Autoritetet në Serbi nuk kanë ofruar informacione lidhur me tre zyrtarët e Policisë së Kosovës, për të cilët autoritetet e Kosovës besojnë se janë rrëmbyer nga Serbia, ndërsa Beogradi pretendon se ata janë arrestuar në territorin serb.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) për vendndodhjen e policëve të arrestuar, nëse ata janë intervistuar nga prokurori dhe për çfarë vepre penale akuzohen.
REL-i i ka kontaktuar edhe prokuroritë në Rashkë, Kralevë dhe Beograd, lidhur me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje.
Autoritetet në Serbi kanë bërë të ditur të mërkurën se tre zyrtarë policorë të Kosovës janë arrestuar në zonën afër Rashkës, më shumë se një kilometër në thellësi të territorit të Serbisë.
Rashka ndodhet në jugperëndim të Serbisë, afër pikëkalimit me Kosovën.
Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë më 15 qershor se, Jetish Jashari, shef i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka kërkuar nga gjykata që t’i vizitojë të arrestuarit, mirëpo ajo nuk është trajtuar, sepse ende nuk janë bërë 48 orë të qëndrimit të policëve nën arrest.
“Deri në 48 orë, rasti ndodhet përbrenda kompetencave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa vetëm më pas del te gjyqësori dhe Ministria e Drejtësisë”.
Çfarë thotë ligji?
Sipas Ligjit të Procedurës Penale, prokurori mund të ndalojë personat e arrestuar për maksimum 48 orë për t'u marrë në pyetje.
Më pas të arrestuarve u dorëzohet aktvendimi në të cilin duhet të saktësohet vepra për të cilën akuzohen.
Ata mund të kenë avokatë dhe përkthyes.
Për momentin nuk dihet se kush i përfaqëson të arrestuarit.
Policia e Kosovës ka thënë se ata janë rrëmbyer gjatë një patrullimi në zonën Tresave – Bare, në komunën e Leposaviqit, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
REL-i ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Policinë e Kosovës.
Për momentin, as këto institucione nuk kanë dhënë ndonjë informacion.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 15 qershor se autoritetet serbe u qasen në mënyrë të duhur policëve të Kosovës dhe nuk i keqtrajtojnë.
Në një konferencë për shtyp, pas takimit me presideten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, Vuçiq ka thënë se të arrestuarit kanë deklaruar se “GPS-ja e tyre nuk ka funksionuar dhe kanë qenë në kërkim të kërpudhave”.
Sipas tij, njëri ka deklaruar se nuk e ka ditur ku është saktësisht kufiri.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar edhe faktorit ndërkombëtar që të dënojë veprimet e Serbisë, dhe ka thënë se është “i habitur nga heshtja e tyre”.