Të frymëzuar nga jetët e grave të abuzuara dhe të vrara në vendet e Ballkanit Perëndimor, aktivistë nga Bosnje dhe Hercegovina, Serbia dhe Kosova janë bashkuar në idenë e një teatri rajonal, për të folur mbi nevojën e një zgjidhjeje sistematike për parandalimin e dhunës dhe për ndëshkimin më të ashpër të femicidit.
Në shfaqjen “E fundit”, e cila do ta ketë premierën në gusht, gjashtë aktiviste dhe aktore të reja sjellin historitë e viktimave të femicidit në tri vendet e rajonit, si dhe dështimet e institucioneve në mbrojtjen e tyre.
Sellena Ristiq, aktiviste nga “Qendra e Fëmijëve” në Zajeçar të Serbisë, e cila ka bërë regjinë e shfaqjes, thotë se ajo është një lloj përgjigjeje artistike ndaj një problemi që është bërë i zakonshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Siç kultura e heshtjes i lidh viktimat e dhunës, ashtu edhe vajzat dhe gratë trajtohen në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë. Rritja e nacionalizmit shkon paralel me forcimin e patriarkatit dhe gratë shpesh trajtohen si pronë e burrave”, thotë Ristiq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave nga Fondacioni “Vajzat”, 70 gra janë vrarë në Bosnje dhe Hercegovinë në dekadën e fundit. Në shumicën e rasteve, vrasës kanë qenë burrat dhe partnerët e viktimave.
Në Serbi, në 15 vjetët e fundit, janë vrarë më shumë se 400 gra, ndërsa së paku 58 janë vrarë në Kosovë në 14 vjetët e fundit.
Ristiq thotë se shfaqja “E fundit” është pjesë e një fushate për përfshirjen e femicidit në ligjet e rajonit, me qëllim shqiptimin e dënimeve më të rrepta dhe qartësimin se bëhet fjalë për një krim të kryer ekskluzivisht nga urrejtja ndaj grave.
“Ky lloj krimi duhet të përcaktohet qartë. Nuk mund të quhet as tragjedi dhe nuk ka ndonjë justifikim. Vajzat dhe gratë që vuajnë nga dhuna, të inkurajohen dhe ta ngrenë zërin e tyre dhe të thonë: ‘Mjaft më dhe nuk dua të vuaj më’”, thotë ajo.
Cili është reagimi i shoqërisë dhe institucioneve?
Një nga historitë që trajton shfaqja, dhe atë në kontekstin e reagimeve të publikuara në media dhe në rrjetet sociale, është vrasja e Nizama Heqimoviqit në Gradaçac të Bosnje e Hercegovinës, dy vjet më parë.
Ai ishte rasti më brutal i femicidit në rajon, ku një grua 38-vjeçare u vra nga ish-partneri i saj, i cili transmetoi drejtpërdrejt dhunën dhe vrasjen në rrjetet sociale.
Para se të vritej, Nizama iu drejtua policisë dhe gjykatës, duke kërkuar masa mbrojtëse, por kërkesa e saj u refuzua, pasi gjykata vlerësoi se nuk kishte prova.
Nikollina Gagiq, aktiviste në shoqatën “Sara” nga Srebrenica, thotë për Radion Evropa e Lirë se shfaqja trajton shumë aspekte të dhunës ndaj grave në Ballkan, e cila - në shumicën e rasteve - u paraprin vrasjeve.
“’E fundit’ është në fakt një dëshirë që këto vrasje të mos ndodhin më. Por, kjo mund t’i ndodhë kujtdo, thjesht sepse na mungon mbështetja, si nga perspektiva sociale, ashtu edhe nga ajo institucionale. ‘E fundit’ është mesazhi ynë për të punuar së bashku dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin”, thotë Gagiq.
Shfaqja trajton, gjithashtu, mënyrat se si institucionet dhe shoqëritë në rajon përgjigjen ndaj dhunës dhe femicidit.
“Fokusi ynë janë gratë me identitetet e tyre. Të gjitha kanë emra, histori për atë që kanë bërë dhe çfarë kanë dashur të jenë. Një tjetër këndvështrim janë artikujt mediatikë dhe mënyra se si publiku i përjeton vrasjet. Ka shumë gjëra të përbashkëta në shoqëritë tona, jemi të ekspozuara ndaj rreziqeve dhe pasigurive të njëjta”, thotë Gagiq.
Qëllimi afatgjatë i “E fundit”, si pjesë e një fushate kundër femicidit në vendet e rajonit, është rritja e vetëdijes dhe ndryshimi i ligjeve, në mënyrë që vrasjet e grave të marrin fund.
Ajo është një vazhdim i bashkëpunimit midis “Qendrës së Fëmijëve” në Zajeçar dhe shoqatës “Behari i Sharrit” nga Prizreni, që më herët ka prodhuar shfaqjen “Unë nuk kam raportuar”, kushtuar grave që nuk raportojnë se janë viktima të dhunës.
“Qëllimi ynë është të solidarizohemi me gratë që kanë përjetuar dhunë dhe, përmes bashkëpunimit rajonal, të dërgojmë një mesazh të qartë që gjëra të tilla të mos ndodhin më. Është e rëndësishme të dërgojmë një mesazh të përbashkët për këtë të ashtuquajturin problem ballkanik, dhe mendoj se ky rrjetëzim do të japë rezultat”, thotë Edis Mustafiq nga shoqata “Behari i Sharrit”.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se Kosova nuk ka miratuar ende ligje që adresojnë femicidin, por se dhuna nuk është më tabu, sepse “vajzat dhe gratë nuk heshtin më”.
“Për fat të keq, ka shumë raste të grave të vrara nga burrat dhe familja e ngushtë. Janë në rritje, për fat të keq. Por, nuk është më një shoqëri patriarkale, kur hesht sepse është e turpshme. Po iniciohen procese dhe mendoj se së shpejti mund të kemi një ligj për femicidin”, thotë Mustafiq.
Shfaqjet në Prizren, Beograd dhe Tuzlla
Aktivistët, të cilët janë edhe anëtarë të ansamblit skenik, thonë se qëllimi është që, përmes artit dhe lidhjes rajonale, të tërhiqet vëmendja mbi problemin e dhunës ndaj grave, i cili ndjek të njëjtin model në të gjithë rajonin.
Ata paralajmërojnë se mungesa e masave sistematike, si dhe zbatimi joefektiv i ligjit shpesh e bëjnë dhunën ndaj grave një model të pranueshëm në shoqëri.
Sipas tyre, është e rëndësishme që shfaqjet e tilla si “E fundit”, t’u prezantohen audiencave në komunitete më të vogla, ku dhuna është ende një temë tabu.
“Pra, jo vetëm në komunitete të mëdha, por edhe në vende ku është e ndaluar të flasësh hapur dhe ku çdo plagë dhe lot mbahen në heshtje”, thotë Ristoviq.
Për përgatitjen e skenarit për shfaqjen “E fundit” janë përdorur raportet mediatike dhe dëshmitë nga gjyqet, ndërsa aktoret dhe aktivistet nga Bosnje dhe Hercegovina, Serbia dhe Kosova kanë shkruar gjithashtu monologë shtesë, që lidhen me historitë e grave të vrara dhe dëshmitë e fëmijëve dhe të afërmve të tyre.
Sipas Kombeve të Bashkuara, çdo dhjetë minuta në vitin 2023, një grua është vrarë nga dikush që e ka njohur. Sipas tyre, pothuajse një në tri gra përjeton dhunë së paku një herë në jetë.