Ndërlidhjet

Shtyhet seanca fillestare për dy të dyshuarit për spiunazh


Me çfarë i ngarkon aktakuza dy të dyshuarit për spiunazh?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:46 0:00

Seanca fillestare për dy të dyshuarit për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, është shtyrë për 17 mars, pasi njëri nga të akuzuarit kërkoi më shumë kohë për ta kuptuar aktakuzën para se ta bëjë deklarimin rreth fajësisë.

Prokurori i Bekim Kodraliu e lexoi aktakuzën para dy të pandehurve gjatë paraqitjes së tyre në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën.

Por, avokat i Bedri Shabanit, Besnik Berisha, tha se klienti i tij ka nevojë për disa ditë kohë për ta kuptuar akuzën, para se ta bëjë deklarimin e tij rreth fajësisë.

Pas kërkesës së tij, gjykatësi Rrahman Beqiri tha se ka caktuar seancë të re fillestare për 17 mars.

Ndërkohë, Qerimi tha se e ka kuptuar aktakuzën dhe nuk ka asgjë të paqartë.

Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë Shabanit dhe Qerimit, nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale të spiunazhit.

Ata u arrestuan në qershor të vitit të kaluar në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Bedri Shabani e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, para fillimit të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe deri në arrestimin e tij në vitin 2024.

Shabani akuzohet se ka mbledhur informata, dokumente dhe materiale që ndërlidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë eprorët e saj, si dhe për ngjarje dhe objekte specifike, si Spitali Ushtarak i UÇK-së - dhe ia ka dërguar ato BIA-s përmes komunikimeve telefonie, postës elektronike dhe takimeve fizike në territorin e Serbisë.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime, Shabani e ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.

Ndërkohë, Muharrem Qerimi akuzohet se e ka ndihmuar BIA-n nga viti 2012 deri në vitin 2024, duke i dërguar asaj informata, dokumente dhe materiale të ndryshme në lidhje me luftën dhe pjesëtarët e UÇK-së, emrat e eprorëve të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Qerimi është përmendur edhe për dyshimet për kryerje të veprës penale “mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Policia e Kosovës kishte konfiskuar armë, municione dhe maska ushtarake gazi në dy lokacionet e Shabanit dhe Qerimit në Ferizaj vitin e kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG