Ndërlidhjet

Taksa për importet pritet t'i lëvizë çmimet në Kosovë


Produkt nga Serbia
Produkt nga Serbia

Vendosja e taksës prej 10 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nga ana e Qeverisë së Kosovës, pritet të prekë edhe xhepin e konsumatorëve kosovarë, pasi paralajmërohet shtrenjtim içmimeve për produktet, të cilat importohen nga këto vende, gjithashtu edhe prodhimeve që sigurojnë lëndën e parë përmes Bosnjës apo Serbisë.

Ngritja e çmimeve, paralajmërohet të jetë krejt minimale. Kurse, nga artikujt që përmenden se mund të shtrenjtohen, janë edhe mielli, buka e vaji. Një lëvizje minimale e çmimeve, paralajmërohet edhe për sektorët e prodhimit dhe ndërtimtarisë.

Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve ngrit shqetësimin se ky veprim i Qeverisë së Kosovës do të ndikojë te konsumatori kosovar në ngritjen e çmimeve. Kryetari i kësaj shoqate, Selatin Kaçaniku, thotë se konsumatorët kosovarë do t'i ndiejnë pasojat e kësaj takse edhe për faktin që bizneset kosovare shfrytëzojnë për përfitim çdo vendim të Qeverisë që ndërlidhet me lëvizjen e taksave.

“Akoma tregu disponon me rezerva të produkteve dhe ushqimeve, mirëpo ne presim një lëvizje të tillë. Gjithmonë ne kemi pasur reflektime të tilla, pasi që çdo vendim i njëanshëm dhe çdo vendim që nuk është mbështetur në ligje dhe Kushtetutë, e ka pasur fatin e dështimit dhe anulimit, siç po i vjen era edhe këtij vendimi ”, thotë Kaçaniku.

*Video nga arkivi: A do t’i bojkotoni produktet e Serbisë dhe Bosnjës?

A do t’i bojkotoni produktet e Serbisë dhe Bosnjës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

Pas vendosjes së taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, sipas Selatin Kaçanikut, konsumatori kosovar është tërësisht i pambrojtur karshi veprimeve të importuesve të këtyre mallrave.

Efektet e taksës ndaj importeve nga Serbia e Bosnja mund të shtrihen edhe te barnat, të cilat në numër jo të vogël importohen nga këto vende.

Shkumbin Jusufi, farmacist, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë po vërehen sinjalet e para të lëvizjes së çmimeve në tregun e barnave.

“E kemi vërejtur një aktivitet nga importuesit që i kanë dhënë disa sinjale, duke thënë, merrni, ngarkohuni me mallra se do të ketë mundësi të ngritjes së çmimit të produkteve farmaceutike për 10 për qind”, tregon Jusufi.

Kosova nuk përmbush në tërësi nevojat e veta për grurë. Sipas një sondazhi që ka përgatitur Fakulteti i Bujqësisë, thuhet se Kosova sivjet i plotëson nevojat e popullatës me prodhimin e grurit, me vetëm rreth 50 për qind.

Ymer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se reshjet e sivjetme atmosferike kanë ndikuar në rendimentet e kulturave bujqësore. Për mbulimin e nevojave, një pjesë e grurit dhe miellit importohet nga Serbia.

Muhamet Farizi nga Shoqata e mullisëve të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se taksa e vendosur, mund të ndikojë në një ngritje krejt të vogël të çmimeve për produktet nga gruri.

“Kosova ka importuar më së shumti miell dhe grurë nga Serbia, për shkak të shpenzimeve të transportit që ndikojnë në kosto. Megjithatë, edhe nëse ka ndonjë shtrenjtim, ai pritet të jetë shumë i vogël”, thotë Farizi.

Një tjetër sektor që parashihet se mund të preket nga taksa e vendosur, është ndërtimtaria.

Brahim Selimaj nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës thotë se mund të pritet një ngritje e çmimit në fushën e ndërtimtarisë, ndonëse Selimaj parasheh që kjo ngritje të jetë fare e vogël:

“Shumë pak ngritje mund të ketë ose fare, sepse Maqedonia është i njëjti treg dhe mund t’i shfrytëzojmë këto kapacitete prodhuese sa të duash dhe kjo mund të mos reflektohet në ndërtim”.

Sidoqoftë, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se aplikimi i kësaj takse ka edhe efektet tjera, siç është rritja e të hyrave doganore.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Bahri Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur rënie të importit prej 50 për qind nga dy vendet - Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se si organizatë e prodhuesve kanë pasur parasysh se kjo taksë mund të ketë pasoja edhe për sektorin e prodhimit. Por, që siç thotë ai, prodhuesit janë njoftuar dhe se janë duke punuar në atë drejtim që të gjejnë alternativa të tjera për importin e lëndës së parë.

Qeveria e Kosovës, më 6 nëntor, mori vendim për vendosjen e taksës doganore prej 10 për qind ndaj të gjitha importeve me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja. Përjashtim nga kjo masë bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.

Ndryshe, importuesi më i madh në Kosovë, i gati të gjitha produkteve mbetet Serbia. Sipas të dhënave zyrtare, vlera e produkteve të importuara nga ky shtet vetëm brenda një viti, është rreth 400 milionë euro. Ndërkaq, importi i produkteve të Bosnjës në tregun e Kosovës, në vitin e kaluar ka arritur vlerën e 81.5 milionë eurove.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG