Ndërlidhjet

Si u përpoqën oficerët e FSB-së të nxisin përçarje në SHBA


Aleksandr Ionov.
Aleksandr Ionov.

Më 12 mars 2018, pak para orës 18:00 në Moskë, Aleksandr Ionov, një udhëtar i shquar rus, i dërgoi një varg mesazhesh në një numër lokalë telefonik në lidhje me një përpjekje të paarritshme për ta bërë shtetin e Kalifornisë të shkëputet nga Shtetet e Bashkuara.

Dy vjet më pas, Ionov, i cili udhëhiqte një organizatë joqeveritare të quajtur Lëvizja Kundër Globalizimit, i kishte ndihmuar aktivistët e pakët pro shkëputjes së Kalifornisë ta themelonin një zyre në kryeqytetin rus, dhe i kishte mirëpritur ata dhe aktivistë të tjerë nga e gjithë bota në një konferencë në Moskë me titullin: Dialogu i Kombeve.

Dy mesazhet e para që Ionov i dërgoi ishin linqe të artikujve të lajmeve amerikane për shkëputjen e Kalifornisë.

“Donit trazira. Ja ku i keni”, shkroi Ionov.

Sipas zyrtarëve amerikanë, mesazhi iu dërgua Yegor Popovit, oficerit të agjencisë kryesore ruse të inteligjencës, Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).

Eprori i Popovit ishte Aleksei Sukhodolov, shef i një njësiti në një divizion të quajtur Shërbimi për Mbrojtjen e Sistemit Kushtetues dhe Luftën kundër Terrorizmit, i njohur joformalisht si Drejtoria e Dytë.

Mesazhet janë të përfshira në dhjetëra faqe të regjistrave të bisedave të marra nga autoritetet amerikane, të cilat u publikuan në procedurat gjyqësore të SHBA-së. Ato zbuluan bisedimet dhe bashkërendimet e brendshme të oficerëve të FSB-së me aktivistët amerikanë, disa prej të cilëve dolën para gjyqit në gjykatën federale të SHBA-së në Florida këtë javë.

Derisa një pjesë e vogël e citimeve nga bisedat ishin përfshirë më parë në aktakuzat e SHBA-së, transkriptet e detajuara nuk qe publikuar më parë.

Përveç hollësive të punës së oficerëve të FSB-së mbi politikën e SHBA-së, mesazhet zbulojnë gjithashtu diskutimet e tyre për kritikët e qeverisë, burokracinë e FSB-së, mediat e pavarura që Kremlini e sheh si armiqësore ndaj interesave të tij dhe pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia.

Ionov, Popov dhe Sukhodolov - së bashku me dy oficerë të tjerë të FSB-së, Yevgeny Vistorpovsky dhe Aleksei Mityagin - dyshohet se u angazhuan në një përpjekje shumëvjeçare për të punuar me disa grupe aktivistësh amerikanë "të cilët i dhanë FSB-së të dhëna...për të nxitur përçarje në SHBA.”

Ionov dhe oficerët e FSB-së janë identifikuar të gjithë publikisht. Departamenti i Drejtësisë ngriti aktakuzë vitin e kaluar kundër Popovit, Sukhodolovit dhe Ionovit. Ka shumë pak gjasa që ndonjëri prej tyre të gjykohet ndonjëherë në një gjykatë në SHBA.

Më 29 korrik 2022, ditën kur prokurorët amerikanë njoftuan aktakuzën e parë, Ionov ia dërgoi Popovit një mesazh tërthor që përkthehet përafërsisht si "punë dreqi".

"Shkatërroni telefonat", shkroi ai.

Përpjekjet e orkestruara nga Ionov dhe pjesëtarët e tjerë të FSB-së ishin përshkruar përgjithësisht fillimisht në një aktakuzë 24 faqesh të ngritur në korrik 2022. Aktakuza e dytë u ngrit 10 muaj më vonë.

Transkriptet e detajuara të bisedave u futën në procesverbal në çështjen federale të Floridës më 21 gusht 2024, pak para fillimit të gjyqit kundër aktivistëve amerikanë të akuzuar për koordinim me oficerët e FSB-së.

Transkriptet u përfshinë në një dosje nga një avokat mbrojtës i një prej aktivistëve - Penny Hess - i cili argumentoi se ato nuk duhet të lejohen të paraqiten gjatë gjyqit, duke i quajtur ato prova "thashetheme".

Prokurorët amerikanë argumentuan të kundërtën, duke thënë se “puna e Ionovit me këto grupe amerikane është bërë në emër të FSB-së, krahut të qeverisë ruse, që është një element thelbësor në aktakuzë”.

Mesazhet "ishin pjesë integrale e këtij komploti, sepse i dhanë FSB-së informacionin e nevojshëm për t’i ‘përdorur’ të pandehurit, me fjalët e tyre, ‘të nxisnin përçarje brenda SHBA-së’", thanë prokurorët.

