Ndërlidhjet

Me shqipen kundër paragjykimeve


Hapja e Seminarit të 39-të Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.
Hapja e Seminarit të 39-të Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.

Borivojen, Angjellën nga Serbia dhe Bennedictën nga Franca i bashkoi gjuha shqipe.

Borivoje Laziq (23) studion Gjuhën Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Beograd dhe për herë të parë po e viziton Kosovën për të marrë pjesë në Seminarin e 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Borivoje Laziq
Borivoje Laziq

“Mendoj se Prishtina është shumë e bukur dhe ka shumë gjëra që janë interesante për t'i parë", thotë ai për Radion Evropa e Lirë teksa tregon për përshtypjen e parë për kryeqytetin e Kosovës. Laziq thotë se shpreson që ky seminar t’i ndihmojë që ta përmirësojë gjuhën, por edhe të takojë njerëz që flasin dhe studiojnë gjuhën shqipe.

Për Angjella Markoviqin (23) kjo nuk është hera e parë që merr pjesë në seminar. Ajo tash ka diplomuar dhe beson se nuk do të ketë problem të gjejë një vend pune, qoftë në Serbi apo edhe në Kosovë.

"Dua të bëhem profesoreshë apo edhe përkthyese dhe mendoj se kemi shumë mundësi me gjuhën shqipe edhe në Serbi, e ndoshta edhe këtu në Kosovë", thotë Markoviq.

Angjella Markoviq
Angjella Markoviq

Të hënën, më 23 gusht, në Prishtinë nisi Seminari i 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ku po marrin pjesë mbi 50 studiues dhe studentë nga e mbarë bota. Seminari do të zgjasë deri më 3 shtator.

Ky seminar organizohet nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Tiranës.

Të studiosh gjuhën shqipe në Serbi
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:04:26 0:00

Drejtuesit e seminarit thanë se interesimi i studiuesve të Gjuhës Shqipe vazhdon të jetë i konsiderueshëm, madje edhe në rrethanat e pandemisë COVID-19. Që nga viti 1974, ky seminar ka sjell në Prishtinë studiuesit eminentë të albanologjisë, por jo vetëm.

Ndër pjesëmarrësit është edhe logopedja nga Franca, Bennedicte Braconnay e cila ka shprehur dëshirën që ta mësojë gjuhën shqipe për shkak punës në spital, ku i trajton fëmijët nga Kosova dhe Shqipëria.

Bennedicte Bracconnay
Bennedicte Bracconnay

“Dua të di shqip e të flas edhe me ta", thotë Braconnay.

“Më pëlqen, nuk mund të them se a është e vështirë, por janë disa gjëra që janë të vështira që ‘t’i kapësh' kur nuk e dini mirë gjuhën shqipe”, shton ajo.

Aleksandar Novik, profesor i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shën Petërsburgut të Rusisë, është pjesëmarrës i rregullt i punimeve të seminarit. Për herë të parë në Prishtinë ai erdhi rreth 30 vjet më parë.

"Seminari jep mundësi që të vijnë albanologët nga mbarë bota. Ky tubim patjetër përkrah njohuri në mbarë botën, për botën shqiptare, për gjuhën shqipe e kulturën shqiptare e kjo ka shumë rëndësi", thotë Novik.

Por, për Borivoje Laziqin dhe Angjella Markoviqin, ky seminar është edhe mundësi e mirë për largimin e paragjykimeve mes popullit shqiptar dhe serb. Dhe këtë pikërisht, sipas tyre, duhet ta bëjnë të rinjtë apo studentët.

"Jemi nga Serbia dhe atje ende ka shumë paragjykime, por mendoj se ne të gjithë duhet të bëjmë diçka për këtë gjë, duke nisur nga ne studentët e Gjuhës Shqipe në Serbi apo diku tjetër, që mund të shkatërrojmë edhe paragjykimet edhe këtë situatë që është pak e keqe", thotë Markoviq.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG