Ndërlidhjet

SHBA, Britania fajësojnë Rusinë për “sulme qëllimkëqija kibernetike”


Ilustrim
Ilustrim

Hakerë të sponsorizuar nga shteti rus po përpiqen të rrëmbejnë pajisje kritike të infrastrukturave, paralajmërojnë agjencitë e inteligjencës në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe.

Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Britanisë, FBI dhe Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke thënë se fushata globale e hakerëve rusë është qëllimkeqe dhe mund të përshkallëzohet.

Moska nuk i komentoi ende akuzat, ndonëse, në të kaluarën, i ka mohuar të ngjashmet.

Paralajmërimi thotë se objektiva të fushatës janë “organizatat qeveritare, sektori privat dhe ofruesit e internetit që i mbështesin këta sektorë”.

“Aktorë të sponsorizuar nga shteti rus po përdorin routerë të komprometuar për të kryer sulme në mbështetje të spiunazhit, për të vjedhur pronësinë intelektuale, për të ruajtur qasjen e vazhdueshme në rrjetet e viktimave dhe për të hedhur themelet për operacione të ardhshme të ofensivave”, thuhet në deklaratën e përbashkët të agjencive të inteligjencës britanike dhe amerikane.

“Situata aktuale e rrjeteve në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me fushatën e Qeverisë ruse për t’i shfrytëzuar ato, kërcënon sigurinë tonë dhe mirëqenien ekonomike”, thuhet po ashtu në deklaratë.

“Ata (hakerët rusë) mund të jenë të parapozicionuar për kohë tensionesh”, tha Ciaran Martin, udhëheqës i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Britanisë.

Koordinatori për siguri kibernetike i Shtëpisë së Bardhë, Rob Joyce, tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre besojnë fuqishëm se Rusia qëndron prapa fushatës.

Joyce tha se SHBA mund të përgjigjet me sanksione të reja dhe aktakuza. “Do të përgjigjemi fuqishëm”, tha ai.

Britania dhe Shtetet e Bashkuara thanë se kanë lëshuar alarmin për t’i ndihmuar objektivat që të mbrohen dhe për të bindur viktimat që të ndajnë informacione me hetuesit qeveritarë.

“Ne nuk kemi njohuri të plotë për shkallën e rrezikut”, tha Jeanette Manfra, zyrtare për siguri kibernetike pranë Departamentit amerikan për Siguri Kombëtare.

Një zëdhënës i Qeverisë britanike tha se fushata globale e spiunazhit kibernetik tregon edhe një herë se si Rusia “i shpërfill normat ndërkombëtare dhe rendin global”.

Kjo është hera e parë që SHBA-ja dhe Britania lëshojnë deklaratë të përbashkët për të këshilluar të gjithë sektorët që mund të jenë komprometuar, duke ofruar hapa për të identifikuar dhe neutralizuar problemet e mundshme që lidhen me sulmet.

Gazeta Guardian shkruan se vendimi i SHBA-së dhe Britanisë për të dalë publikisht reflekton humbjen e durimit me Moskën, pas disa sulmesh kibernetike që besohet se e kanë origjinën në Rusi.

Paralajmërimi po ashtu mund të vijë për shkak të ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet demokratike në SHBA dhe Evropë, mbështetjes së saj për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, dhe incidenteve të tilla si përdorimi i agjentit nervor në Sallsbëri të Anglisë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG