Ndërlidhjet

Heqja nën trysni e taksës doganore


Taksa prej 30 për qind do të vazhdojë të aplikohet për shtatë produkte bujqësore.
Taksa prej 30 për qind do të vazhdojë të aplikohet për shtatë produkte bujqësore.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore prej 30 për qind në importin e pemëve, perimeve dhe misrit, është tërhequr, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Zëvendësministri për Tregti dhe Industri i Qeverisë së Kosovës, Fadil Arifi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që megjithatë, revokimi i vendimit të ekzekutivit të vendit, nuk vlenë për 7 produkte, të cilat kanë qenë brenda listës së produkteve për të cilat ishte vendosur taksa doganore.

“Ato masa vazhdojnë të vlejnë për domatet, specat, mollët, dardhët, kumbullat, mjedrat dhe rrushin. Vendimi është sjellë ditën e djeshme (e martë). Ministria ka kërkuar nga Qeveria ndryshimin dhe plotësimin e vendimit. I kemi hequr masat për produktet tjera, ndërkaq, për produktet për të cilat vazhdojnë masat, ato janë të përkohshme. Këto masa, më pas, janë miratuar në Qeveri”, ka theksuar Arifi.

Ai ka shtuar se deri te ndryshimi i vendimit “ka ardhur pas presioneve të ndryshme”, ndërkaq që në bazë të analizës ka qenë e rëndësishme që masat të mbeten për produktet që ai i ka përmendur.

Masat e para, sipas tij, Kosova i ka vendosur në bazë të analizimit të tregut.

Në anën tjetër edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit i Qeverisë së Serbisë, Rasim Ljajiq, gjithashtu ka konfirmuar se Prishtina i ka tërhequr masat për taksën doganore prej 30 për qind.

“Përshëndesim këtë vendim për tërheqjen e masave. Por, gjithashtu, presim që sa më shpejt që të jetë e mundur, të hiqen të gjitha barrierat edhe për prodhimet tjera, për pemët dhe për disa lloje të perimeve”, ka theksuar Ljajiq.

Këtë deklaratë Ljajiq e ka bërë pas takimit në Beograd me nënkryetarin e Këshillit të Ministrave, ministrin e Tregtisë së Jashtme dhe të Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjë e Hercegovinës, Mirko Shareviq, si dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë të Maqedonisë, Ljupçe Nikolovski. Në mbledhje ka qenë i pranishëm edhe shefi i Drejtorisë për bashkëpunim ekonomik multilateral dhe rajonal i Ministrisë së Ekonomisë së Malit të Zi, Goran Shçepanoviq.

Ministri serb Ljajiq, i cili ka folur në emër të gjithë pjesëmarrësve në takim, ka theksuar se ata kanë kërkuar që të hiqen edhe masat tjera të vendosura më herët nga Kosova: akcizat për materialin ndërtimor dhe për miellin nga Serbia, për qumështin dhe prodhimet e qumështit nga Bosnjë e Hercegovina, si dhe pengesat teknike për eksportin e birrës nga Mali i Zi.

“Derisa të mos ndodhë kjo, për të gjitha shtetet dhe vendet pjesëmarrëse në këtë takim, mbetet si mundësi, si masë, që në përputhje me interesat e veta ekonomike, të ndërmarrin kundërmasa, të cilat i konsiderojnë adekuate. Por, ne dëshirojmë që një gjë të tillë ta shmangim”, ka theksuar Ljajiq.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Odës Tregtare të Afarizmit në Kosovë, Ismet Mulaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që Qeveria e Kosovës ka të drejtë të marrë vendime me të cilat e mbron interesin e prodhuesve vendorë, sidomos për produktet bujqësore që janë jetike për Kosovën. Vendimet e tilla duhet të bazohen në ligjin për tregti, në ligjin për mbrojtjen e produkteve vendore, në Ligjin për anti-damping, si dhe në harmoni me marrëveshjen e CEFTA-s. Por, sipas tij, vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së taksës doganore prej 30 për qind për një varg produktesh bujqësore, nuk është analizuar mirë paraprakisht.

“Si duket, vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë në harmoni me këto tri ligje të Kosovës dhe në harmoni me kërkesat e Marrëveshjes së CEFTA-s. Prandaj, ka ardhur një presion i fortë nga shtetet anëtare të CEFTA-s dhe këto shtete kanë arritur që edhe nëpërmjet faktorit ndërkombëtar të kenë ndikim te Qeveria e Kosovës dhe ky vendim të revokohet. Prandaj, Kosova i ka bërë dy dëme. E para, e ka prishur imazhin e vetë në raport me shtetet, të cilat janë anëtare të CEFTA-s dhe së dyti, po i bie që i ka mashtruar prodhuesit vendorë, të cilëve u ka premtuar se do t’i mbrojë produktet e tyre”, tha Mulaj.

Sidoqoftë, marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet fqinje, përgjatë viteve ishin përcjellë me probleme të ndryshme. Vendet e rajonit si Serbia, Maqedonia, Bosnje e Hercegovina dhe Shqipëria, jo rrallë herë patën vendosur barriera tregtare për prodhimet nga Kosova, gjë që ka rezultuar me dëmtimin e ekonomisë së vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG