Rezultatet e testimit të 15 personave pritet të bëhen publike të premten pasdite
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur deri më tani, në Kosovë, nuk ka asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit Covid-19.
“Të gjitha rastet e dyshimta gjatë ditës së sotme, janë duke u testuar në Laboratorin e Mikrobiologjisë Humane në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, dhe janë duke u proceduar sikurse edhe rastet e ditëve të kaluara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Më herët, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftua se janë në pritje të rezultateve të 15 personave si të dyshuar për infeksion me koronavirusin e ri.
Rezultatet, sipas ministrit Vitia do të bëhen të ditura të premten pasdite.
Në xhamitë e Kosovës është folur për koronavirusin
Në të gjitha xhamitë e Kosovës, të premten, para faljes së xhumasë, është folur për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se ky institucion do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme ditën e shtunë, ku do të merren vendime sa i takon zhvillimit apo anulimit të aktiviteteve nëpër xhamitë e Kosovës.
SHBA-ja shton masat për të shpejtuar testimin ndaj koronaviusit
Në përpjekje për të shmangur kritikat për përgjigjen e saj të ngadaltë ndaj mungesës së testimit të koronavirusit në SHBA, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar disa masa për të shpejtuar testimin.
Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore do të ndajë 1.3 milion dollarë për dy laboratorë për krijimin e testeve të reja për Covid-19 që mund të zbulojnë në më pak se një orë, nëse një person është i infektuar .
Testet e reja mund të jenë gati brenda gjashtë deri në 12 javë, thonë zyrtarët.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi gjithashtu një pajisje testimi të prodhuar nga Zvicra - testi i parë i disponueshëm komercial në SHBA.
FDA gjithashtu ka krijuar një linjë ndihme 24-orëshe për laboratorët që kanë vështirësi në marrjen e testeve ose hasin në ndonjë pengesë tjetër në proces.
SHBA-ja ende mbetet shumë larg vendeve të tjera në testime, duke bërë që disa zyrtarë shëndetësorë amerikanë të pretendojnë se përhapja e infeksionit mund të jetë më e lartë se sa konfirmohet aktualisht.
Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?