Ministria e Punëve të jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka konfirmuar se Gjykata e Lartë e Beogradit i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji shtetasit të Kosovës, Lulzim Halili, i cili u arrestua në Serbi më 22 korrik.
“Duke qenë se tashmë është konfirmuar se ndaj z. Halili është iniciuar procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të paraqesë menjëherë kërkesë zyrtare pranë Gjykatës së Lartë të Beogradit, Departamenti për Krime të Luftës, për ta vizituar atë në Qendrën e Paraburgimit të kësaj gjykate, ku po mbahet aktualisht”, tha MPJD përmes një njoftimi për media.
Sipas autoriteteve serbe, Halili dyshohet për krime lufte.
Serbia pretendon se ai ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por një pretendim i tillë është hedhur poshtë nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së.
“Më 24 korrik 2025, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd ka nxjerrë urdhër për fillimin e hetimeve ndaj L.H., për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale të organizimit dhe nxitjes për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës”, tha Prokuroria për Krime Lufte në Beograd.
MPJD më 23 korrik tha se ka informuar delegacionin e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të QUINT-it në Serbi lidhur me këtë rast, duke shtuar se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi nuk kishte pranuar informacione zyrtare për arrestimin e Halilit.
Nga OVL e UÇK-së kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se emri i Lulzim Halilit nuk është gjetur në arkivat e veteranëve të luftës e as në listat e disa brigadave të UÇK-së.
Mediat në Serbi kanë raportuar se Halili dyshohet për krime lufte kundër njerëzimit. Ai pretendohet se ka qenë i UÇK-së dhe ka vepruar në rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës, si dhe pretendohet se ka marrë pjesë në një sulm ndaj një posti ushtarak jugosllav në Koshare.
“Në fakt, as nuk ka status të veteranit luftëtar, as status të veteranit pjesëtar, as nuk ka status të veteranit pjesëmarrës”, tha për Radion Evropa e Lirë nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla.
Syla tha se emri i Halilit nuk është gjetur as në arkivat e brigadës 138 Agim Ramadani, që ka operuar në Koshare.
Syla ka ngritur dyshime se arrestimi i tij mund të ketë ndodhur në shenjë “hakmarrje për për atë që ndodhi me përfaqësuesin e Zyrës së Kosovës në Serbi, siç i thonë ata, i cili u arrestua pas deklarimeve të tij në Rahovec”.
Ai iu referua arrestimit të Igor Popoviqit, ndihmësit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
Popoviq u arrestua më 18 korrik në Kosovë dhe dyshohet se ka kryer veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte cilësuar UÇK-në si “organizatë terroriste”.
Serbia ka kërkuar lirimin e tij dhe ka paralajmëruar për “pasoja të paparashikueshme”, ndërkaq kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin përmes Serbisë, pasi ka thënë se ka indikacione për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.
Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.