Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se sulmet e fundit kibernetike kundër agjencive të Qeverisë amerikane dhe kompanive paraqesin “shqetësim të madh” dhe premtoi “kosto të madhe” mbi kryesit e tyre.
Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe e Sigurisë së Infrastrukturës në SHBA tha se sulmet paraqesin “rrezik të madh” për rrjetet kompjuterike të qeverisë, të infrastrukturës kritike dhe të sektorit privat dhe se mund të jetë e vështirë për t’u pastruar.
Agjencia tha se heqja e softuerëve të këqij nga sistemet e komprometuara “do të jetë shumë komplekse dhe sfiduese për organizatat”.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare, Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Tregtisë janë në mesin e atyre që janë sulmuar.
Hakerë që punojnë për një qeveri të huaj, kanë ndërmarrë sulmet, të cilat kanë nisur muaj më parë, por janë zbuluar së voni.
“Na duhet t’i ndërpresim dhe parandalojmë kundërshtarët tanë nga ndërmarrja e sulmeve kibernetike”, tha Biden.
“Do ta bëjmë këtë, përveç tjerash, duke vendosur kosto të madhe mbi përgjegjësit e sulmeve të tilla keqdashëse”, shtoi ai.
Senatori demokrat, Dick Durbin, pas një konference të agjencive të inteligjencës amerikane, fajësoi Rusinë për sulmet.
Ambasada ruse në Uashington mohoi çdo përfshirje, duke thënë se Rusia “nuk kryen operacione sulmuese në fushën kibernetike”.
Biden tha se administrata e ardhshme e tij do të punojë me agjencitë e prekura qeveritare, për të mësuar gjithçka në lidhje me sulmet.
“Ka shumë gjëra që nuk i dimë ende, por dimë se ky është një shqetësim i madh”, tha Biden.
Presidenti i zgjedhur, i cili do të inaugurohet më 20 janar, tha se do ta bëjë sigurinë kibernetike përparësi kryesore të administratës së tij.
Kompania e teknologjisë, SolarWinds, tha se rreth 18,000 konsumatorë kanë shkarkuar një përditësim të komprometuar të softuerit të menaxhimit të rrjetit, që u ka mundësuar hakerëve të spiunojnë pa u vërejtur për gati nëntë muaj.
Kompania tha se një “shtet i huaj” e ka futur kodin e keq në përditësimin që është lëshuar midis marsit dhe qershorit të këtij viti.
Konsumatorët e kompanisë së softuerëve, me seli në Teksas, përfshijnë qeveritë kombëtare dhe korporatat e mëdha.
Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe e Sigurisë së Infrastrukturës në SHBA i urdhëroi agjencitë federale që të ndalojnë t’i përdorin produktet e bëra nga SolarWinds.
Pentagoni tha se, deri më tani, nuk ka gjetur “asnjë provë komprometimi” në rrjetet e tij të klasifikuara dhe të paklasifikuara.
FBI dhe agjencitë e tjera që po hetojnë sulmet kibernetike në rrjetet kompjuterike të Qeverisë amerikane do t’i informojnë anëtarët e Kongresit të premten, në lidhje me ndërhyrjen.