Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
20:54 19.3.2020

Konfirmohet edhe një rast me koronavirus në Kosovë

Instituti i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se të enjten është regjistruar edhe një rast me koronavirusin e ri në Kosovë.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve tani ka arritur në 21 persona.

“Rasti pozitiv është rast me vendqëndrim në Janjevë komuna e Lipjanit, i gjinisë mashkullore me moshë 46 vjeçare i kthyer përmes një fluturimi nga Berlini më 11 mars”, thuhet në komunikatën e Institutit.

Aty iu bëhet thirje të gjithë qytetarëve që kanë udhëtuar përmes atij fluturimi, të lajmërohen në numrin 038 200 80 800 në qendrën e thirrjeve në Institutin e Shëndetësisë Publike.

21:57 19.3.2020

Qytetarët kërkojnë angazhim në luftën kundër koronavirusit

Shumë qytetarë në Prishtinë dhe qytete tjera kanë bërë zhurmë dhe kanë goditur enë të ndryshme nga ballkonet e tyre për të protestuar kundër krizës së fundit qeveritare. Ata kanë kërkuar nga qeveritarët që t’i lënë anash dallimet dhe të koncentrohen në luftimin e përhapjes së koronavirusit.

Protestë me zhurmë ndaj politikës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:19 0:00

07:42 20.3.2020

OBSH: Afrika duhet të zgjohet ndaj kërcënimit të koronavirusit

Afrika duhet “të zgjohet” ndaj kërcënimit të koronavirusit dhe të përgatitet për më të keqën”, tha shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Kontinenti duhet të mësojë nga mënyra se si është përhapur virusi gjetkë, tha Ghebreyesus.

Sipas tij, edhe pse numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus atje është i ulët – rreth 640 – nuk ka arsye për vetëkënaqësi.

“Afrika duhet të zgjohet. Kontinenti im duhet të zgjohet”, tha Ghebreyesus, i cili vetë është etiopian.

Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se sistemi i tendosur i shëndetit publik në Afrikë do të mund të mbingarkohej shpejt, nëse koronavirusi përhapet me të madhe, sidomos në zonat e mbipopulluara urbane.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

08:13 20.3.2020

Kina shënon edhe një ditë pa raste të reja të brendshme me koronavirus

Kina tha se ka regjistruar edhe një ditë pa infeksione të reja lokale me koronavirus.

Autoritetet, megjithatë, raportuan për 39 të infektuar të rinj, por thanë se të gjitha ato janë raste të importuara, që do të thotë se qytetarët e kanë marrë virusin jashtë Kinës dhe kanë dalë pozitivë pasi kanë hyrë në Kinë.

Numri i të vdekurve në Kinë po ashtu është ngadalësuar, thanë zyrtarët shëndetësorë, të cilët raportuan për vetëm tri viktima të reja.

Në total, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në Kinë kanë humbur jetën 3,132 persona, si pasojë e koronavirusit.

Instituti i Shëndetit Kombëtar në Kinë ka thënë edhe të enjten se të gjitha rastet e reja me koronavirus në këtë ditë, kanë qenë të importuara.

Kina besohet se është vend i origjinës së koronavirusit.

Rastet e para atje janë shfaqur në fund të vitit të kaluar dhe më pas janë përhapur në mbi 150 vende të botës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG