Qeveria e Sllovakisë ka miratuar planet për të blerë gjashtë sisteme mobile të mbrojtjes ajrore nga Izraeli në vlerë prej 554.3 milionë eurosh, teksa ky shtet anëtar i NATO-s po forcon mbrojtjen e hapësirës së tij ajrore.
Qeveria po ashtu ka miratuar blerjen e më shumë se 1.300 automjete të terreneve të vështira 6x6 dhe 8x8, përmes një prokurimi të përbashkët me Republikën Çeke, në një vlerë prej 708.3 milionë eurosh. Këto automjete do të zëvendësojnë automjetet e vjetra ekzistuese.
Sllovakia, që gjendet në kufi me Ukrainën e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022, po synon që të forcojë kapacitetet e saj të mbrojtjes ajrore.
Sllovakia ka qenë pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të forcuar krahun lindor të aleancës ushtarake. Ministri i Mbrojtjes, Robert Kalinak, tha se prioritetet duhet të përqendrohen në aftësitë mbrojtëse, veçmas të mbrojtjes ajrore.
Muajin e kaluar, Sllovakia pranoi dërgesën e parë të dy nga 14 avionët luftarakë të llojit F-16.
Në njoftimin e Qeverisë sllovake nuk u emërua sistemi i mbrojtjes ajrore që do të blihet nga Izraeli, përmes një marrëveshjeje midis dy qeverive.