Lufta kundër koronavirusit: “Kryefjala është disiplina dhe zbatimi i masave”
Mikrobiologu kosovar, Lul Raka, thotë se një i prekur me koronavirusin COVID-19 infekton mesatarisht një deri në tre persona.
Qëndrimi në shtëpi e ndërpret zinxhirin e përhapjes së koronavirusit, thotë Raka për Radion Evropa e Lirë.
- Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.
Mbi 10,000 të vdekur nga koronavirusi në botë
Numri global i të vdekurve nga koronavirusi në botë ka kaluar 10,000, tregojnë të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.
Institucioni me seli në SHBA, i cili ka nisur me përpilimin të dhënave menjëherë pas shpërthimit të sëmundjes në fund të vitit të kaluar, thotë se numri i njerëzve të infektuar po i afrohet shpejt 250,000-shit.
Italia ka numrin më të madh të viktimave: 3,405
Kalifornia lëshon urdhrin: Qëndroni në shtëpi
Kalifornia, shteti më i populluar i SHBA-së, lëshoi urdhrin “qëndroni në shtëpi”, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Guvernatori Gavin Newsom u tha banorëve se ata duhet të dalin nga shtëpia vetëm kur është e domosdoshme.
“Është një kohë kur duhet të bëjmë vendime të vështira. Duhet ta pranojmë realitetin”, tha ai.
Më herët, Newsom ka parashikuar se mbi gjysma e popullsisë prej 40 milionë banorësh e shtetit të tij do të infektohet me koronavirus, në dy muajt e ardhshëm.
Kalifornia është ndër shtetet e para amerikane që sjell kufizime të përgjithshme.
Në fillim të kësaj jave, Nevada ka njoftuar se bizneset jothelbësore do të mbyllen për 30 ditë.
Koronavirusi, i cili e shkakton sëmundjen COVID-19, ka vrarë 250 persona në SHBA dhe ka infektuar mbi 14,000 të tjerë.
Arabia Saudite pezullon fluturimet e brendshme
Arabia Saudite do t’i pezullojë të gjitha fluturimet e brendshme, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Autobusët, taksitë dhe trenat do të ndalen po ashtu gjatë dy javëve të ardhshme.
Masat e reja do të hynë në fuqi nga e shtuna në mëngjes, raportuan mediat lokale.
Sipas tyre, ndalesat nuk vlejnë për fluturimet thelbësore që lidhen me aeroplanët humanitarë ose mjekësorë, ose me autobusët që përdoren për të transportuar njerëz me probleme shëndetësore.
Në Arabinë Saudite janë mbi 270 njerëz të infektuar me koronavirus.