Gjatë vitit 2017, sistemin e shëndetësisë e kanë përcjellë shumë probleme, duke u nisur nga mungesa e barnave, mungesa e profesionistëve shëndetësorë e infermierëve, po ashtu edhe ikja e mjekëve nga Kosova për të kërkuar punë e kushte më të mira të punës jashtë Kosovës, frekuenca e madhe e pacientëve në shërbimin terciar - pra në Qendrën Klinike Universitare e shumë probleme të tjera.
Mungesa e barnave nga lista esenciale si dhe e materialit shpenzues të nevojshëm për trajtimin e pacientëve, i ka detyruar pacientët t’i blejnë vetë ato për trajtim.
Ardita Hoti thotë se ka qenë vetë paciente, derisa kur e takuam brenda Qendrës Klinike Universitare ishte si familjare pasi që i ishte operuar i vëllai.
“Është dashur t’i blejmë edhe gjërat më e elementare gjatë operimit që ka kryer një familjar i imi në Klinikën kirurgjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Përpos mjekëve që i kemi falas, në shërbimin terciar nuk ka asgjë tjetër, gjithçka mungon, edhe mjekët kanë probleme në trajtim për shkak të mungesës së aparaturave të nevojshme” , tregon Hoti.
Në Klinikën Pediatrike brenda Qendrës Klinike Universitare, pediatri Ramush Beiqi për Radion Evropa e Lirë sqaron se përpos që nuk ka pasur përmirësime në përgjithësi në klinikë, gjatë vitit 2017 ka pasur vetëm përkeqësim të situatës sa i përket trajtimit të fëmijëve.
“Nuk dallon asgjë për të mirë viti 2017 nga vitet paraprake, përpos që me një vlerësim serioz mund të them se janë përkeqësuar kushtet në Klinikën e pediatrisë. Kjo për shkak se nuk kemi marrë donacione të reja, nuk është servisuar aparatura, mungojnë barnat nga lista esenciale. Nuk mund të lavdërohemi në këtë drejtim”, deklaron Beiqi.
Drejtori i Qendrës Emergjente , Basri Lenjani, thotë se me aq sa kanë pasur mundësi, u kanë dalë në ndihmë gjithë pacientëve që kanë kërkuar ndihmë emergjente, por që thekson faktin se shpreson se në vitin 2018, nuk do të përballen me vështirësitë që i kanë pasur këtë vit me kushtet e punës si dhe me mungesë barnash.
“Shpresojmë që nuk do të përsëritet viti 2017. Besoj që shteti i Kosovës do të kujdeset shumë seriozisht për shërbimet emergjente, duke u thirrur në Ligjin për shërbime emergjente që garanton sigurimin e listës esenciale për shërbimet emergjente mjekësore, për pajisje, për material shpenzues dhe viti 2018 të jetë vit i ndryshimit të aktivitetit në saje të kërkesave të domosdoshme për shërbimet emergjente”, shprehet Lenjani.
Me gjithë vështirësitë për punë vetëm në Qendrën emergjente në QKUK, gjatë vitit janë trajtuar më shumë se 55 mijë raste, prej të cilave vetëm pacientë të aksidentuar kanë qenë 5 mijë e 870 , numër ky që ka shënuar rritje për 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërsa, vetëm si vizitorë gjatë ditës, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e frekuentojnë më shumë se 30 mijë persona.
Kjo del sipas një analize të Inspektoratit Sanitar, ku thuhet se frekuenca e madhe e njerëzve gjatë ditës në këtë qendër e pamundëson një nivel të dëshirueshëm higjiene.
Ikja e mjekëve, fenomen shqetësues
Ndërkohë, edhe ikja e kuadrove mjekësore është konsideruar si mjaft shqetësuese për vendin. Federata Sindikale e Shëndetësisë, sipas hulumtimeve që ka bërë, ka nxjerrë të dhëna, sipas së cilave për tre vjet nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë.
Por, çka mbetet edhe më shqetësues është fakti se gjatë intervistimit të njëmijë studentëve, 73 për qind e studentëve të Mjekësisë, kanë deklaruar se po të kenë rastin të punësohen jashtë Kosovës, do ta bënin një gjë të tillë.
“Në perëndim kërkojnë shumë punëtorë shëndetësorë, dhe nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë, pa i llogaritur infermierët. Kjo mbetet shqetësuese. Dhe, nga intervistimi që kemi bërë, ka dalë se nuk ka qenë fjala vetëm për pagat e ulëta të mjekëve, por e kanë radhitur si të parën mjekët që kanë menduar të ikin jashtë Kosovës, politizimin e shëndetësisë, planifikimin jo të mirë të punësimit dhe edukimit të vazhdueshëm dhe më pas kanë qenë pagat, ato që i shtyjnë të ikin", bën të ditur Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë.
Ndryshe, në vitin 2017 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë pranuar për punësim rreth 190 mjekë specialistë nga lëmi të ndryshme, derisa kanë mbetur të papunë edhe 70 mjekë specialistë.
Kosova, për t’i përmbushur standardet evropiane, thonë njohësit çështjeve të shëndetësisë, duhet që t’i punësojë në institucionet publike shëndetësore edhe dy mijë mjekë e pesë mijë infermierë, aq sa edhe nevojiten për kokë banori.
Buxheti për shëndetësi ndër vite ka qenë rreth 180 milionë euro, ndërsa për vitin 2018, ky buxhet është paraparë të rritet në 200 milionë.
Facebook Forum