Mali i Zi mbyll shkollat, edhe pse nuk ka raste me koronavirus
Për shkak të situatës globale me koronavirusin, Mali i Zi, nga data 16 mars, do t’i ndërpresë mësimet në shkolla dhe kopshte.
Kjo u bë e ditur në një konferencë për media të Këshillit Kombëtar Koordinues, i cili tha se ka pranuar rekomandimin e Institutit të Shëndetit Publik për ndërprerje të mësimit, si masë parandaluese.
Zëvendëskryeministri malazez, Millutin Simoviq, tha se është çështje koha kur koronavirusi do të përhapet edhe në Mal të Zi,
“Mali i Zi deri më tash nuk ka zbuluar asnjë rast dhe po i përcjell të gjithë të sëmurët e dyshimtë. Secila ditë është fitore për shtetin”, tha Simoviq në një konferencë për media.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë ende raste të regjistruara me koronavirus.
Raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut
Katër raste të reja me koronavirus janë konfirmuar në Maqedoninë e Veriut.
Për rrjedhojë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 13.
Prej tyre, njëri është shëruar plotësisht.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se për të hënën ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, për të diskutuar rreth masave që janë në dispozicion, në rast të përkeqësimit të situatës.
Ai tha se mbetet mundësi e hapur edhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.
Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut u bëri thirrje qytetarëve që të mbeten të izoluar në shtëpi dhe t'i respektojnë masat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Për më shumë, lexoni këtu.
Spanja në gjendje të jashtëzakonshme
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, shpalli gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Gjendja e jashtëzakonshme do të hyjë në fuqi nga e shtuna.
Ajo pason njoftimet e së premtes se numri i njerëzve të vdekur nga koronavirusi në Spanjë është rritur për 40 për qind brenda ditës, përkatësisht në 120.
Numri i të infektuarve në Spanjë aktualisht qëndron në 4,209.
Gjendja e jashtëzakonshme përfshin:
- kufizimin e lëvizjes së njerëzve dhe automjeteve
- urdhërimin e evakuimeve
- ndalimin e qasjes në zona apo vende të caktuara
- ndërhyrjen në fushat e industrisë dhe bujqësisë
Qeveria mund ta zbatojë gjendjen e jashtëzakonshme për 15 ditë. Për zgjatjen e saj, duhet miratimi nga Parlamenti i Spanjës.
OBSH-ja me fushatë vetëdijësimi
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka filluar një fushatë sensibilizimi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
“Ka gjëra të thjeshta që secili duhet t'i bëjmë për të mbrojtur veten nga COVID19, përfshirë larjen e duarve me sapun ose përmes pastrimit me bazë alkooli”, shkruan OBSH-ja në rrjetin social Twitter.
Organizata u bën thirrje njerëzve anëmbanë botës të postojnë në rrjete sociale videot e tyre duke larë duart.