Ndërlidhjet

Shtetasja amerikano-ruse deklarohet e fajshme për tradhti, sipas mediave ruse


Ksenia Karelina, me nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe ruse, merr pjesë në një seancë gjyqësore në Jekaterinburg, Rusi, 20 qershor 2024.
Ksenia Karelina, me nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe ruse, merr pjesë në një seancë gjyqësore në Jekaterinburg, Rusi, 20 qershor 2024.

Ksenia Karelina, me nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe ruse, e cila është duke u mbajtur në paraburgim në Rusi prej janarit, është deklaruar e fajshme për një akuzë për tradhti, sipas mediave shtetërore ruse.

Karelina, 33-vjeçare, nuk u përfshi në një këmbim të madh të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit më 1 gusht, falë të cilit u liruan tre amerikanë nga paraburgimi në Rusi.

Ajo është duke u gjykuar në qytetin e Jekaterinburgut për shkak të një donacioni që e kishte bërë në një organizatë bamirësie për ta mbështetur Ukrainën.

“[Ajo] është deklaruar e fajshme”, tha për gazetarë pas seancës gjyqësore avokati i saj, Mikhail Mushailov, raporton TASS.

Karelina u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë në janar në Jekaterinburg, ku kishte shkuar për t’u takuar me të afërmit e vet.

Karelina, banore e Los Anxhelosit dhe shtetase amerikane prej janarit 2021, u akuzua fillimisht për huliganizëm, gjoja për sharjen e zyrtarëve policorë.

Agjentët e sigurisë, megjithatë, e kontrolluan telefonin e saj dhe thanë se zbuluan se, para se të udhëtonte për Rusi, ajo i kishte dhënë 51 dollarë donacion në një organizatë me bazë në SHBA, e cila e ndihmon Ukrainën.

Gjykata rajonale në Sverdlovsk pritet ta shpallë aktgjykimin ndaj saj në seancën e radhës më 8 gusht.

Karelina përballet me dënim deri në 12 vjet burgim, nëse shpallet fajtore.

 Kë liroi Rusia në këmbimin më të madh të të burgosurve prej Luftës së Ftohtë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:04 0:00

Në këmbimin e të burgosurve më 1 gusht mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe disa vendeve evropiane, u liruan tre shtetas amerikanë të profilit të lartë, pesë shtetas gjermanë të burgosur në Rusi dhe Bjellorusi, si dhe tetë aktivistë politikë rusë, të cilët mbaheshin në Rusi sepse e kundërshtonin presidentin rus, Vladimir Putin.

Megjithatë, Karelina dhe disa amerikanë të tjerë, të cilët Uashingtoni i ka shpallur si të burgosur padrejtësisht, dhe qindra qytetarë rusë që shihen si të burgosur politikë, vazhdojnë të mbahen në burgje në Rusi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG