Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, konfirmon se deri më tash nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar në lidhje me raportimet se Republika e Surinamit ka “tërhequr njohjen” ndaj Republikës së Kosovës.
“Andaj, në këto rrethana, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës i referohet vetëm frymës së mirë të marrëdhënieve miqësore në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Surinamit dhe Notës Verbale të njohjes zyrtare nga ky shtet, të datës 8 Korrik 2016, nëpërmjet së cilës Qeveria e Surinamit e kishte njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.
Ministria e Jashtme e Kosovës, e cila drejtohet nga ministri Behgjet Pacolli thekson se është e vetëdijshme “për interesimin e jashtëzakonshëm, përpjekjet e fuqishme dhe qëllimet malinje që ka shteti fqinj, Serbia përkitazi me minimin e legjitimitetit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës”.
Megjithatë, Ministria e Jashtme, sipas komunikatës, “flet me gjuhën e fakteve dhe gjendjen e realitetit”.
“Gjuha e fakteve dhe gjendja e realitetit është se Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, me legjitimitetin e vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ku ishte dërguar nga vet Serbia, është njohur nga 114 shtete nga çdo kontinent, ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 Organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 Misione Diplomatike dhe Poste Konsullore dhe ka të akredituar Ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete gjithandej nëpër botë”, theksohet në komunikatë.
“Kosova tani është faktorizuar dhe ka forcuar legjitimitetin e saj ndërkombëtarë dhe kjo nuk duhet të shihet si pengesë as për Serbinë. Kosova, në ekzistencën e saj gati dhjetë vjeçare si shtet i pavarur dhe sovran ka dëshmuar, që i ka kontribuar paqes dhe sigurisë rajonale dhe ajo mbetet e përkushtuar për të punuar në këtë drejtim, duke ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjitha fqinjët e saj, duke përfshirë edhe Serbinë”, përfundon komunikata.
Paraprakisht edhe këshilltari për media nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, tha për Radion Evropa E Lirë, se raportet mes shtetit të Surinimat janë të mirë dhe nuk ka tërheqje të njohëses ashtu siç pretendohet.
"Në të Drejtën Ndërkombëtare nuk ekziston ç’njohja apo tërheqja e njohjes. Mund të ekzistoj ngrirja e marrëdhënieve përkatësisht tërheqja e stafit diplomatik për çka Surinami nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike me Kosovën (ambasadë në Kosovë). Tërheqja është spekulim. Kosova dhe Surinami nuk kanë ngrirje të raporteve dhe se Kosova ka raporte të shkëlqyera me të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj", tha Matoshi.
Ishte ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ai i cili kishte deklaruar për mediat në Beograd se Qeveria e Surinamit e kishte informuar Serbinë se e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Daçiq tha në një konferencë për gazetarë se për këtë është informuar mbrëmë nga ministrja e Jashtme e Surinamit, ndërsa gjatë natës ka arritur edhe njoftimi zyrtar.
Surinami e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 8 qershor, 2016. Ky vend ndodhet në Amerikën Jugore, me sipërfaqe prej 163.820 kilometrash katror dhe ka mbi 550 mijë banorë.
Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, Kosovën e kanë njohur 114 shtete.