Ndërlidhjet

Shtetësia shqiptare, ekuacion i thjeshtuar apo opsion nacionalist?


Tiranë
Tiranë
Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për përgatitjen e një projektligji për pajisjen me shtetësinë shqiptare të të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen, ka nxitur reagime mbi motivet e këtij propozimi.

Kryeministri tha se ky propozim nuk ka asnjë qëllim elektoral, pasi synohet që efektin e tij ta shtrijë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

Por, pavarësisht këtij deklarimi, analisti Artur Zheji thotë se do të ishte naive të mendohej se propozimi nuk ka qëllim elektoral. Ai thotë se është një fakt i provuar se partitë me prirje nacionaliste po tërheqin vota popullore.

“Sot sensibiliteti i shqiptarëve në lidhje me ndjesinë nacionale, me identitetin kombëtar, me identitetin e territoreve dhe të kombit të tyre historik, është rritur shumë. Është e detyrueshme për klasën politike që t’i përgjigjet këtij sensibiliteti. Sali Berisha nuk mund ta lërë jashtë reflektorëve të vet perceptivë dhe reflektivë për këtë lloj ndjeshmërie të shqiptarëve”, thotë Zheji.

Analizën e tij Zheji e shtrin edhe në një tjetër rrafsh. Ai thotë se propozimi vjen në një kohë kur dhe kushtet gjeopolitike në rajon janë pjekur për t’u dhënë zë qëndrimeve, dhe pse jo lëvizjeve me teza nacionaliste.

Sipas analistit Zheji, këtë prirje në heshtje e mbështet dhe faktori ndërkombëtar që kërkon të thjeshtojë ekuacionet e bashkëjetesës në Ballkan.

“Ballkani mbetet ende një rajon i madh i Evropës Juglindore me shumë probleme të pazgjidhura thelbësisht. Rasti i Bosnje e Hercegovinës, i cili involvon Serbinë, popullsinë myslimane dhe kroatët, kemi rastin e Maqedonisë multi-etnike, kemi rastin e dy shteteve shqiptare. Pra, ekuacionet, me gjithë luftërat që janë bërë këto dhjetë vjetët e fundit, në vend që të thjeshtohen, janë ndërlikuar”.

Tiranë
Tiranë
“Unë mendoj që teza kryesore gjeopolitike e komunitetit ndërkombëtar është thjeshtimi i ekuacioneve. Cila është kjo? Vendet të grupohen, kombet të grupohen sipas etnisë. Pra, shqiptarët në rajon duhet të rrinë bashkë, kroatët të rrinë bashkë, kjo e thjeshton ekuacionin, serbët të rrinë bashkë dhe në një lloj kuptimi të shkohet drejt shteteve etnike. Kjo ka qenë konsideruar e gabuar para 10 apo 15 vitesh. Të gjitha tentativat për multi-etnicitet kanë dështuar, janë shumë të kushtueshme, realiteti politik nuk i pranon më”.

“Mendoj që Sali Berisha në këtë koncept ka thithur me radarët e tij dhe këtë dëshirë të komunitetit ndërkombëtar për të thjeshtuar ekuacionet politike në Ballkan. Pra, është në një hap me një dëshirë, me një projekt më të madh që ndoshta mund të artikulohet ndërkombëtarisht pas disa vjetësh”,
vlerëson Zheji.

Por ndryshe shprehet analisti, Aleksandër Çipa, sipas të cilit Bashkimi Evropian, të paktën, nuk i mbështet opsionet nacionaliste për Ballkanin.

“Nismat që kanë në thelbin e vet një semantikë nacionaliste në ditët e sotme, shkaktojnë një problem, sidomos shqiptarëve u shkaktojnë probleme me realitetin evropian, me pjesën tjetër dhe me rrjedhën e dëshirueshme. Është gati aksiomatik pohimi politik i Brukselit që integrimet kombëtare janë gjithmonë në kuadër të integrimeve evropiane”, vlerëson Çipa.

Edhe Çipa sheh interes elektoral në këtë propozim të kryeministrit, por parë në një tjetër optikë. Sipas tij, edhe pse ligji synon periudhën pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, do të frymëzojë, siç thotë Çipa, abuzim me kriteret që përcaktohen aktualisht për dhënien e shtetësisë shqiptare.

“Hapi konkret, sipërmarrja e një akti administrativ siç është ai i lëshimit të pasaportave për shqiptarët që nuk janë shtetas të Shqipërisë, të lë të dyshosh. Kjo, sepse bie ndesh me disa të drejta që në veçanti lidhen me të drejtën e votës dhe të përfaqësimit”.

“Parë në kontekstin e demokracisë institucionale dhe të demokracisë së përfaqësimit, kjo shkakton një problem. Në mënyrën sesi votohet në Shqipëri dhe sidomos me atë që quhet trafiku i votave në Shqipëri, kjo lë shkas për ndërhyrje apo për përfaqësime pa të drejtën elektorale në Shqipëri”.

“Ka pasur zëra, madje, nga selia jonë diplomatike në Prishtinë se ka filluar procedimi për dhënien e pasaportave për rreth 300 kërkesa të paraqitura”,
shprehet Çipa.

Nuk dihet ende se kur do të nisë puna për hartimin e këtij projektligji. Gjatë deklaratës së tij, kryeministri dha pak sqarime, por theksoi se në rastin e Kosovës do të duhet të përcaktohen standarde të tjera, në bashkëpunim me autoritetet kosovare.

Por, që ky ligj të miratohet në Kuvend, kërkon një shumicë të cilësuar prej 3/5 të deputetëve, çfarë imponon bashkëpunimin me opozitën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG