Ndërlidhjet

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, ëndërr apo realitet?


Pamje nga Prishtina për 28 nëntor
Pamje nga Prishtina për 28 nëntor
Mesazhet inkurajuese për idetë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet, nuk janë vetëm pjesë e euforisë për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, por edhe ide realiste, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike në Kosovë.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, atij të Shqipërisë Sali Berisha, si dhe përfaqësuesve nga jeta politike e akademike shqiptare, analistët e rrethanave e zhvillimeve politike vlerësojnë se ideja e bashkimit të shqiptarëve është me shekuj e vjetër, por që ka devijuar varësisht rrethanave dhe etapave të zhvillimeve historiko-politike.

Profesori Ismajl Hasani thotë se paraqitjet e kryeministrave Thaçi e Berisha, qofshin edhe me eufori, janë legjitime pasi që ata kanë folur për një projekt real që përbën një ëndërr shekullore të shqiptarëve.

Projekti për bashkimin kombëtar është projekt real. Është një ëndërr e shqiptarëve dhe reflektimi për bashkimin kombëtar i kryeministrave është vetëm shpërfaqje e ëndrrës legjitime të popullit shqiptar, përkatësisht gjithë atyre që projektin e bashkimit kombëtar e kanë ëndërr dhe synojnë ta bëjnë realitet në të ardhmen”, thotë Hasani.

Ndërkohë, drejtori i KIPRED-it, Ilir Deda thotë se ëndrra e bashkimit në një shtet ishte vullnet i shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Pas kësaj kohe, në Kosovë, sidomos, populli ishte bindur se zgjidhja më e mirë ishte pavarësia e Kosovës, thotë Deda, duke rikujtuar se kjo pavarësi nuk do të jetë e mjaftueshme nëse Kosovë nuk ia del që të legjitimojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe si alternativë sërish do të kthehej çështja e bashkimit me Shqipërinë.

Bashkimi real i shteteve shqiptare mund të ndodhë në dekadën e ardhshme vetëm nëse Kosova nuk arrin të bëhet pjesë e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare. Në qoftë se shteti i Kosovës nuk bëhet shtet me legjitimitet të plotë ndërkombëtar, atëherë në dekadën e ardhshme me siguri se do të vijë deri te një masivizim dhe platformë e përgjithshme politike për bashkim”, thekson Deda.

Bashkimi, problematikë më e gjerë

Bashkimi i shqiptarëve në një shtet, paraqet një problematikë shumë më të gjerë, pasi që ata përveç Shqipërisë e Kosovës, jetojnë në katër shtete tjera të Ballkanit.

Por, ajo që fokusohen bashkëbiseduesit ka të bëjë me idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Kjo ide, sipas Ilir Dedës, do të vinte si rrjedhojë e dështimit të saj për t’u bërë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe mekanizmave e organizmave tjerë.

Dështimi i shtetësisë së Kosovës, në aspektin nëse ajo nuk bëhet pjesë e plotë e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare dhe për këtë nuk kemi shumë kohë, domethënë një deri në dy vite më së shumti, Kosova duhet ose të jetë pjesë e OKB-së ose të jetë afër anëtarësimit dhe me perspektivë të qartë të integrimit evropian”, vlerëson Deda.

Në anën tjetër, Ismajl Hasani thotë se krijimi i shtetit të Kosovës, nuk mund të shihet si pengesë për realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për të jetuar në një shtet.

Shteti i dytë, thënë kushtimisht shqiptar në Ballkan (Kosova) nuk pengon në asnjë mënyrë realizimin e ëndrrës për të jetuar në koordinata evropiane shteti i ardhshëm i bashkuar – shteti shqiptar. Që do të thotë se ëndrra për bashkimin kombëtar mbase duhet të bëhet realitet për faktin se shqiptarët tanimë kanë edhe lidhje jo vetëm gjeografike, por edhe lidhje shumë të forta shpirtërore”, thotë Hasani.

Deklaratat e liderëve në Kosovë e Shqipëri i komentojnë edhe qytetarët që kishin dalë të festojnë në qendër të Prishtinës.

Mentor Zymberaj, aktor, thotë se festimet anekënd viseve ku jetojnë shqiptarët po tregojnë një dëshirë dhe vullnet të tyre për të jetuar të bashkuar.

Mendoj që është një qasje, e cila nuk do të doja të jetë vetëm improvizuese sa i përket datës si datë, po të jetë një qasje më e madhe mbarëkombëtare e jona, që ky bashkim kombëtar të mos jetë thjeshtë vetëm në ata kufijtë formal që ne po i kërkojmë, por të jetë një frymë e përbashkët artistike, kulturore, po edhe politike e ekonomike”, thotë Zymberaj.

Po ashtu, edhe një qytetar tjetër nga Prishtina, me emrin Albert Dërmaku, thotë se atmosfera e krijuar këto ditë po dërgon mesazhe të qarta, që sipas tij tani duhet t’i qojnë në vend liderët politik.

Tash iu mbetet politikanëve ta realizojnë ëndrrën e popullit. E dihet ëndrra e të parëve, babagjyshave tanë është bashkimi kombëtar. Por, nuk i kemi njerëzit e duhur në vendin e duhur. Duhen ndryshime, sepse teoria pa praktikë nuk shkon”, thotë ky qytetar me emrin Albert Dërmaku.

Ndryshe, ishte vet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ai i cili në akademinë e organizuar për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë tha se shqiptarët më mirë do të jetonin në një shtet të vetëm në kuadër të Bashkimit Evropian. Deklarata të ngjashme ka dhënë edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG