Ndërlidhjet

Shpronësimi në veri të Kosovës: Qeveria nuk lëshon pe, por as qytetarët


Prona e Mashan Jovanoviqit nga Leposaviqi që parashihej të shpronësohej, maj 2023.
Prona e Mashan Jovanoviqit nga Leposaviqi që parashihej të shpronësohej, maj 2023.

“Drejtësia, tani për tani, është vendosur”. Me këto fjalë, Mashan Jovanoviq nga Leposaviqi - komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës - e komenton vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ta anuluar vendimin e Qeverisë së Albin Kurtit për shpronësimin e tokës dhe për ta kthyer atë në rishqyrtim.

Ai është një prej banorëve të Leposaviqit dhe Zubin Potokut, toka e të cilëve u bë objekt shpronësimi, nisur nga janari i vitit 2023.

Më 10 janar të atij viti, Qeveria e Kosovës miratoi një vendim preliminar për shpronësimin e tokës në Leposaviq dhe Zubin Potok, me arsyetimin se janë planifikuar “projekte infrastrukturore me interes publik”, por pa specifikuar se për çfarë projektesh bëhet fjalë.

Se sa është sipërfaqja e tokës që është objekt i shpronësimit nuk u bë e ditur publikisht, por ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, tha se bëhet fjalë për 83 hektarë në atë komunë.

Për komunën e Zubin Potokut dihet vetëm se toka gjendet në zonat kadastrale: Bërnjak, Zubin Potok, Veli Breg, Banjë dhe Jasenovik i Epërm.

Policia e Kosovës konfirmoi, ndërkohë, për Radion Evropa e Lirë se disa nga “projektet infrastrukturore me interes publik” përfshijnë ndërtimin e një stacioni policor - gjë të cilën vendasit e kundërshtuan ashpër.

Banorët, përveç pretendimeve se procesi i shpronësimit është “ilegal” dhe se atyre po u “merret toka”, shprehën edhe frikë se afër shtëpive të tyre do të ndërtohen baza për njësinë speciale të Policisë së Kosovës.

Nebojsha Vllajiq, njëri nga avokatët që përfaqësoi banorët nga veriu para Gjykatës në Prishtinë, thotë se baza të tilla janë ndërtuar tashmë në disa parcela, që janë në pronësi private të qytetarëve në veri.

Ai shton se do të kërkojë largimin e tyre kur vendimi i Gjykatës për anulimin e procesit të shpronësimit, të jetë i vlefshëm.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse bazat në veri të Kosovës, janë ndërtuar vërtet në parcela private pa përfunduar procesi i shpronësimit.

Çka pason tani?

Edhe pse për gati një vit Qeveria e Kosovës këmbënguli se procesi i shpronësimit në veri është ligjor, transparent dhe se nuk ka asgjë të diskutueshme, kryeministri Albin Kurti tha më 11 janar të këtij viti se institucionet e drejtësisë janë aty “për të zgjidhur dilema”.

Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk do ta braktisë procesin e shpronësimit, por se këshilltarët e ministrive përkatëse do të sjellin propozim të ri.

Mashan Jovanoviq, duke iu referuar kësaj deklarate, thotë:

“Askush nuk ka nevojë për atë [shpronësimin], është vetëm presion mbi ne, vendasit. Nuk është në interes të publikut, siç thonë. Vullnetarisht, ne kurrë nuk do ta japim tokën”.

Për përpjekje të mëtejshme shprehet i gatshëm edhe avokati Nebojsha Vlajliq, por beson se tani është më mirë të gjendet një “zgjidhje kompromisi”.

“Këmbëngulja në diçka që është e gabuar, nuk do të na çojë askund. Pra, duhet të merren vesh [pronarët e parcelave dhe Qeveria e Kosovës]. Qeveria e Kosovës duhet të tregohet më e dëgjueshme ndaj qytetarëve”, thotë Vllajiq.

REL-i e pyeti Qeverinë së Kosovës nëse do ta ankimojë vendimin e Gjykatës dhe nëse është e mundur të gjendet ndonjë zgjidhje kompromisi, por nuk mori përgjigje.

Çfarë u kontestua në vendimin e Qeverisë së Kosovës?

Avokati Vllajiq thotë se shpronësimi i tokës në veri nga ana e Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë në përputhje me ligjet në fuqi që nga fillimi i procesit.

“Këtë nuk ka mundur ta injorojë as Gjykata - shpronësimi është bërë, e qytetarët nuk kanë qenë as të informuar. Objektet kanë përfunduar dhe vetëm atëherë ka nisur procesi i shpronësimit dhe gjëra të ngjashme. Gjëra të tilla nuk do të ndodhin më. Më e pakta që presin qytetarët tani, është që të respektohet ligji”, thotë Vllajiq.

Çfarë thotë ligji?

Ligji për Shpronësimin thotë se Qeveria e Kosovës mund të bëjë shpronësime nën kushte të caktuara, por se komuna, në territorin e së cilës kryhet shpronësimi, ka të drejtë ta sfidojë në gjykatë ligjshmërinë e shpronësimit dhe/ose shumën e kompensimit.

Përveç veprimeve për realizimin e të drejtave të parapara me ligj, asnjë komunë apo autoritet publik komunal nuk mund ta parandalojë apo pengojë shpronësimin.

Gjithashtu, theksohet se shpronësimi i pronës së paluajtshme mund të bëhet vetëm nëse prona nuk është zgjedhur për qëllim të zbatimit të ndonjë objektivi diskriminues.

Avokati Vllajiq përsërit qëndrimin e qytetarëve se nuk do të pranohet ndërtimi i bazave policore pranë shtëpive të tyre.

“Interes publik nuk mund të jetë diçka që qytetarët nuk e duan. Në atë zonë nuk ka njeri që do diçka të tillë [ndërtimin e një stacioni apo baze policore]”, thotë Vllajiq.

Punimet për ndërtimin e një Stacioni Policor Kufitar në fshatin Dren kishin nisur në pranverë.
Punimet për ndërtimin e një Stacioni Policor Kufitar në fshatin Dren kishin nisur në pranverë.

Përndryshe, tetë hektarë të pyllit të Mashan Jovanoviqit, që iu nënshtruan shpronësimit, gjenden pranë shtëpisë së tij familjare në fshatin Mekiniq - komuna e Leposaviqit.

Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkoi një analizë para shpronësimit

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se kjo organizatë ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që, para se të merret vendimi për shpalljen e një investimi me interes publik, të bëhet një analizë e duhur dhe e qëndrueshme, duke përfshirë një diskutim publik me aktorët përkatës.

“Për fat të keq, kjo nuk ndodh në praktikë me një numër të madh vendimesh të Qeverisë. Pa paragjykuar rastin, me një fjalë, duke marrë për bazë se vendimi i shkallës së parë mund të ankimohet, është gjithmonë lajm i mirë kur gjykatat vendosin për ligjshmërinë në rastet kur organet administrative marrin vendime që nuk bazohen në ligj dhe procedura”, thotë Miftaraj për REL-in.

Ai kujton se vendimet e gjykatave janë të detyrueshme për të gjithë, përfshirë edhe pushtetin ekzekutiv, dhe se moszbatimi i tyre është vepër penale.

Bashkësia ndërkombëtare ka reaguar më herët për çështjen e shpronësimeve në veri të Kosovës, ndërsa Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për “ndërtimin e bazave policore në toka private dhe shoqërore”.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG