Ndërlidhjet

"Slobodna Bosna" del me reagim pas artikullit të shumëpërfolur


Artikulli i portalit "Slobodna Bosna" që nxiti reagime në Kosovë.
Artikulli i portalit "Slobodna Bosna" që nxiti reagime në Kosovë.

Portali në Bosnje-Hercegovinë, "Slobodna Bosna" (Bosnja e Lirë) ka thënë të enjten se e ka regjistruar pikun e sulmeve brutale prej mediave të Serbisë, të kontrolluara, siç ka thënë, prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pas publikimit të një artikulli në të cilin supozohet se disa media të caktuara në rajonin e Ballkanit i janë nënshtruar regjimit të Vuçiqit.

Në atë artikull janë përmendur edhe dy portale të Kosovës: "Nacionale" dhe "Periskopi".

Përmes një reagimi editorial, "Slobodna Bosna" ka thënë se në vend të mbështetjes, përfaqësuesit e disa organizatave joqeveritare, si dhe asociacione të gazetarëve prej rajonit, i kanë nxitur sulmet, përmes reagimeve që kanë bërë.

"Slobodna Bosna" ka thënë se, megjithatë do të vazhdojë të bëjë "punën profesionale".

Në reagim i është bërë thirrje një eksperti të Bosnjës, që ka pretenduar se Qeveria e Kosovës është mbrapa artikullit, që të paraqesë fakte për këtë pretendim.

Në reagim janë quajtur të pabazuara pretendimet për "mungesë provash", apo ato për "burime të dyshimta" në artikullin në fjalë.

"Slobodna Bosna" ka thënë se asnjë medium nuk e ka kontaktuar redaksinë për të verifikuar informacionin e publikuar, dhe të gjithë kanë marrë pozicionin ad hoc se informacioni nuk ka qenë i saktë.

Në fakt, Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një deklaratë nga ky portal, mirëpo punonjësit nuk kanë dashur të komentojnë.

Reagimet në Kosovë rreth këtij teksti kanë qenë kryesisht për faktin se televizioni publik, Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) e ka transmetuar një pjesë të tekstit dhe ai më pas është shpërndarë prej disa deputetëve të pushtetit.

Partitë opozitare në Kosovë kanë thënë se ky medium është “shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit”.

Qeveria e Kosovës nuk është prononcuar rreth këtij rasti, derisa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë të mërkurën se i ka dhënë informacione Prokurorisë për dy portalet e përmendura të Kosovës, me arsyetimin se “është e rëndësishme të dimë se kush financohet nga Serbia”.

Të mërkurën, 16 organizata joqeveritare dhe tre aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Në reagimin e 24 korrikut të organizatave joqeveritare, materiali i RTK-së është konsideruar “informacion dezinformues, me qëllim të sulmimit të mediave online, Nacionale dhe Periskopi”.

Bordi i RTK-së ka mbajtur më 23 korrik një mbledhje të jashtëzakonshme dhe përmes një njoftimi ka thënë se është i shqetësuar për publikimin “e artikullit kontrovers në RTK”, që e ka cilësuar si “lëshim të qartë", duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti.

Çfarë portali është “Slobodna Bosna”?

Boro Kontiq, gazetar veteran nga Bosnja dhe Hercegovina dhe drejtor i Qendrës Mediale në Sarajevë, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se, "Slobodna Bosna" është një media e themeluar në vitet 1989-1990 nga Senad Avdiq.

Sipas mendimit të tij, Avdiq ishte një nga gazetarët më të mirë në atë kohë dhe "Slobodna Bosna" një nga mediat kryesore të besueshme që luajti një "rol revolucionar" në vitet 1990 në nxjerrjen në pah të planit për rrethimin e Sarajevës nga ushtria jugosllave.

“Për shumë, ajo ishte një surprizë, por doli që shumica e asaj që publikuan ishte e vërtetë”, ka thënë Kontiq.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk e di nëse mund të flasë më për besueshmëri, pasi ky portal ka pësuar disa ndryshime. Në mesin e viteve '90, kjo media u kthye në gazetë të përjavshme dhe në 15 vjetët e fundit është vetëm online.

“Në një moment u fol shumë se ata u mbështetën nga SDA [Partia e Veprimit Demokratik], partia më e madhe boshnjake. Nuk e di se çfarë po ndodh. Unë njoh disa nga gazetarët që punojnë atje, janë gazetarë të mirë, profesionistë. Prandaj, është një media që ka një të kaluar të madhe, por çfarë është sot, t’iu them të drejtën, nuk e di”, ka thënë mes tjerash Kontiq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG