Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë të enjten se Serbia duhet t’i lirojë pa kushte tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që janë ndaluar nga forcat serbe, më 14 qershor.
“Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën”, u ka thënë Miller gazetarëve.
Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Beogradi, në anën tjetër, deklaron se nuk bëhet fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve në territorin serb.
Autoritetet e Serbisë nuk kanë ofruar të enjten asnjë informacion lidhur me të arrestuarit.
Miller ka thënë se SHBA-ja pret që palët të ndjekin planin trepikësh që e ka prezantuar Bashkimi Evropian, pa vonesa.
"Në kuadër të kësaj, kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe që të tërheqë njësitet policore nga zonat përreth".
Komuniteti ndërkombëtar i ka tri kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri:
- Shtensionimin e situatës atje
- Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
- Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti, në anën tjetër, e ka prezantuar ditë më parë një plan pesëpikësh për ulje të tensioneve.
Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri
- Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
- Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
- Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
- Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
- Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave
Më herët gjatë së enjtes, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, Borrell ka thënë se, aktualisht gjithçka është kthyer në fazën e menaxhimit të krizave dhe do t’i ftojë palët në një takim urgjent.
“Duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren. Duke parë situatën, duke u përkeqësuar, jemi kthyer në fazën e menaxhimit të krizave. Unë do t’i ftoj dy palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhimin e krizave, javën që vjen, në Bruksel”, ka deklaruar Borrell.
Disa burime diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se fjala është për takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nuk është saktësuar nëse ky takim do të organizohet në kuadër të dialogut mes dy vendeve që e ndërmjetëson BE-ja.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri - të banuara me shumicë serbe - kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.