Ndërlidhjet

Shpëtohen shtatë emigrantë, zhduken 21 të tjerë pas fundosjes së anijes në Itali


Emigrantë në ujërat ndërkombëtar në jug të Lampedusas. (Fotografi nga arkivi)
Emigrantë në ujërat ndërkombëtar në jug të Lampedusas. (Fotografi nga arkivi)

Shtatë njerëz janë shpëtuar, ndërsa 21 të tjerë janë zhdukur në det si pasojë e fundosjes së një anijeje me emigrantë pranë bregdetit të ishullit italian Lampedusa, thanë zyrtarët e OKB-së të mërkurën.

Të shpëtuarit janë shtetas sirianë, të cilët u thanë ekipeve për shpëtim se tre fëmijë janë në mesin e personave të zhdukur, raportuan mediat italiane.

Roja bregdetare italiane i shpëtoi shtatë emigrantët dhe tha se ata po lundronin me një anije me 28 njerëz në bord, e cila ishte nisur nga Libia disa ditë më parë.

Koordinatori i UNICEF-it në Itali, Nicola Dell'Arciprete, e dënoi “fundosjen tragjike të edhe një anijeje tjetër pranë Lampedusas”.

“Shumica e të mbijetuarve thonë se i kanë humbur anëtarët e familjes. Ne jemi në vendin e ngjarjes me ekipet tona”, shkroi ai në X.

Mesdheu qendror është njëra prej rrugëve më vdekjeprurëse detare për emigrantët. Sipas agjencisë së OKB-së për emigrantët, IOM, më shumë se 2.500 emigrantë janë mbytur apo zhdukur në përpjekje për ta kaluar Mesdheun vitin e kaluar.

Ndërsa, deri tani këtë vit janë mbytur apo zhdukur 1.047 të tjerë.

Të dhënat e fundit nga Ministria e Brendshme e Italisë tregojnë se mbi 43.000 emigrantë kanë mbërritur në Itali deri tani në vitin 2024, që është një rënie krahasuar me vitet e kaluara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG