kombet e Bashkuara, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, të thirrur për Afganistanin, e dënuan këtë vendim, që paraqet kufizimin e fundit ndaj të drejtave të grave dhe vajzave në Afganistan.

Vendimi nisi të zbatohet menjëherë.

"Ne shkuam në universitet, talibanët ishin te porta dhe na thanë 'nuk ju lejohet të hyni në universitet deri në njoftimin e dytë'... të gjithë po qanin", tha Shaista, një studente e Fakultetit të Biznesit në një universitet privat në Kabul.

Një profesor në një universitet tjetër në Kabul, i cili nuk pranoi të identifikohej, tha se stafi i largoi studentet te porta, pasi nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të zbatonin udhëzimet e talibanëve.

Studentja e vitit të tretë të Shkencave Politike, Hassiba, me bazë në Kabul, tha se ishte duke mësuar për provimet e saj kur dëgjoi për njoftimin.

“Është shumë e vështirë ta pranosh, është e pabesueshme, nuk mund ta besoj se po ndodh”, tha ajo, dhe shtoi:

“Kur nuk ka arsim për gratë në një shoqëri, si mund të shpresojmë për një të ardhme të ndritur?”.

Sipas njoftimit të së martës, vendimi është marrë nga kabineti i administratës së talibanëve.

Disa zyrtarë talibanë, duke përfshirë zëvendësministrin e Jashtëm dhe zëdhënësin e administratës, kanë folur në favor të arsimimit të grave dhe vajzave muajt e fundit.

Lideri suprem shpirtëror i talibanëve, selia e të cilit është në qytetin jugor të Kandaharit, e ka fjalën e fundit për vendimet kryesore.

Burime zyrtare diplomatike dhe talibane kanë thënë për Reuters-in se vendimi ishte duke u diskutuar nga udhëheqësit.

"Ky vendim ishte parashikuar për javë të tëra, duke nxitur disa zyrtarë perëndimorë të fillojnë të flasin për sanksione shtesë dhe kufizime të mëtejshme ekonomike", tha Graeme Smith, konsulent i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Krerët talibanë kanë thënë se ata duan marrëdhënie paqësore me komunitetin ndërkombëtar, porse ata nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të Afganistanit.

Por, vendimi mund t’i komplikojë përpjekjet e administratës talibane për të fituar njohjen ndërkombëtare dhe për t’i hequr sanksionet ndërkombëtare që po rëndojnë ekonominë e vendit.

Shumica e vajzave nuk janë në gjendje të shkojnë në shkollë pas ciklit fillor të arsimit.

Përgatiti: Erjonë Popova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG