Përfundon takimi konsultativ mes Deharit dhe partive politike
Ka përfunduar takimi konsultativ mes kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, dhe përfaqësuesve të partive politike.
Në takim morën pjesë: Mimoza Kusari Lila nga Alternativa, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sala Jashari dhe Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës, Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në takim nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i Listës Serbe.
Gashi: Duhet të votohet një raport i ri për mandatet
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Arben Gashi, tha se zgjidhja për bllokimin e Kuvendit është të votohet një raport i ri për verifikimin e mandateve, duke thënë se beson që çështja zgjidhet sot.
“Ai raporti i parë është rrëzuar. Ai raport nuk mund të votohet sërish”, tha ai.
I pyetur nëse presidentja Vjosa Osmani mund të ndihmojë në tejkalimin e situatës, ai tha:
“Nuk mundet të bëjë asgjë. Është jashtë kompetencat e saj, është çështje politike e Kuvendit të Kosovës”.
Limaj: Deputetët duhet të votojnë pro mandatit të vet
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, tha se ai shpreson që raporti për mandatin e deputetëve do të votohet nga deputetët.
“Secili deputet duhet ta kryejë detyrën e vet, po besoj që deputetët duhet ta votojnë veten e tyre”, tha Limaj.
Ai s’pranoi të komentojë nëse ka marrëveshje për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.
IKD dorëzon në Kuvend një model për dorëheqje
Përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (IKD) dorëzuan në Kuvendin e Kosovës një model se si mund të dukej një dorëheqje formale e një ministri në detyrë apo e kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës.