AFP
Kina ka shprehur keqardhje për shkeljen “e paqëllimshme” të hapësirës ajrore amerikane nga ajo që tha se ishte një balonë civile, e që Pentagoni e cilësoi si balonë spiunazhi.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka shtyrë udhëtimin e planifikuar për në Kinë, për shkak të tensioneve të krijuara nga balona kineze.
Pentagoni tha më 3 shkurt se po gjurmonte një balonë që fluturoi mbi qiellin e shtetit të Montanës dhe vendosi që për shkaqe sigurie të mos e rrëzonte.
Më pas, Pekini e pranoi se balona i përkiste atij, por tha se ajo kishte dalë nga kursi për shkak të erërave.
“Balona është nga Kina. Ajo përdoret për kërkime, kryesisht për qëllime meteorologjike”, u tha në deklaratën e një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme kineze.
“Kinës i vjen keq për këtë shkelje të paqëllimshme të hapësirës ajrore të SHBA-së”, u tha në deklaratë.
Pasi presidenti amerikan, Joe Biden, pyeti për opsionet ushtarake, sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe zyrtarët e lartë ushtarakë menduan ta rrëzonin balonën, u tha gazetarëve të enjten një zyrtar i lartë i Mbrojtjes.
Por, në fund, ata vendosën të mos e bënin këtë, duke thënë se një veprim i tillë do të rrezikonte shumë njerëz në tokë, si dhe vlerësuan se balona nuk përbënte kërcënim për aviacionin civil, tha zyrtari.
“Është e qartë se qëllimi i balonës është vëzhgimi”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.
Zyrtari shtoi se balona kishte fluturuar në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, ku ka baza të ndjeshme ajrore dhe raketa bërthamore nëntokësore, por tha se Pentagoni nuk beson se ajo përbënte një kërcënim të rrezikshëm të inteligjencës.
Ai tha se "nuk kishte dyshim" se balona ishte kineze, pa dhënë më shumë detaje.
Përveç mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mbi tregtinë dhe pronën intelektuale, marrëdhëniet midis dy vendeve janë prishur, veçanërisht për shkak të Tajvanit, të cilin Kina është zotuar ta ribashkojë me kontinentin.
SHBA-ja i ka shitur armë Tajvanit për t'u mbrojtur, dhe Biden ka thënë se Uashingtoni do të ndihmonte në mbrojtjen e ishullit, nëse Kina do ta sulmonte.
Asnjë kërcënim ushtarak
Zyrtari i Mbrojtjes tha se balona hyri në hapësirën ajrore të SHBA-së "disa ditë më parë", por se inteligjenca amerikane e kishte gjurmuar atë shumë ditë më parë.
Sekretari i Mbrojtjes, Austin, i cili ishte në Filipine, zhvilloi diskutime të mërkurën me zyrtarë të lartë të Pentagonit, pasi presidenti Biden pyeti për opsionet për t'u marrë me balonën.
Avionë luftarakë fluturuan për ta ekzaminuar atë, teksa kjo balonë ishte mbi Montana, dhe derisa këto diskutime po zhvilloheshin.
Por, vendimi i Pentagonit ishte "të mos ndërmerrte veprime" për shkak të rrezikut për sigurinë dhe mbrojtjen e njerëzve në tokë.
Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, konfirmoi se balona ishte ende duke u gjurmuar mbi hapësirën ajrore të SHBA-së.
"Balona aktualisht po udhëton në një lartësi mbi trafikun ajror komercial. Nuk paraqet kërcënim ushtarak apo fizik për njerëzit në tokë", tha Ryder në një deklaratë.
Departamenti kanadez i Mbrojtjes tha të enjten se po punon me Shtetet e Bashkuara për të gjurmuar balonën.
“Kanadezët janë të sigurt dhe Kanadaja po ndërmerr hapa për të garantuar sigurinë e hapësirës së saj ajrore, duke përfshirë monitorimin e një incidenti të dytë të mundshëm”, tha departamenti, pa dhënë detaje të mëtejshme apo pa përmendur Kinën.
Pekini ka dërguar balona vëzhgimi mbi Shtetet e Bashkuara edhe në të kaluarën.
Megjithatë, kjo balonë ka qëndruar në hapësirën ajrore të SHBA shumë më gjatë, tha zyrtari i lartë amerikan i Mbrojtjes.
Zyrtari i Mbrojtjes tha se kjo çështje ishte ngritur me zyrtarët e Pekinit.
"Ne e kemi bërë të qartë se do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë në tokën tonë", tha ai.
Tensionet mbi Tajvanin arritën në pikë kritike vitin e kaluar, kur Nancy Pelosi, në atë kohë kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së, zgjodhi ta vizitonte ishullin.
Që kur republikanët fituan kontrollin e Dhomës në janar, janë ngritur pyetje nëse pasardhësi i saj do të bëjë një udhëtim të ngjashëm.
“Mospërfillja nga Kina për sovranitetin e SHBA-së është një veprim destabilizues që duhet trajtuar, dhe presidenti Biden nuk mund të heshtë”, shkroi në Twitter, të enjten në mbrëmje, kryetari aktual i Dhomës, Kevin McCarthy.