Viti 2008 e kishte gjetur Arianit Fazliun nga Prishtina në një udhëkryq. Si student i ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës, ai e kishte lënë punën e tij të atëhershme në këtë sektor, për t’iu përveshur provimeve të mbetura.
Por, edhe sot, i ka ende 12 provime të papërfunduara nga gjithsej 45. Kjo, pasi një ditë, 15 vjet më parë, vendosi të merrte një rrugë jo shumë të frekuentuar në Kosovën e atëhershme: në fushën e teknologjisë së informimit dhe komunikimit.
Atëherë vetëm 20 vjeç, Arianiti - i cili fillimisht kishte dashur të studionte për farmaci - nuk e kishte të lehtë tentimin e tij të tretë për ta gjetur veten në një karrierë.
Ai nisi të punonte në një kompani të teknologjisë së informimit dhe komunikimit, Rrota, pas rekomandimit nga një familjare e tij.
“Pata filluar nga zeroja. Në fakt, jo nga zeroja, por nga minusi. Unë nuk e dija as çka është Chrome [platformë kërkimore në internet]. Më është dashur të punoj nga 18 orë në ditë për t’i arritur të tjerët”, kujton Arianiti.
Puna e asaj kohe iu shpërblye në vitin 2013, kur ai, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Faton Selishta, formuan kompaninë softuerike Kutia.
“Në fillim, prej rrogës kemi kaluar në pa rroga. Pastaj 100 euro në muaj, 150... varësisht si vinin. Kemi punuar në një banesë, i patëm bërë tavolinat vetë, me këso paleta [druri]”, thotë 35-vjeçari për Radion Evropa e Lirë.
Kutia - si shumë kompani të tjera të kësaj fushe në Kosovë - vitin e kaluar pati rritje të ndjeshme, prej 159 për qind.
Kompania Kutia eksporton produkte softuerike në SHBA, Norvegji, Suedi, Gjermani e shumë vende të tjera. Sipas një raporti të publikuar këtë muaj nga Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), edhe pse shumica e kompanive të këtij sektori janë nën pronësi vendore, tregu në Kosovë përbën vetëm 16 për qind të klientëve të këtyre kompanive.
Por, edhe pse kompania e tij është rritur dukshëm dhe tani është zhvendosur në një zyrë të re, Arianiti thotë se ende vazhdon të ofrojë punë për studentët e rinj, me qëllim të “shpërndarjes së dijes”. Kompania e tij punëson dhjetëra praktikantë.
“Kemi qenë dy [Arianiti dhe Fatoni] dhe e kemi shpërndarë dijen me të gjithë. Pastaj, ata që kanë qenë më të vjetër, e kanë shpërndarë dijen me të rinjtë. Është bërë një piramidë e shpërndarjes së dijes, e cila ekziston edhe tash”, thotë Arianiti.
“Nëse i kthejmë drejt industrisë sonë shumicën e të rinjve, rreth 50 për qind të të diplomuarve, unë jam i sigurt që nga industria jonë, [të rinjtë] nuk do të shkojnë jashtë, të paktën jo për shkaqe financiare”, shton ai.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm gjatë vitit 2021 nga Kosova kanë emigruar gati 43 mijë persona. Një anketë e bërë më 2020 nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) tregon se mbi 48 për qind e kosovarëve donin të migronin. Kjo përqindje ka qenë në trend rritjeje që nga viti 2014.
Arbëresha Loxha, drejtore ekzekutive e GLPS-së, ka thënë më parë për REL-in se mungesa e perspektivës së punësimit dhe gjendja e vështirë socio-ekonomike janë arsyet kryesore që i detyrojnë kosovarët të migrojnë.
Këtë përshtypje e ka edhe Fikret Murati, pronar i kompanisë Speeex në Kosovë, e cila ofron kryesisht shërbime për kompani të huaja në sektorin e tregtisë.
“Mendoj që nëse u ofron një vend të sigurt pune dhe mundësi për të ardhmen, mundësi zhvillimi, nuk është e vështirë [t’i mbajmë të rinjtë në Kosovë]. Ne, si kompani private, duhet t’u përmbahemi disa rregullave”, thotë Fikreti, kompania e të cilit punëson rreth 2.000 punëtorë në Kosovë, me moshë mesatare prej 29 vjeç.
I rritur në Zvicër, Fikreti tani e kalon gjysmën e kohës së tij në Kosovë. Ai fillimisht kishte shkuar pas fundit të luftës në vitin 1999, e më vonë ishte kthyer me disa ide biznesi. Por, ëndrra e tij u bë realitet vetëm në vitin 2016, kur ai hapi Speeex-in.
Kompania e tij tani ofron paga dukshëm më të larta sesa mesatarja në Kosovë. Sipas ASK-së, paga mesatare bruto për vitin 2022 ishte 521 euro, ndërsa në Speeex është 1.200 euro. Edhe kompanitë e tjera të këtij sektori ofrojnë paga të ngjashme.
Fikreti është siguruar që punëtorët e tij të kenë edhe hapësira ku mund të gjejnë paqe. Në ndërtesën e re të kompanisë së tij në Prishtinë, punëtorët kanë hapësira ku mund të pushojnë, dhoma të lutjes, kuzhinë.
“Në të ardhmen do ta kenë edhe një bankomat, ashtu që ata të mund t’i përmbushin të gjitha nevojat e tyre brenda ndërtesës. Ne vazhdimisht i pyesim njerëzit se çka u pëlqen në kompani e çka jo dhe këto hapësira marrin shumë pëlqim”, thotë Fikreti për Radion Evropa e Lirë.
Këto kushte më të mira pune bëjnë që fusha e teknologjisë së informimit dhe komunikimit të cilësohet si “sektori i vetëm që ka potencialin ta luftojë trendin e emigrimit”, thotë Aldo Baxhaku, zyrtar për komunikimin publik në STIKK.
Ai thotë se ky sektor ka potencial të bëjë edhe më shumë sesa vetëm t’i mbajë të rinjtë në Kosovë: ai mund ta bëjë Kosovën një vend të njohur në botë për ofrimin e shërbimeve të kësaj fushe.
“Sektori është në rritje në të gjithë botën. Por, Kosova ka këtë avantazhin e të rinjve - 65 për qind është nën 30 vjeç. Kjo do të thotë që ke potencial. Kosovën e favorizon shumë që ka një popullsi të re në mes të Evropës, që vuan nga popullsia e vjetër”, thotë ai.
Baxhaku thotë se popullsia e re - me moshë mesatare prej 35 vjeç - përbën avantazh pasi që sektori dominohet nga të rinjtë në të gjithë botën dhe aftësitë kompjuterike që kërkohen në këtë sektor, janë aftësi që kryesisht zotërohen nga të rinjtë.
Por, Baxhaku shton se, për ta shfrytëzuar këtë avantazh, Kosova duhet të specializohet në njërën nga fushat e teknologjisë së informimit dhe komunikimit, si inteligjencë artificiale, siguri kibernetike, zhvillim softuerik, etj.
Ngjashëm mendon edhe Arianiti nga Kutia.
“Unë shpresoj dhe dëshiroj që Kosova të jetë një vend ku për shembull ke inxhinierë të inteligjencës artificiale apo ndonjë fushe tjetër. Në atë mënyrë që kur të vijë klienti i huaj, ta dijë që ju jeni ekspert i asaj fushe dhe të mos e ketë telashe të paguajë aq sa paguan kudo në botë”, thotë Arianiti.
Për Vigan Dishën, këshilltar ekzekutiv i bordit drejtues të Speeex-it, Kosova tashmë është bërë një vend i njohur në botë për shërbimet e kësaj fushe.
“Kosova është një destinacion atraktiv për këto shërbime. E kemi dëshmuar që kombinimi i kostos [së ulët] dhe kualitetit [të lartë] e favorizon Kosovën në tregun ndërkombëtar”, thotë ai.
Aktualisht në Kosovë janë 1.950 kompani që ofrojnë shërbime të teknologjisë informative dhe komunikimit, në krahasim me 930 sa kanë qenë para pandemisë COVID-19. Rritja më e madhe e sektorit ndodhi vitin e kaluar, kur u shtuan mbi 700 kompani të reja. Gjatë kësaj periudhe është rritur edhe numri i punëtorëve në këtë sektor.