Ndërlidhjet

Si po u shmanget Serbia masave ndëshkuese të BE-së për Banjskën?


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke u larguar pas një konference për media në Beograd, më 2023. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke u larguar pas një konference për media në Beograd, më 2023. Fotografi nga arkivi.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Këtë javë, Policia ka gjetur sërish armatim afër Manastirit në Banjskë, në veri të Kosovës. Tani, pasi kanë kaluar disa muaj prej sulmit të armatosur atje, disa pyesin pse ende Bashkimi Evropian nuk i ka vënë sanksione Serbisë, të cilat Kosova i kërkon vazhdimisht. Disa besojnë se qasja e BE-së ndaj Serbisë është “e butë”.

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për një prej temave më të përfolura të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

Bashkimi Evropian nuk ka gatishmëri për t’i vënë masa ndëshkuese Serbisë, pas sulmit të armatosur që ndodhi në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, dhe standardet e dyfishta të bllokut evropian nuk përbëjnë asgjë të re – kështu i kanë thënë Radios Evropa e Lirë burime diplomatike në Bruksel dhe ekspertë të huaj.

Sipas tyre, thirrjet në aspekte procedurale, dhe në mungesën e një raporti përfundimtar nga autoritetet e Kosovës, janë vetëm arsyetime për zvarritjen e rastit.

“Perëndimi nuk ka apetit për të marrë ndonjë masë kundër [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, dhe ndaj kujtdo që ka qenë i përfshirë... Perëndimi ka nevojë për Serbinë dhe nuk dëshiron ta dëmtojë këtë marrëdhënie delikate”, vlerëson analisti Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Kosova, në anën tjetër, ngulmon në vendosjen e masave ndaj Serbisë, pasi deklaron se ndaj saj është kryer sulm terrorist.

Zona rreth Manastirit në Banjskë, ku janë stacionuar pjesëtarët e grupit të armatosur serb, më 24 shtator. (Burimi: Qeveria e Kosovës)
Zona rreth Manastirit në Banjskë, ku janë stacionuar pjesëtarët e grupit të armatosur serb, më 24 shtator. (Burimi: Qeveria e Kosovës)

Çfarë ndodhi në Banjskë?

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serbësh vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në Banjskë të komunës së Zveçanit.

Si pasojë e përleshjeve të mëtejme u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e mban përgjegjës shtetin e Serbisë për këtë sulm, ndërsa Beogradi zyrtar e kundërshton këtë qëndrim.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiq, më vonë e mori përgjegjësinë për sulmin.

Autoritetet e Serbisë kanë nisur një proces gjyqësor kundër tij, por e kanë liruar nga masa e paraburgimit, me kushtin që të mos shkojë më në Kosovë.

Organizata Ndërkombëtare e Policisë, e njohur më shumë si INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim kundër tij.

Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë, por masat ndëshkuese të kërkuara aq shumë prej autoriteteve të Kosovës nuk janë vënë kurrë.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. (Fotografia është marrë prej një videoje)
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. (Fotografia është marrë prej një videoje)

Në pritje të raportit të Kosovës...

Bashkimi Evropian e ka pranuar vitin e kaluar një raport prej 48 faqesh nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës për sulmin në Banjskë.

Megjithatë, burimet e Brukselit kanë thënë se ai nuk është i mjaftueshëm, duke vlerësuar se në të ka tone politike, dhe se nga Kosova nevojitet një raport i hartuar prej sistemit të drejtësisë.

Autoritetet e Kosovës e kanë kritikuar disa herë Prokurorinë e Shtetit që ende nuk ka dalë me një raport për ngjarjet në Banjskë dhe nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në anën tjetër, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të mos ndërhyjë në punët e sistemit të drejtësisë, duke pretenduar se deklaratat e pushtetit janë tendencioze.

Zonën, ku ka ndodhur sulmi në Banjskë, e kanë vëzhguar forca të shtuara të Policisë së Kosovës, edhe disa javë pas incidentit. (Foto: Reuters)
Zonën, ku ka ndodhur sulmi në Banjskë, e kanë vëzhguar forca të shtuara të Policisë së Kosovës, edhe disa javë pas incidentit. (Foto: Reuters)

Pse nuk i kryen BE-ja hetimet e veta?

Brukseli pohon se nuk ka mandat për një gjë të tillë. Nga BE-ja kanë thënë që sulmi ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe se autoritetet atje janë kompetente.

Kur kanë folur publikisht, zyrtarët e BE-së e kanë cilësuar sulmin në Banjskë si terrorist.

Por, në Raportin e Progresit të BE-së për vitin 2023, në pjesën për Serbinë, sulmi në Banjskë përshkruhet se është kryer vetëm prej “individëve të armatosur rëndë”.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk ka kthyer përgjigje për pyetjen e Radios Evropa e Lirë se pse blloku evropian ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë rast.

Në të kaluarën, ai e ka përsëritur disa herë që janë në pritje të raportit përfundimtar nga Kosova.

Parlamenti Evropian ka kërkuar ndëshkimin e Serbisë, mirëpo diçka e tillë është në dorën e Këshillit dhe të Komisionit Evropian.

Alejandro Esteso Perez, analist dhe studiues i politikave të Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se BE-ja nuk dëshiron ta vendosë Serbinë përpara pasqyrës.

“Nuk dëshiron të rrezikojë një reagim potencial të Vuçiqit, qoftë duke u afruar me Rusinë apo Kinën - që ai veçse po e bën - dhe e kupton që pa Serbinë nuk mund të ketë dialog Kosovë-Serbi”.

Ndërkaq, analisti Vogel thotë se ka dëgjuar prej ligjvënësve në BE që Serbia kritikohet nëpër biseda private. Por, sipas tij, “nëse diçka nuk thuhet publikisht, është sikur të mos ishte thënë fare”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin (majtas) me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi në Beograd, më 2019. Të dy liderët vazhdojnë të kultivojnë lidhje të forta me njëri-tjetrin. (Foto: AFP)
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin (majtas) me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi në Beograd, më 2019. Të dy liderët vazhdojnë të kultivojnë lidhje të forta me njëri-tjetrin. (Foto: AFP)

Çfarë masash do të duhej të merreshin ndaj Serbisë?

Vogel përmend dy masa, që për të janë minimumi:

  • Masa të ngjashme me ato që i janë vënë Kosovës, pas rritjes së tensioneve në veri, në majin e vitit 2023
  • Një deklaratë të qartë prej udhëheqësve perëndimorë që incidenti do të hetohet në hollësi dhe që Vuçiq duhet të heqë dorë publikisht prej çfarëdo aktiviteti ushtarak afër Kosovës.

Analisti Perez, ndërkaq, konsideron se duhen të tjera masa:

  • Nisja e menjëhershme e një hetimi të pavarur
  • Masa ekonomike
  • Masa që shënjojnë individët – ngrirje pasurish, ndalesa në udhëtime.

Burimet në Bruksel vlerësojnë se BE-ja e përdor mosvendosjen e masave ndaj Serbisë “për t’i bërë presion” Beogradit për procese që dëshiron t’i çojë përpara.

Megjithatë, Serbia vazhdon të mos e koordinojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së. Mossanksionimi i Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë është vetëm njëri prej shembujve.

A do të ketë ndikim në Kosovë kjo qasje e BE-së?

Perez beson që po.

“Jam i befasuar prej përpjekjeve aq të vogla të BE-së për të kuptuar situatën e Kosovës. Nëse nuk ka lëvizje edhe në muajt e ardhshëm, besimi i popullatës në të do të zvogëlohet dhe ata do të jenë edhe më të pashpresë sesa tani”, thotë ai.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2022, dhe aktualisht ka të nënshkruar vetëm Marrëveshje për Stabilizim-Asociim me bllokun evropian.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG