Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, e ka anuluar një takim të paraparë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, të premten në Beograd, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer.
Arsyeja e anulimit, sipas zëdhënësit, ishte një takim që Vuçeviq e mbajti paraprakisht ditën e njëjtë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.
Më herët të premten, shefja e KE-së u takua me presidentin e Serbisë, me të cilin bisedoi për rrugën e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Vuçeviq u takua me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov, në kryeqytetin serb të premten, në ditën kur Von der Leyen po qëndron në Serbi si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.
Qeveria serbe tha se Vuçeviq dhe Reshetnikov biseduan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve.
Reshetnikov është në mesin e një numri zyrtarësh nga Moska që janë nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që nisi më 2022.
Reshetnikov tha se Moska e “çmon politikën e balancuar” të Serbisë dhe qëndrimin e saj për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë, sipas njoftimit.
Në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, thuhet se kryeministri, duke folur për sanksionet ndaj Rusisë, ka thënë se Serbia “përkundër presioneve të mëdha udhëheq një politikë të lirë dhe të pavarur” dhe se ka bashkëpunim të mirë si me Rusinë ashtu edhe me Bashkimi Evropian, Kinën dhe vende të tjera.
Serbia thotë se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por ajo nuk po pranon të rreshtohet përkrah Bashkimit Evropian - pjesë e të cilit synon të bëhet - për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd vazhdojnë të mbajnë lidhje me Kremlinin.