Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut, por palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.
Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sa më shpejt që arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, aq më lehtë do të jetë, pasi ai theksoi se pa njohje të ndërsjellë, asnjëra palë nuk do të mund të anëtarësohet në BE.
"Unë theksova se në kuadër të mandatit të zotit Borrell dhe në kuadër të mandatit të presidentit Biden do të duhej të bëhej marrëveshja, mirëpo sa më herët që bëhet aq më kollaj është", tha Kurti për gazetarët pas takimit në Bruksel.
Ai pranoi se për arritjen e një marrëveshjeje të tillë nuk do të jetë e lehtë, por tha se nuk "është pesimist" pasi "tashmë po i trajtojmë gjërat në thelbin e tyre, e nuk po përpiqemi ta evitojmë elefantin në dhomë. Kjo është se presidenti (i SHBA-së, Joe) Biden ka kërkuar njohje të ndërsjellë me qenë se aktualisht kemi mosnjohje të ndërsjellë".
Ndërkaq sa i përket takimit me Vuçiqin, tha se ka prezantuar katër ide të reja, ku njëra ndër to ishte edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të paqes, ku Kosova dhe Serbia do të zotoheshin që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën dhe "në këtë mënyrë t'i kontribuojmë paqes dhe sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë".
Po ashtu, Kurti tha se gjatë takimi ka ngritur edhe çështjen e personave të pagjetur, që sipas tij, është çështje "që nuk pret".
"Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte 'naçelnik (shefi) i qarkut të Kosovës', dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq", ka thënë Kurti.
"Nuk duket që ka gatishmëri (nga Serbia) për t’u marrë me njerëzit përgjegjës të asaj kohe, të cilët, fatkeqësisht, janë edhe në pozita shtetërore. Pra, nuk bëhet fjalë për njerëz që janë bërë deputetë me votat e qytetarëve, por për njerëz të emëruar nga pushteti i atjeshëm, në ato pozita që i kanë”, ka shtuar ai.
Kryeministri i Kosovës po ashtu tha se ka propozuar që të pas njohjes së ndërsjellë, sa i përket pakicave, të aplikohet parimi i reciprocitetit bilateral, duke u krijuar në Kosovë Këshill nacional për serbët, ashtu siç e kanë shqiptarët që jetojnë në Serbi.
Po ashtu ai ka prezantuar edhe një ide për ridizajnimin e marrëveshjes së CEFA-s, por sipas tij tri propozimet janë refuzuar nga delegacioni i Serbisë, ndërkaq për CEFTA-n nuk kanë marrë përgjigje.
Vuçiq: Nuk u pajtuam absolutisht për asgjë
Ndërkaq, pas takimit, presidenti i Serbisë, Vuçiq ka thënë se nuk ka rënë dakord me Kurtin "absolutisht për asgjë".
Vuçiq ka thënë po ashtu se Kurti e pyeti se a do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Njeriu erdhi që të mos pajtohej për asgjë. Njeriu erdhi që të thotë ‘erdha të të pyes se kur do ta pranosh pavarësinë e Kosovës’. Përgjigja ime ishte kurrë. Pastaj ai shpërtheu”, theksoi Vuçiq.
Presidenti serb ka thënë se pala e Kosovës nuk dëshiron të plotësojë marrëveshjet që kanë nënshkruar.
“Pra, nuk dëshirojnë fare të bisedojnë për Asociacionin e Kosovës. Së dyti, ata kërkuan me urgjencë dhe menjëherë të dëgjojnë se kur do ta pranojmë Kosovën e pavarur dhe së treti, ata i quajnë incidente dhe provokime faktin që serbët dëshirojnë të marrin pjesë në liturgjitë në kishat e tyre, sepse tokat për ato kisha janë dhënë mbase në kohën e pushtetit të Slobodan Milosheviqit”, ka thënë Vuçiq.
Ai shtoi se me palën e Kosovës kanë biseduar për çështjen e të pagjeturve, për parimet dhe për atë se sa është e rëndësishme që të zbulohen vendet ku janë varrosur, civilët shqiptarë ose ata serbë. Ai tha se i ka ofruar palës së Kosovës që gjithmonë nëse kanë dyshime se ku mund të ketë çfarëdo varreze, ato të hapen dhe t’i tregohet opinionit. Por, sipas tij, në këtë pikë ka pasur përplasje verbale me palën e Kosovës.
“Më pas na thanë se kjo nuk mund të bëhet. Pse nuk mund të bëhet? Për shkak se në krye të komisionit është Veljko Odaloviq dhe se sipas tyre ai është Geringu dhe Gebelsi. Atëherë unë i thash që më tepër ai i ngjanë Gebelsit sesa Veljko Odaloviq. Por, të jem sinqertë, e gjithë kjo që e thash është në formën më të zbutur se sa që ka qenë me të vërtetë. Nuk pash kurrfarë qasje racionale dhe asgjë tjetër”, tha Vuçiq.
Ky takim u ndërmjetësua nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lajçak: Takimi nuk ishte i lehtë
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se takimi i së martës në mes të kryeministritKurti dhe presidentit Vuçq nuk ka qenë i lehtë, mirëpo është e rëndësishme që ka ndodhur.
Ai ka deklaruar se procesi i dialogut do të vazhdojë para fundit të korrikut.
“Të dy liderët kanë pasur deklarata të sinqerta rreth asaj se çfarë duan palët nga dialogu. Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të dy liderët konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër përveç normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak pas takimit.
Sipas tij, si Kurti, ashtu edhe Vuçiq janë pajtuar për normalizim të marrëdhënieve përmes dialogut.
Sipas Lajçakut, blloku evropian, bashkë me popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë, kanë pritshmëri të larta nga të dy liderët, që të tejkalojnë trashëgiminë e së kalurës dhe ta shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt të ardhmes evropiane.
Borrell: Kosova dhe Serbia ta shfrytëzojnë momentumin e ri
Para takimit trepalësh, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka thënë se është i vetëdijshëm që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë i lehtë, mirëpo angazhimi i të dyja palëve është i domosdoshëm për popujt e dy vendeve.
Borrell ka thënë se gëzohet që takimi po zhvillohet në kohën e njëjtë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan, Joe Biden.
“Kemi një momentum të ri dhe na duhet ta shfrytëzojmë atë”, ka thënë ai, duke thënë se kjo mundësi vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
"Është një rast në BE për diskutimet në Ballkanin Perëndimor dhe është me rëndësi për rajonin që ta shfrytëzojë këtë rast. Dhe ky është rast për tërë rajonin e jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, sepse këto raporte janë të rëndësishme për tërë rajonin. Për stabilitetin afatgjatë, përparimin ekonomik. Përpjekjet tjera pa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë të rrezikuara”, ka thënë Borrell duke shprehur pritje për një takim konstruktiv.
Borrell ka thënë se është e qartë se rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi shtrojnë rrugën për të ardhmen evropiane për të dyja palët.
"Dialogu ka prodhuar rezultate për qytetarët e tyre. Si shembull, integrimi i policisë dhe sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës në sistemin e Kosovës. Mbledhja e tarifave doganore nga tregtia me Serbinë apo edhe pjesëmarrja si anëtar i plotë në organizata të ndryshme rajonale si dhe iniciativa", ka thënë Borrell.
Zyrtari i BE-së ka thënë mes tjerash se blloku evropian dhe vetë ai presin përparim të shpejtë në procesin e dialogut, për ta lënë të kaluarën mbrapa dhe të arritur marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh.
Para takimit trepalësh, zyrtarët e BE-së kanë zhvilluar takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.
Shefi i ekipit negociator të Serbisë, Petar Petkoviq, para takimit të Kurtit me Vuçiqin, ka thënë se po i transmeton fjalët e presidentit serb, i cili, sipas tij ka thënë se Beogradi është i gatshëm për dialog, por që i intereson edhe përparimi në këtë proces.
“BE-ja bashkëpunon ngushtë me SHBA-në për çështjen e Kosovës, gjë që edhe më shumë e vështirëson pozicionin tonë, por ne do të luftojmë”, ka theksuar Petkoviq.
Vazhdim i dialogut apo proces i ri?
Bashkimi Evropian i sheh takimet e ardhshme në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si vazhdim i dialogut, e jo si ndonjë fillim i ri i tij.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ditë më parë ka theksuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 15 qershor dhe se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare presin angazhim të vazhdueshëm nga të dyja palët për përfshirje në këtë dialog, si dhe për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të kaluara.
Kryeministri i Kosovës, Kurti, më 11 qershor ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës që më 15 qershor, “nuk do të ketë takim të ri të dialogut të vjetër” dhe se “nuk do të jetë një takim i radhës i të njëjtit dialog”.
“Do të jetë takim për dialogun e ardhshëm. Ky është dallim i madh konceptual”, ka thënë Kurti, duke shtuar se dialogut ende nuk i dihet agjenda.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka vazhduar të mbajë qëndrimin se në takimin me Kurtin do të insistojë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash ndërmjet palëve në Bruksel.
Në prag të takimit me Kurtin, presidenti serb Vuçiq ka thënë se “nuk është koha për fjalë të mëdha, por për një qëndrim të fortë”.
“Por, gjithmonë është koha që të tregojmë se sa e duam dialogun dhe sa e rëndësishme është të shikojmë drejt së ardhmes”, ka deklaruar Vuçiq.
“Vullneti i nevojshëm” për dialogun
Stefan Surlliq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 14 qershor, ka shprehur mendimin që presidenti i Serbisë, Vuçiq, do të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Kosovën me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, megjithatë, ai nuk pret që në raundin e 15 qershorit, palët të bisedojnë për Asociacionin, por pret që “të dyja palët të tregojnë dëshirë dhe vullnet për të vazhduar dialogun, për të biseduar për temat që mund të dalin në tryezë gjatë periudhës së ardhshme”.
Ditë më parë, partitë opozitare në Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë kritikuar kryeministrin Kurti, duke ia rikujtuar atij qëndrimet që kishte shprehur për dialogun para se të vinte në pushtet, se nuk bën të bisedohet me Serbinë pa kërkuar falje dhe se nuk duhet të bisedohet pa u zgjidhur fati i të pagjeturve. Gjithashtu, ai është kritikuar se po shkon në raundin e ri të bisedimeve i papërgatitur.
Facebook Forum