Zyra e prokurorit të SHBA në Tampa, Florida, ku po mbahet gjyqi, konfirmoi se dosjet e bisedave janë dorëzuar nga Departamenti i Drejtësisë si pjesë e procesit të zbulimit, pasi është kërkesë që çdo provë të paraqitet si pjesë e një gjyqi penal duhet të ndahet me avokatin kundërshtar para gjyqit.

Një zëdhënëse e zyrës së prokurorit të SHBA-së nuk pranoi të tregonte se si u siguruan bisedat; nëse agjencitë e inteligjencës amerikane kishin hakuar telefonat e oficerëve të FSB-së, për shembull.

Sidoqoftë, listat e ekspozitave të planifikuara për t'u përdorur gjatë gjykimit tregojnë se autoritetet amerikane morën pjesën më të madhe të komunikimeve përmes një kopjeje rezervë në iCloud, shërbimin e kompjuterit cloud të Apple.

Kjo do të thotë se Ionovi dhe Popovi sipas të gjitha gjasave kanë përdorur iPhone, të cilët kanë ruajtur disa nga bisedat e tyre, duke përfshirë mesazhet e tyre në aplikacionin ËhatsApp, në serverët e Apple - duke u dhënë prokurorëve amerikanë mundësinë për t’i marrë bisedat përmes një urdhri për kërkim, të autorizuar nga gjykata.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Ionovi dhe të tjerët të identifikuar në regjistra, duke thirrur të gjithë numrat e telefonit të shënuar në procesverbalet e gjykatës.

Numrat e Ionovit dhe Sukhodolovit ishin të paqasshëm.

Një burrë iu përgjigj telefonit të identifikuar si numri i Vistoropsky dhe u duke se u përgjigj pozitivisht kur iu drejtuam me emër, por më pas nuk pranoi t'u përgjigjej pyetjeve dhe e mbylli telefonin menjëherë pas kësaj.

Një burrë që iu përgjigj telefonit të identifikuar si numri i Mityagin e pyeti një gazetar, i cili e identifikoi veten, nëse ishte një telefonatë tallëse, dhe më pas e mbylli telefonin.

“Pse u dërguan ata drejt masakrimit?”

Puna e Ionovit për të gjetur aktivistë në Kaliforni që avokojnë për shkëputjen e këtij shteti, është e dëshmuar shumë mirë.

Rreth një muaj përpara se Ionov të përgëzohej për përpjekjet e tij me aktivistët e Kalifornisë, Popov i shkroi atij që të kërkonte fotografi të një marshimi që ishte planifikuar në ndërtesën e shtetit të Kalifornisë në Sakramento.

Popov ishte i zhgënjyer me atë se sa pak u mbulua ajo ngjarje nga mediat amerikane.

"Ky është i vetmi artikull që kam parë," shkroi Popov.

Dy javë më vonë, në fillim të marsit, Popov e ftoi Ionovin të takoheshin në një kafene në Moskë, jo larg zyrave të Drejtorisë së Dytë.

Popov e njoftoi gjithashtu Ionovin se eprori i tij, Sukhodolov, donte të takohej – duke e nxitur Ionovin të ankohej.

"Jam i zemëruar me AB për disa arsye," shkroi ai, duke përdorur inicialet e emrave të parë dhe të mesëm të Sukhodolovit. "Ai po shkakton telashe. Nuk më pëlqen vërtet. Durimi im mund të soset dhe ta filloj një përleshje".

"Ata na i përgjysmuan paratë, ky është një fakt", tha Popov në përpjekje për ta qetësuar Ionovin.

“Agjenda të ndryshme, njerëz të ndryshëm, plus shumë gjëra të tjera. Nuk ka nevojë, ai është një njeri i mirë, ai thjesht nuk mund të na i thotë të gjitha. Ai është i kufizuar nga eprorët e tij”, tha Popov.

Por, aktivistë të ndryshëm amerikanë janë duke u gjykuar aktualisht në gjykatën federale të Floridës: Katër burra dhe gra që janë anëtarë aktualë ose ish-anëtarë të një organizate politike relativisht sekrete, e quajtur Partia Socialiste e Popullit Afrikan. Disa janë gjithashtu anëtarë të një grupi të lidhur të quajtur Lëvizja Uhuru.

Prokurorët i akuzojnë ata se kanë punuar me vetëdije me Ionovin dhe, për më tepër, me oficerët e FSB-së. Ionov e pagoi së paku njërin prej tyre për të udhëtuar në Moskë më 2015 për të marrë pjesë në një konferencë. Të gjitha këta aktivistë i kanë mohuar akuzat.

Ionov gjithashtu dyshohet se e këshilloi grupin t’i shkruanin pankartat e protestës. Sipas aktakuzës, ai i ka paguar 3.000 dollarë disa aktivistëve për të udhëtuar në San Françisko për të protestuar pranë selisë së Metës, pronares së Facebook, pasi ajo kufizoi postimet proruse në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Moska më 24 shkurt 2022.

Regjistrat e bisedave tregojnë se Ionovi dërgonte mesazhe shpesh me Popovin, dhe më rrallë me Sukhodolovin, duke dërguar fotografi, linqe të lajmeve dhe madje linqe të albumeve fotografish online.

Një ditë pasi nisi pushtimi, Ionov komentoi raportimet për mosmarrëveshjet e brendshme mes klasës sunduese të Rusisë për luftën, duke përfshirë një postim në Instagram të vajzës së zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, ku shkruhej "Thuaj jo luftës!"

“Peskovit i ka ikur mendja”, i shkroi ai Sukhodolovit, duke shtuar në një mesazh pasues: “Të gjithëve u ka ikur mendja plotësisht”.

Ata biseduan gjithashtu për një betejë në ditët e para të pushtimit, kur parashutistë të ushtrisë ruse u përpoqën të zbarkonin në një aeroport në veri të Kievit. E parandaluan sulmin e tyre duke iu shkaktuar shumë humbje parashutistëve rusë.

"Pse i çuan ata drejt masakrës?" Sukhodolov e pyeti Popovin. “Ku ishin përforcimet? A ishte gabim taktik?”

"Duhet ta telefononi [Ministrinë e Mbrojtjes] për ta zbuluar," u përgjigj Popov.

Në fund të prillit 2019, një grua ruse e quajtur Maria Butina u dënua me 19 muaj burgim në SHBA, pasi nuk ishte regjistruar si agjente e huaj në Departamentin e Drejtësisë. Butina kishte kaluar disa vite në Shtetet e Bashkuara duke u miqësuar dhe duke u përpjekur t’i kënaqë figurat politike, kryesisht ato republikane.

Rreth një javë pasi u dënua ajo, Ionov, i cili kishte mbledhur para për mbrojtjen ligjore të Butinës, dhe Popov diskutuan për dënimin dhe për një ngjarje për shtyp që Ionov organizoi në Moskë për të bërë thirrje për lirimin e Butinës.

“Material fantastik për Butinën! Ti je kurvar”, i shkroi Popovi Ionovit.

Maria Butina, u lirua nga burgu në Florida dhe u dëbua nga SHBA-ja.
Maria Butina, u lirua nga burgu në Florida dhe u dëbua nga SHBA-ja.

Toni i atij mesazhi dallonte shumë nga një mesazh i Popovit gjashtë javë më parë, pas një raporti për lidhjet financiare të Ionovit me Butinën, të botuara nga The Atlantic, një revistë amerikane. Ionovi i dërgoi një link menaxherit të tij në FSB.

“Nuk do ta raportoj këtë! Ti quhesh patroni i Butinës, i cili pranoi se kishte ndërhyrë në zgjedhjet e 2016-ës”, i shkroi Popovi Ionovit. “Ata përmendin gjithashtu konferencat separatiste [një referencë për ngjarjet e Dialogut të Kombeve në Moskë]. Tani ata do të vendosin sanksione kundër jush.”

Tri vjet më vonë, Ionovi u godit nga sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit.

“Përçarja politike është dobësi”

Përgjatë dekadave, agjencitë sovjetike dhe ruse të inteligjencës janë përpjekur të përhapin dezinformata dhe të shkaktojnë përçarje, në mënyrë që t’i minojnë qeveritë e huaja, qoftë në Perëndim apo gjetkë.

Në vitet ’80, KGB-ja ndihmoi në përhapjen e dyshimeve se Shtetet e Bashkuara e kishin shpikur një virus që shkaktonte AIDS, në kuadër të një projekti hulumtues për armë biologjike.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 2016, llogari të lidhura me Qeverinë ruse në internet krijuan persona të shumtë të rrejshëm online, në përpjekje për të shkaktuar përçarje në rrjetet sociale.

“Kjo fushatë synonte t’i polarizonte amerikanët në baza të dallimeve shoqërore, ideologjike dhe racore, nxiti ngjarje botërore dhe ishte pjesë e mbështetjes së fshehtë nga një qeveri e huaj për kandidatin e parapëlqyer të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA”, gjeti një raport dypartiak i përpiluar nga Komiteti i Inteligjencës i Senatit Amerikan.

Më 4 shtator, një ditë pasi nisi gjyqi i Florida, autoritetet amerikane njoftuan një varg sanksionesh dhe masash kundër entiteteve ruse, duke i akuzuar se janë përpjekur të përzihen dhe ta përçajnë popullin amerikan në fushatën e tanishme zgjedhore.

Departamenti amerikan i Shtetit vendosi masa ndaj pesë mediumeve të udhëhequra nga shteti rus, përfshirë kundër RT-së, televizionit shtetëror rus, i njohur më parë si Rusia Sot. Departamenti ngriti aktakuzë kundër dy menaxherëve të RT-së.

“Rusia... bën çfarë të mundet për të vënë në pah përçarjet në shoqëritë e armiqve të saj, posaçërisht në Shtetet e Bashkuara, duke përdorur filozofinë se përçarja politike është dobësi”, tha Kevin Riehle, studiues në Universitetin Brunei në Londër dhe autor i një historie të re të FSB-së.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG