Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka thënë se bota ka qenë “në luftë” kundër koronavirusit dhe ka bërë thirrje për zbatim të logjikës së kohës së luftës, për t’iu qasur kushteve jo të barabarta për luftim të pandemisë.
“Neve na duhet logjika dhe urgjenca e ekonomisë së luftës, ashtu që të rrisim kapacitetet e armëve tona”, ka thënë ai më 24 maj, teksa ka hapur asamblenë vjetore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë.
Teksa ka pëmendur “cunamin e vuajtjeve” të shkaktuara nga pandemia, ai ka theksuar që më shumë se 3.4 milionë persona kanë vdekur nga koronavirusi dhe rreth 500 milionë vende pune janë zhdukur, prej përhapjes së virusit në Kinë, në fund të vitit 2019.
“Më të ndjeshmit janë duke vuajtur më së shumti dhe frikësohem se jemi larg prej fundit”, ka thënë Guterres.
“Fatkeqësisht, nëse nuk veprojmë tani, ne mund të përballemi me situatën kur shtetet e pasura vaksinojnë shumicën e popullsisë dhe hapin ekonomitë, derisa virusi vazhdon të shkaktojë dëme të mëdha duke qarkulluar dhe duke u shtuar mutacionet në vendet e varfra”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe të tjerët kanë krijuar skemën COVAX, e cila ka për synim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra, mirëpo megjithatë ajo vazhdon të mos jetë e financuar siç është pritur.
Deri më tani, vetëm 0.3 për qind e dozave të vaksinave kundër koronavirusit janë dhënë në vendet e varfra, në të cilat jetojnë rreth 10 për qind e popullsisë globale.
Javën e kaluar, Guterres u kanë bërë thirrje 20 vendeve më të industrializuara (G20) që të krijojnë një taskë-forcë që bashkon të gjitha shtetet për të rritur kapacitetet për prodhim të vaksinës dhe pajisjeve tjera të nevojshme për luftim të pandemisë.