Ndërlidhjet

Sulmi i Izraelit në Iran trondit ushtrinë, por mund t’i forcojë ambiciet bërthamore të Teheranit


Pasojat e sulmit izraelit në veri të Teheranit, 13 qershor 2025.
Pasojat e sulmit izraelit në veri të Teheranit, 13 qershor 2025.

Sulmi i gjerë izraelit kundër Iranit duket se ka befasuar udhëheqjen ushtarake iraniane dhe mund ta ketë vonuar një kundërpërgjigje të menjëhershme.

Por, mbetet e paqartë nëse ka arritur qëllimin kryesor: dëmtimin e programit bërthamor të Iranit, për të cilin Izraeli pretendon se është pranë prodhimit të armëve, pavarësisht se Irani këmbëngul se ai është vetëm për qëllime civile.

Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë izraelitë kanë pohuar se Irani, kohët e fundit, ka përshpejtuar përpjekjet e pasurimit të uraniumit deri në atë pikë sa mund të prodhojë armë bërthamore brenda muajsh - ose edhe ditësh.

Operacioni “Luani që ngrihet”, siç e quajti Izraeli, kishte në shënjestër komponentë të rëndësishëm të infrastrukturës bërthamore të Iranit - përfshirë objektin e pasurimit në Natanz - si dhe instalime ushtarake brenda dhe rreth Teheranit.

Avionët luftarakë izraelitë goditën, gjithashtu, fabrika për prodhimin e raketave dhe ndërtesa banimi, ku dyshohej se strehoheshin zyrtarë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.

Ndër të vrarët thuhet se është edhe Hossein Salami, komandanti i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), megjithëse Irani nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij.

Sipas zyrtarëve izraelitë, qëllimi ishte të dëmtohej si programi bërthamor i Iranit, ashtu edhe aftësia e tij për t’u kundërpërgjigjur me arsenal të gjerë të raketave balistike - që për Izraelin janë kërcënimi më i madh pas një Irani me armë bërthamore.

Sulmet izraelite godasin qendra bërthamore dhe zyrtarë të lartë të Iranit
Sulmet izraelite godasin qendra bërthamore dhe zyrtarë të lartë të Iranit
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:00:55 0:00

“Netanyahu ka hapur një kapitull të ri në Lindjen e Mesme - një epokë të luftës bërthamore izraelite-iraniane”, shkroi Eran Etzion, ish-zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, në platformën X.

“Një luftë që synon ndalimin e programit bërthamor të Iranit, por që, në fakt, duket se ka për qëllim goditjen e bazave themelore të vetë regjimit iranian”, sipas tij.

Bast me rrezik të lartë

Analistët e sigurisë e përshkruajnë operacionin si një bast parandalues, apo një përpjekje për të shmangur atë që Izraeli e sheh si kërcënim ekzistencial, por që rrezikon të ndezë një luftë rajonale, të pengojë diplomacinë dhe, madje, t’i përshpejtojë ambiciet bërthamore të Iranit.

Danny Citrinonwicz, bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, tha se sulmi i dha një goditje të madhe prestigjit të Iranit, duke depërtuar në mbrojtjen e tij ajrore dhe duke i eliminuar komandantë të lartë.

Megjithatë, ai tha se ndikimi në programin bërthamor të Iranit është “i kufizuar”, pasi objektet kyçe, përfshirë edhe vendin e fortifikuar mirë, Fordov, mbeten të paprekura.

“Kjo është vetëm faza fillestare e një fushate më të gjatë”, shkroi Citrinonwicz në X.

“Duket se Izraeli po ruan disa karta për përshkallëzimin e mundshëm që pritet”, shtoi ai.

Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës për qytetarët e Kosovës në Izrael

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, të premten, ka lëshuar një komunikatë duke këshilluar të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen aktualisht në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta.

Ky njoftim vjen pas përkeqësimit të situatës së sigurisë në Izrael dhe në rajon.

Ministria u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit, të cilat mund t’i gjeni në linkun: https://www.oref.org.il/eng

Po ashtu, Ministria njofton se për çdo pyetje apo nevojë për ndihmë, qytetarët mund të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael në numrin: +972 (0) 586 340 450

Cilat janë opsionet e Iranit?

Rundi i gjashtë i bisedimeve bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, i planifikuar për datën 15 qershor, tani duket se është e pamundur të zhvillohet.

Me diplomacinë që duket se ka dështuar, çdo reagim i Iranit rrezikon t’i përshkallëzojë edhe më tensionet.

Reagim i menjëhershëm i Iranit ishte lëshimi i rreth 100 dronëve Shahed drejt Izraelit - shumica e të cilëve u neutralizuan jashtë hapësirës ajrore izraelite.

Udhëheqësit iranianë përsëritën paralajmërimet për hakmarrje ndaj Izraelit dhe forcave amerikane në rajon.

Edhe pse Uashingtoni e mohoi përfshirjen në sulm, Irani mund ta mbajë përgjegjës.

Nëse Teherani e realizon kërcënimin e tij, duke goditur bazat ushtarake amerikane, një gjë e tillë do të mund ta tërhiqte Uashingtonin në një konflikt më të gjerë.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Irani zotëron rreth 2.000 raketa - shumë prej të cilave të afta të mbajnë koka luftarake me mbi 900 kilogramë eksploziv - dhe prodhon rreth 50 raketa balistike në muaj.

Nuk është ende e qartë se sa janë dëmtuar këto kapacitete nga sulmi izraelit.

Pasojat e sulmit të Izraelit në Teheran, 13 qershor 2025.
Pasojat e sulmit të Izraelit në Teheran, 13 qershor 2025.

Grupet aleate të Iranit në rajon janë dobësuar ndjeshëm.

Lufta në Gazë e ka goditur rëndë Hamasin - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera - ndërsa Hezbollahu libanez nuk e ka marrë ende veten pas përplasjeve me Izraelin.

Aktualisht, aleatët më të fortë të Teheranit mbeten rebelët Huthi në Jemen.

Irani mund ta shqyrtojë edhe largimin nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

Edhe pse SHBA-ja - ndryshe nga Izraeli - beson se Irani nuk po zhvillon në mënyrë aktive armë bërthamore, sulmi i fundit mund t’i shërbejë Teheranit si arsye për të hequr dorë nga traktati dhe për të nisur hapur rrugën drejt armatosjes.

“Qeveria e Netanyahut mund t’i ketë dhënë regjimit iranian legjitimitet - si të brendshëm, ashtu edhe ndërkombëtar - për të prodhuar armë bërthamore”, paralajmëroi Etzion.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG