Ndërlidhjet

Shfletim në internet apo vizita te mjeku për probleme shëndetësore? 


Ilustrim
Ilustrim

Shfletimet në internet tashmë janë trend global, përmes së cilit, qytetarët kërkojnë informacionet nga më të ndryshme, përfshi edhe çështjet dhe preokupimet e tyre shëndetësore.

Agon Syla , 22-vjeç, student i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se internetin e ka burimin e parë të informacionit për çdo shqetësim shëndetësorë që i paraqitet.

Ai, sikurse edhe qytetarë të tjerë, kërkojnë informata në faqe të ndryshme të internetit, përfshi edhe rrjetet sociale e forumet e ndryshme, këshilla mjekësore për sëmundje dhe shqetësime shëndetësore që u paraqiten.

“Për çdo shqetësim që e kam ose ndonjë dhimbje, menjëherë e shfletoj internetin për të marrë informata si qasje e parë. Aty marrë ndonjë këshillë apo çka do qoftë, e mandej shkoj edhe te mjeku. Por, zakonisht përgjigjet kanë qenë të njëjta edhe te mjeku”, tha Syla.

Ndërkohë, mikrobiologu Lul Raka, tha për Radion Evropa e Lirë se si profesionist shëndetësorë se rekomandon që diagnostifikimi të bëhet vetëm mbi të dhënat dhe analizat e sakta për pacientët.

“Unë mendoj se është e drejtë e pacientëve që të kenë qasje në informata të ndryshme shëndetësore nga interneti ,pasi që mendoj se edhe është e pashmangshme. Është një prej burimeve kryesore të informative që e marrin pacientët, por për çdo paqartësi do duhej ta konsultojnë mjekun e vet. Për t’ju shmangur dëmit që mund ta kenë nga keqinformimet për substanca të ndryshme, si antibiotikë apo qetësues e të tjera”.

“Prandaj është qasje e kombinuar, e drejtë e tyre për informim, por edhe kujdesi në shmangie të dëmeve eventuale që mund të kenë nga informata të gabueshme pa konsultimin e mjekut”, tha Raka.

Por, ka edhe qytetarë që thonë se nuk e shfletojnë internetin për të marrë informata, po që se kanë ndonjë shqetësim shëndetësor, e madje as nuk e praktikojnë vizitën tek mjeku, për çdo shqetësim të lehtë që kanë.

Fadil Murati, qytetar nga Prishtina, thotë se interneti mund të vijë në shprehje fare në fund rreth shqetësimeve eventuale shëndetësore që mund t’i ketë.

“Rrallë e shfletoj internetin për këshilla mjekësore, por edhe rrallë shkoj te mjeku. Mundohem t’u shmangem informatave që ka të bëjë me shëndetin, pasi që mendoj se sa më shumë informata për sëmundje që ka, aq më shumë shqetësohem për gjendjen shëndetësore”, tha Murati.

Në anën tjetër infektologu, Sali Ahmeti tha për Radion Evropa e Lirë se pacientët që kërkojnë ndihmë në klinikë, shumë prej tyre kanë informata, dhe siç thotë ai, e çmon këtë fakt pasi njohuritë shëndetësore rreth problematikës së tyre nuk u bëjnë dëm atyre.

“Shpeshherë në praktikën e përditshme ne si mjek jemi të sfiduar me informacione që pacientët i marrin, qoftë nga shtetet e Evropës apo edhe më larg. Në një mënyrë ata kanë informacione për mundësinë e trajtimit. Dhe ky fakt më gëzon për faktin se kur ne si mjekë u shpjegojmë për seriozitetin e sëmundjes, ata e kanë parasysh dhe kanë dijeni. Për ne si mjek është më e lehtë qasja dhe trajtimi më pas”, tha Ahmeti.

Megjithatë, Ahmeti thotë po ashtu se ndonjëherë shfletimi në internet mund t’ju japë pacientëve informacione jokredibile e që mund të kenë si pasojë dëmtimin e shëndetit të pacientëve, sidomos në rastet kur ata fillojnë të vetë-mjekohet me ilaçe në mënyrë të gabuar.

“Aty ka të dhëna që jepen nga persona joprofesionist dhe nuk korrespondojnë me informata të sakta, dhe jep stres të paarsyeshëm, e informacione që pacientin mund ta dërgojë deri tek një problematikë e rrejshme, që në fakt nuk e ka atë problem shëndetësor. Pasi ky profesion, pra ai i mjekut, kërkon informata në vazhdimësi dhe nuk është aq e lehtë ardhja deri te diagnoza e saktë”, thekson Sali Ahmeti.

Sidoqoftë, shfletimi në internet për këshilla mjekësore, është një praktikë e njohur në mbarë botën. Andaj, edhe në Kosovë, pacientët jo rrallë e praktikojnë këtë mënyrë për të lehtësuar sado pak shqetësimet e tyre shëndetësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG