Njeriu që ishte këshilltar kryesor i ish-presidentit Barack Obama, tha se Shtetet e Bashkuara do të duhej ta shihnin më shpejt ndryshimin në Vladimir Putinin kur ai u kthye në Kremlin si president më 2012 dhe të ishin më të zëshme në denoncimin e korrupsionit të tij.
Në një intervistë për Current Time, Ben Rhodes, që kishte shërbyer si zëvendëskëshilltar i Sigurisë Kombëtare, kujton takimet që zgjasnin me orë të tëra kur Putini paraqiste një listë ankesash për temat sikurse zgjerimi i NATO-s dhe veprimet që ai i cilësonte si veprime të SHBA-së për të poshtëruar Rusinë.
“Ai fliste, e fliste për këto ankesa. Ai bënte prezantime ligjore se si Rusisë i ishte bërë e padrejtë”, tha Rhodes, që ka shërbyer për tetë vjet në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së Obamas.
“E kuptonit se ky ishte një njeri i udhëhequr nga një ndjenjë e ankesës, e poshtërimit, dhe sinqerisht, në një mënyrë edhe i pasigurisë”, tha Rhodes në një intervistë të incizuar më 21 shkurt.
Rhodes theksoi se kjo sinjalizoi se Putini po kthehej drejt “një shkalle më të madhe të nacionalizmit dhe autokracisë” dhe se duhej të kishte ngritur një alarm më të madh në administratën amerikane.
“Mendoj se ne ishim shumë të ngadalshëm që të vërenim se çfarë karakteri i ndryshëm ishte ai”, tha Rhodes, i cili shkruan libra, udhëheq një podkast dhe kontribuon në transmetuesin amerikan, MSNBC. “Ne do të duhej të ishim më të vetëdijshëm se ky ishte një karakter i ndryshëm”.
Putini dëshironte “të përcillte mesazhin se sa njeri i fortë ishte”dhe mori identitetin e dikujt që ngrihet kundër Shteteve të Bashkuara dhe shteteve perëndimore, në një mënyrë që ai e shihte si “rikthim të njëfarë madhështie të humbur ruse”. Gjatë gjithë kohës si udhëheqës i Rusisë, ai ka lëvizur në këtë drejtim, tha Rhodes, por duket se ai e përshkallëzoi këtë qasje pasi u kthye në postin e presidentit.
Zgjedhjet e vitit 2012 u përcollën me akuza për mashtrime dhe me protesta të mëdha, përfshirë disa të udhëhequra nga kundërshtari më i zëshëm ndaj Putinit, Aleksei Navalny, i cili vdiq më 16 shkurt në një burg rus.
Duke parë protestat dhe duke menduar për vendin e tij në histori, Putin u rikthye në presidencë në mënyrë “më agresive, më luftarakë dhe më i rrethuar nga njerëz që i thoshin ‘po’”, tha Rhodes.
“Të gjitha këto gjëra mendoj se kanë kontribuar që ai të jetë i gatshëm të marrë këto lloj rreziqesh që kemi parë... mbi të gjitha në Ukrainë”, tha Rhodes, i cili tha se pajtohet me vëzhguesit e tjerë të cilët besojnë se sjellja e Putinit është një lloj paranoje, që ia ka bërë të pamundur Putinit “të japë ndonjë centimetër” nga frika se nëse do ta bënte këtë “e gjithë gjëja mund të shembet”.
Rhodes tha se ai beson se kjo është arsyeja për trajtimin e figurave opozitare, sikurse Navalny, i cili sipas autoriteteve të burgjeve vdiq nga shkaqe natyrale, por Fondacioni i tij Kundër Korrupsionit tha se ai është vrarë dhe shumë qeveri perëndimore e kanë fajësuar drejtpërdrejt Putinin për vdekjen e tij.
Rhodes, po ashtu, e pranoi se njerëzit kanë debatuar nëse administrata e Obamas ishte dashur të bënte më shumë për të ndihmuar Ukrainën, pasi Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë më 2014 dhe të ishte më e guximshme për të konfrontuar Putinin. Por, ai tha se “realiteti i politikave globale është se, nuk jam i sigurt nëse ndonjëra prej këtyre do të kishte bërë dallimin... duke pasur parasysh psikologjinë e tij”.
Gjëja më shqetësuese te Putini që ka vërejtur Rhodes është se ai kurrë nuk e kishte ndjenjën se lideri rus kishte aftësinë për ta ndier vuajtjen.
Rhodes rikujtoi se si Shtëpia e Bardhë shtynte përpara dërgimin e ndihmës humanitare në disa pjesë të Sirisë, ku shpërtheu lufta më 2011, dhe “aty nuk kishte asnjë ndjenjë që ky njeri ishte në gjendje të ndjente... një nivel të dhembshurisë për njerëzit që vuanin”. Për Putinin, “gjithçka ishte klinike”.
Në vend se të fliste për nevojat e njerëzve dhe vuajtjet e tyre, Putin e drejtonte bisedën “në nivele më të larta të gjeopolitikës dhe historisë”, kujtoi Rhodes, duke thënë se kjo gjë ishte shqetësuese për të.
Paaftësia e Putinit për të ndier dhembshuri për dikë tjetër “ndoshta është tragjedia më e madhe e gjithë kësaj”.