🔊 Dëgjo këtë raport.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dha dorëheqje nga posti, mes valës së protestave për tragjedinë në Novi Sad.
Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarët në Beograd, ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranauar vendimin e tij.
"Unë besoj se politika që unë përfaqësoj, partia që unë drejtoj, duhet të demonstrojë nivelin më të lartë të përgjegjësisë dhe të futë norma të reja në politikën serbe, duke dëshmuar se është e përgjegjshme", tha Vuçeviq, njëherësh kryetar i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.
Për më shumë se dy muaj në Serbi, mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor.
Edhe pas vendimit të Vuçeviqit për dorëheqje, përfaqësuesit e studentëve në Serbi thanë se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar dhe paralajmëruan protesta të reja.
Kërkesat e studentëve
Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.
Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.
Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Vuçeviq tha se do ta kryejë punën e tij si kryeministër, derisa të zgjidhet Qeveria e re.
"Kjo qeveri tani është në mandat teknik, në dorëheqje", tha ai dhe paralajmëroi, gjithashtu, dorëheqjen e kryetarit të Novi Sadit, Millan Gjuriq.
Gjuriq dha dorëheqje vetëm pak orë më pas.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha një ditë më herët se të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar.
Gjatë atij fjalimi, ai kërkoi edhe ristrukturimin e Qeverisë së Serbisë, në krye të së cilës Vuçeviq ishte nga maji i vitit 2024.
Përndryshe, më 30 dhjetor, Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Novi Sad ngriti aktakuzë kundër 13 personave, në lidhje me shembjen e srehës së stacionit.
Në mesin e të pandehurve janë: ish-ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës i Serbisë, Goran Vesiq, dhe ndihmësja e tij, Anita Dimoski, si dhe ish-drejtoresha e Ndërmarrjes Publike "Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë", Jellena Tanaskoviq.
Dhjetë të pandehur janë në paraburgim, Vesiq është në arrati, ndërsa Tanaskoviq dhe Dimoski janë në arrest shtëpiak.
Prokuroria konfiskoi edhe dokumente nga institucione dhe kompani të shumta, si dhe urdhëroi një ekspertizë për të përcaktuar shkakun e shembjes së strehës së stacionit dhe përgjegjësit.
Çka tha tjetër Vuçeviq?
Pasi që i renditi ato që i cilësoi si suksese të Qeverisë së tij, Vuçeviq tha se ajo që hodhi hije të madhe mbi mandatin e tij, ishte ngjarja në Novi Sad.
"Që nga ai moment, Serbia sikur ka mbetur e ngujuar në atë fatkeqësi", tha ai.
"Kryetari i Novi Sadit dhe unë e konsiderojmë veten objektivisht përgjegjës për atë që ka ndodhur në Novi Sad dhe, për këtë arsye, e paguajmë me dëshirë çmimin politik", tha kryeministri i dorëhequr serb.
Me këtë veprim, sipas tij, plotësohen edhe kërkesat politike të një pjese të demonstruesve më ekstremë.
"Le të çojë kjo në qetësimin e situatës dhe në kthimin e dialogut politik e shoqëror", shtoi Vuçeviq.
Atmosfera që është krijuar pas kësaj tragjedie, siç tha, "nuk i përshtatet askujt".
Ai, po ashtu, tha se në protesta ka ndërhyrje nga jashtë, por nuk specifikoi se për çka ose kë konkretisht e ka fjalën.
"Në këta tre muaj, kemi dëgjuar akuza të ndryshme ndaj organeve shtetërore, thirrje për rrëzimin e shtetit, kemi dëgjuar shumë deklarata të papërgjegjshme, jo vetëm nga opozita, por edhe nga ne në pushtet", tha Vuçeviq.
Çka tash?
Neni 132 i Kushtetutës së Serbisë thotë se kryeministri e paraqet dorëheqjen te kryetari i Kuvendit dhe e njofton njëkohësisht presidentin e Republikës dhe publikun për vendimin e tij.
Kuvendi, në seancën e parë të radhës, konstaton dorëheqjen e kryeministrit.
Mandati i Qeverisë përfundon në ditën e konfirmimit të dorëheqjes së kryeministrit.
Pasi që Kuvendi ta konfirmojë dorëheqjen e kryeministrit, presidenti i Republikës është i detyruar të fillojë procedurën për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Qeverinë e re brenda 30 ditëve nga data e dorëheqjes së kryeministrit, presidenti i Republikës është i detyruar të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhjet e reja.