Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se duhet të punohet edhe më shumë që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese që ka vendosur ndaj Kosovës. Ndërkaq, udhëheqësit kosovarë kërkuan heqjen e këtyre masave.
Zyrarja e lartë evropiane po qëndron në Kosovë, në kuadër të turneut të saj ballkanit. Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Gjatë konferencës të përbashkët për media me Osmanin, Von der Leyen tha se blloku evropian ka mirëpritur vendimin e Kosovës për hapjen e pikës kufitare në Merdarë për mallrat nga Serbia.
“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjodo të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. Për mua është e rëndësishme që ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha von der Leyen.
BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është koha e fundit që të largohen masat ndëshkuese të BE-së, duke përsëritur qëndrimin e saj se këto masa janë të padrejta.
"Është koha e fundit që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç të padrejta, këto masa po dëmtojnë qytetarët dhe kanë dëmtuar procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pabalancuar, pabarabartë dhe të pakredibilitet".
Edhe kryeministri Kurti, sipas një postimi në X, gjatë takimit të ndarë me Von der Leyen, i kërkoi zyrtares evropiane që BE-ja të heqë " masat e padrejta" ndaj Kosovës.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor
Von der Leyen po ashtu përgëzoi Kosovën në punën që ka bërë në agjendën e reformave nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, duke thënë se deri para përfundimit të vitit, Kosova pritet të përfitojë 60 milionë euro nga kjo paketë.
“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është i planifikuar që t’i sjellë ekonomitë e rajonit më afër tregut tonë të përbashkët dhe të integrohen në tregun tonë të përbashkët. E dimë që suksesi i madh i zgjerimit nuk janë vetëm marrëveshjet politike dhe ndarja e vlerave, por është dhe prosperiteti ekonomik që e kemi parë te shtetet që i janë bashkuar BE-së", tha Von der Leyen.
"Tashmë i kemi hapur sektorët e tregut të përbashkët për partnerët e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që, për shembull, kompanitë nga Kosova mund të kenë qasje në tregun e përbashkët. Për këtë arsye na nevojiten reforma që të kemi një nivel të barabartë të pjesëmarrjes. Por, këto reforma do të shoqërohen me investime shtesë evropiane", shtoi zyrtarja e lartë evropiane.
Nga Plani i Rritjes, në total, deri në fund të vitit 2027, nëse përmbush reformat Kosova do të përfitojë 882 milionë euro, duke u bërë përfituesja më e madhe e këtij plani për kokë banori.
Osmani tha se ky plan do të ketë ndikim në zhvillimin socio-ekonomik, në hapjen e vendeve të reja të punës si dhe do të ndihmojë shtetin në rrugën drejt integrimit evropian.
Zyrtarja e lartë evropiane tha se gjatë mandatit të dytë në krye të KE-së, zgjerimi i BE-së do të mbetet top-prioritet i saj.
Ajo tha se dëshiron që në të ardhmen, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e bllokut evropian.
Osmani tha se në takim me Von der Leyen ka diskutuar edhe për ndikimin rus në Serbi, shtet të cilin e akuzoi se është "satelit" i Moskës. E para e shtetit tha se që kur ka nisur lufta e Rusisë kundër Ukrainës më 2022, në Serbi është rritur ndikimi rus. Sipas saj, Rusia dëshiron që të destabilizojë mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Von der Leyen, ndërkaq, tha se e shohin që Rusia po kryen sulme hibride ndaj demokracive dhe "qëllimi është që këto demokraci të destabilizohen", duke shtuar se blloku ka mjete që ta luftojë dezinformimin dhe parandalimin e përhapjes të narrativëve të Rusisë.
Vizita e zyrtares evropiane në Prishtinë është në kuadër të një turneu ballkanik që ajo nisi më 23 tetor në Shqipëri. Pas Shqipërisë, ajo qëndroi në Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.
Në Serbi, ajo u takua vetëm me presidentin Aleksandar Vuçiq, teksa anuloi takimin me kryeministrin serb, Millosh Vuçeviq.
Zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer, tha për Radion Evropa e Lirë se arsyeja e anulimit ishte se Vuçeviq po të njëjtën ditë ishte takuar me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.
Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar Serbinë për lidhjet e ngushta me Kremlinin, teksa Moska po vazhdon luftën kundër Ukrainës. Beogradi po ashtu nuk pranon të rreshtohet përkah BE-së, sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës.
Ndryshe, sipas KE-së, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që Bashkimi Evropian po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Më herët, Bashkimi Evropian i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes. Më pas agjendat u votuan edhe nga KE-ja, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës.
Plani i Rritjes është në vlerë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë të kredive të favorshme.
Von der Leyen përmbyll turneun ballkanik më 26 tetor në Mal të Zi.