Ndërlidhjet

Shitjet e armëve rriten me gjithë pengesat në furnizim


Ushtria ukrainase duke qëlluar pozicionet e forcave ruse me një obus amerikan M777, në Donjeck, qershor 2022.
Ushtria ukrainase duke qëlluar pozicionet e forcave ruse me një obus amerikan M777, në Donjeck, qershor 2022.

Shitja e armëve dhe shërbimeve ushtarake të 100 kompanive më të mëdha në këtë industri ka arritur vlerën e 592 miliardë dollarëve në vitin 2021, njofton Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes, me seli në Stokholm (SIPRI).

Shifra paraqet rritje për 1.9 për qind krahasuar me një vit më parë.

Edhe pse në tendencë të rritjes tash e shtatë vjet, ajo është ende nën mesataren katërvjeçare, para pandemisë COVID-19, kur ka qenë 3.7 për qind.

Sipas raportit të SIPRI-t, vitin e kaluar, shitja e armëve në SHBA është zvogëluar për gati një për qind, kompanitë më të mëdha ruse kanë rritur shitjet e tyre për gjysmë për qind, ndërsa shitjet e kompanive kineze janë rritur për më shumë se 6 për qind.

SIPRI vlerëson se lufta në Ukrainë do t’i rrisë kërkesat për armë dhe se problemet në zinxhirin furnizues ka të ngjarë të përkeqësohen.

Shumë pjesë të industrisë ushtarake kanë vazhduar të preken nga ndërprerjet e zinxhirit global të furnizimit, për shkak të pandemisë.

Pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në shkurt të këtij viti, i ka rritur po ashtu sfidat e furnizimit për kompanitë ushtarake, sidomos për faktin se Rusia është furnizuesja kryesore me lëndët e para që përdoren për prodhimin e armëve.

Kjo mund t’i pengojë edhe përpjekjet e SHBA-së dhe Evropës për t’i forcuar trupat e tyre të armatosura dhe për të rimbushur depot e tyre, pas dërgimit të armëve dhe pajisjeve të tjera - në vlerë prej miliarda dollarësh - në Ukrainë.

“Duhet kohë për të rritur prodhimin. Nëse ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit vazhdojnë, mund të duhen disa vite kohë që disa nga prodhuesit kryesorë të armëve, t’i plotësojnë kërkesat e reja që ka krijuar lufta në Ukrainë”, thotë Diego Lopes da Silva, studiues i lartë i SIPRI-t.

Amerika e Veriut

Kompanitë amerikane dominojnë listën e prodhuesve më të mëdhenj të armëve, por shitjet e tyre kanë qenë më të ulëta për gati një për qind, vitin e kaluar.

Shitjet e armëve të 40 kompanive amerikane në listë kanë arritur vlerën e 299 miliardë dollarëve, por Amerika e Veriut [Kanadaja dhe SHBA-ja] është i vetmi rajon që ka pasur rënie në shitjet e armëve në krahasim me vitin paraprak.

Rënia prej 0.8 për qind ka ndodhur pjesërisht për shkak të inflacionit të lartë në ekonominë amerikane gjatë vitit 2021.

SIPRI kujton se, viteve të fundit, të pesë prodhuesit më të mëdhenj të armëve nga lista e qindra më të mëdhenjve kanë pasur selitë e tyre në SHBA.

Evropa

Nga 100 kompanitë më të mëdha për prodhimin e armëve, që gjenden në listën e SIPRI-t, 27 janë të vendosura në Evropë.

Shitjet e tyre totale të armëve janë rritur për 4.2 për qind në vitin 2021, krahasuar me vitin paraprak, duke arritur në 123 miliardë dollarë.

Shitjet e avionëve në Evropë kanë qenë më të pakta, ndërsa ato në sektorin e anijeve janë rritur.

“Shumica e kompanive evropiane, të specializuara në aviacionin ushtarak, kanë raportuar humbje në vitin 2021 - për ç’gjë kanë fajësuar ndërprerjet në zinxhirin furnizues”, thotë Lorenzo Scarazzato, studiues në Programin e SIPRI-t për Kostot Ushtarake dhe Prodhimin e Armëve.

Megjithatë, Dassault Aviation Group përmendet si një kompani me rezultate pozitive në sektorin e aviacionit - shitjet e së cilës janë rritur për 59 për qind - në 6.3 miliardë dollarë - në vitin 2021, falë porosive të 25 avionëve luftarakë Rafale.

Analizat tregojnë se shitjet në Evropë ka të ngjarë të vazhdojnë të rriten edhe në vitin 2022, për shkak të luftës në Ukrainë.

Rusia

Gjashtë kompani ruse janë përfshirë në listën e prodhuesve më të mëdhenj në vitin 2021. Shitjet e tyre të armëve kanë arritur vlerën e 17.8 miliardë dollarëve, duke shënuar rritje për 0.4 për qind krahasuar me vitin 2020.

Megjithatë, ka shenja për ngecje të përhapura në industrinë e armëve të Rusisë.
Edhe pse raportet tregojnë se kompanitë ruse janë duke rritur prodhimin për shkak të luftës në Ukrainë, ato kanë vështirësi në sigurimin e lëndëve të para dhe janë gjithashtu të prekura nga sanksionet e Perëndimit, për shkak të agresionit në Ukrainë.

Si shembull, SIPRI përmend kompaninë Almaz-Antey, ku kanë thënë se nuk kanë mundur t’i marrin pagesat për disa eksporte të armëve.

Lindja e Afërt

Pesë kompani nga Lindja e Afërt, që janë përfshirë në listën e më të mëdhave, kanë shitur armë me vlerë prej 15 miliardë dollarësh në vitin 2021.

Kështu, ato kanë shënuar rritje prej 6.5 për qind në nivel vjetor - që është norma më e lartë e rritjes në mesin e rajoneve të përfshira në listën e SIPRI-t. Industria ajrore turke ka pasur rritjen më të madhe, për 62 për qind, ndërsa ajo e Izraelit më të voglën - 1.9 për qind.

EDGE - një konglomerat me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, që ka qenë në mesin e 25 kompanive më të mira të armëve në vitin 2020 - nuk ka publikuar asnjë të dhënë për shitjet e armëve vitin e kaluar, kështu që nuk është përfshirë në analizë.

Azia dhe Oqeania

Shitjet totale të armëve të 21 kompanive nga Azia dhe Oqeania, të përfshira në listën e SIPRI-t, kanë arritur vlerën e 136 miliardë dollarëve në vitin 2021, që do të thotë 5.8 për qind më shumë se një vit më parë.

Tetë kompani në listë kanë shitur armë me vlerë prej 109 miliardë dollarësh - një rritje kjo për 6.3 për qind.

“Ka pasur një valë konsolidimi në industrinë e armëve të Kinës që nga mesi i dekadës së mëparshme. Në vitin 2021, CSSC e Kinës është bërë ndërtuesja më e madhe e anijeve ushtarake në botë, me shitje të armëve në vlerë prej 11.1 miliardë dollarësh”, thotë Xiao Liang, studiues në SIPRI.

Sipas të dhënave të këtij instituti, shitjet totale të armëve të katër kompanive nga Koreja e Jugut janë rritur për 3.6 për qind, duke arritur në 7.2 miliardë dollarë.

Parashikimet për vitin 2022

Pushtimi rus i Ukrainës ka rritur kërkesat për armë në Evropë dhe SHBA. Që nga fillimi i luftës, vendet perëndimore kanë furnizuar Ukrainën me pajisje ushtarake, por furnizimet janë duke u pakësuar.

Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës - i udhëhequr nga SHBA-ja dhe i përbërë nga më shumë se 50 vende dhe organizata që janë zotuar se do ta ndihmojnë Ukrainën - është duke i koordinuar përpjekjet për të rritur prodhimin e armëve dhe për t’i rimbushur rezervat.

Megjithatë, rritja e prodhimit të armëve kërkon kohë dhe mund të kalojnë disa vite përpara se kompanitë të përshtaten me kërkesat e reja - gjë të cilën e dëshmon edhe dërgesa e raketave anti-tank, Javelin, nga SHBA-ja në Ukrainë.

Deri në fund të tetorit 2022, SHBA-ja ka dorëzuar 8.500 raketa Javelin në Ukrainë, që janë ekuivalente me prodhimin e saj katërvjeçar.

Për shkak të luftës, edhe prodhuesit e armëve në Evropë presin rritje të konsiderueshme të kërkesave për pajisje ushtarake.

Si shembull, SIPRI përmend kompaninë Rheinmetall, e cila pret që kërkesat të rriten për 100-150 për qind në vitin 2022 dhe për 30-40 për qind të tjerë në vitin 2023.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG