Vance: Duam një zgjidhje diplomatike me Iranin
Nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se shteti i tij me sukses dëmtoi programin e armëve bërthamore të Iranit dhe tani presidenti amerikan, Donald Trump, shpreson që të ndiqet një zgjidhje diplomatike.
“Duam t’i japim fund programit të tyre bërthamor”, tha Vance gjatë një interviste për NBC.
“Duam të flasim me iranianët për një zgjidhje afatgjate për këtë çështje”, shtoi ai.
Gjenerali amerikan jep detaje për sulmin ndaj Iranit
Ushtria amerikane ka përdorur 14 bomba për shkatërrimin e bunkerëve, GBU-57, gjatë sulmeve të kryera kundër ndërtesave kryesore bërthamore të Iranit, tha gjenerali amerikan, Dan Caine, gjatë një konference për media në Pentagon.
Bombat e fuqishme goditën dy objekte bërthamore, tha Caine, që është shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane.
SHBA-ja po ashtu ka përdorur dhjetëra raketa Tomahawk dhe mbi 125 avionë luftarakë në operacionin, që sipas gjeneralit Caine, u titullua “Çekani i Mesnatës”.
Ai tha se avionët amerikanë përdorën taktika që të mos detektoheshin nga autoritetet iraniane, duke shtuar se nuk ka informacione që Irani ka sulmuar ndonjë avionë amerikanë gjatë qëndrimit të tyre në hapësirën ajrore të Republikës Islamike.
Cain tha se sulmi u krye në orën 02:10 sipas kohës lokale në Iran dhe raketat Tomahawk ishin të fundit që u përdorën gjatë sulmit.
Sa i përket dëmeve të shkaktuara në tre objektet bërthamore, gjenerali Caine tha se bazuar në informacionet fillestare ato kanë pësuar dëme të mëdha dhe shkatërrim.
Shefi i Pentagonit: Sulmet amerikane shkatërruan plotësisht ambiciet bërthamore të Iranit
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se sulmet amerikane ndaj ndërtesave bërthamore të Iranit ishin të suksesshme dhe ato shkatërruan plotësisht ambiciet bërthamore të Teheranit.
Gjatë një konference për media, Hegseth tha se për përgatitjen e planit u deshën muaj, në mënyrë që ai të ishte i gatshëm kur presidenti të vendoste nëse dëshironte të vepronte.
Shefi i Pentagonit tha se sulmet e kryera gjatë natës ndaj Iranit nuk kanë për synim ndryshimin e regjimit në Iran.
Presidenti iranian dënon “agresionin amerikan”
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, dënoi sulmet amerikane, duke thënë se këto sulme zbuluan se Uashingtoni ishte “prapa” fushatës ushtarake të Izraelit ndaj Republikës Islamike.
“Ky agresion tregoi se Amerika është faktori kryesor prapa veprimeve armiqësore të regjimit sionist kundër Republikës Islamike të Iranit”, tha ai, sipas agjencisë së lajmeve, IRNA.