Ndërlidhjet

Mustafa nuk deklarohet rreth aktakuzës për krime lufte


Salih Mustafa nuk deklarohet rreth fajësisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:28 0:00

Salih Mustafa nuk deklarohet rreth fajësisë

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë të hënën, ka zgjedhur që të mos deklarohet rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.

"Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin", tha Mustafa, i cili do të mbesë në paraburgim.

Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, Mustafa ka të drejtë që në një periudhë brenda 30 ditësh të deklarohet i pafajshëm apo i fajshëm për akuzat ndaj tij.

Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës. Gjatë seancës publike është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.

Avokati i Mustafës, i caktuar nga gjykata, Julius Von Boné, tha se mbrojtja mund të sfidojë legjitimitetin e Dhomave të Specializuara.

“Mbrojtja në këtë moment nuk e përjashton mundësinë e dorëzimit të mocioneve të cilat kundërshtojnë juridiksionin apo ligjshmërinë e gjykatës dhe fakti që jemi këtu sot nuk do të thotë që mbrojtja e pranon gjykatën si të tillë, por këtë do ta bëjmë me kalimin e kohës përmes mocioneve tona”, tha Boné, i cili po ashtu kërkoi që i gjithë dokumentacioni i rastit të klientit të tij të jetë i qasshëm në gjuhën shqipe dhe në letër.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou në fillim të seancës ia lexoi veprat për të cilat akuzohet se Mustafa i ka kryer gjatë vitit 1999.

Po ashtu, Mustafa u informua nga gjyqtari i procedurës paraprake për të drejtat e tij si dhe iu tha se ka të drejtë të kundërshtojë masën e paraburgimit.

Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

Pas konfirmimit të aktakuzës dhe paraqitjes së parë të të akuzuarit, gjykatësi i procedurës paraprake bashkërendon komunikimin ndërmjet palëve deri në momentin kur çështja i kalohet trupit gjykues dhe siguron që të mos ketë vonesa dhe merr të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim.

Foto nga seanca ndaj Salih Mustafës.
Foto nga seanca ndaj Salih Mustafës.

Çfarë përmban aktakuza ndaj Salih Mustafës?

Në bazë të aktakuzës, e cila iu konfirmua më 12 qershor, Mustafa dyshohet për disa vepra penale, përfshirë torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës

"Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt", kanë njoftuar Dhomat e Specializuara më 24 shtator.

"Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave".

"Ata u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës", thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu, pretendohet se në këtë lokacion ishte vrarë një i ndaluar gjatë muajit prill të vitit 1999.

Ndër tjerash në aktakuzë, po ashtu, theksohet se "Salih Mustafa, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së", mori në pyetje dhe rrahu një person –identiteti i cilit është fshehur apo redaktuar – “dhe urdhëroi të tjerët që ta rrihnin".

Siç shtohet në aktakuzë, atë e shqelmuan, e goditën me grushte dhe e rrahën me shkopinj. Sipas aktakuzës, atij i është thënë se ishte spiun dhe se do ta vrisnin.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali', ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky njësit, siç thuhet në aktakuzën e ngritur ndaj Mustafës, kishte rreth 600 ushtarë dhe vepronte në zona urbane si Prishtina dhe Obiliqi.

Sipas aktakuzës, ky njësit e përdori kompleksin në Zllash si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Viktimat e këtyre krimeve, që pretendohen në aktakuzë, ishin të gjithë shtetas të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime, thuhet në aktakuzë.

Arrestimi i krerëve të OVL të UÇK

Ndryshe, një ditë pas arrestimit të Salih Mustafës, një bastisje prej më shumë se 8 orësh u krye në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aksioni i bastisjes u bë nga zyrtarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Ky aksion rezultoi me arrestimin e kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati si dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan dhe u dërguan në mbajtje në Hagë për dyshimet për veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Arrestohen krerët e veteranëve të UÇK-së
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Arrestimi i tyre ndodhi pasi ata kanë organizuar tri konferenca për media në të cilat ata, sipas Dhomave të Specializuara, kanë bërë të qasshme për mediat informacione dhe dokumente konfidenciale që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Gucati po ashtu akuzohet se nuk ka intervenuar kur Nasim Haradinaj (nënkryetari i OVL të UÇK-së) ka përmendur emrin e një dëshmitari dhe ka dhënë informacione lidhur me vendin ku ai banon dhe të dhëna të tjera personale.

Enigma e dosjeve

Tri herë radhazi Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pretendoi se ka pranuar mijëra dosje origjinale të hetimeve që kanë kryer prokurorët e Gjykatës Speciale.

Këto dokumente, disa prej të cilave iu shpërndanë mediave, sipas OVL të UÇK-së përmbanin dëshmitë dhe emrat e dëshmitarëve që kishin dëshmuar kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që mund të jenë të akuzuar potencialë.

Mirëpo pavarësisht këtyre pretendimeve, Dhomat e Specializuara ende nuk kanë konfirmuar autenticitetin e këtyre dosjeve.

Përmes një reagimi, Prokuroria e Specializuar në Hagë tha se disa aktivitete, në të cilat ishte përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur”.

Rasti Thaçi –Veseli

Zyra e Prokurorit të Specializuar poashtu ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur për shqyrtim te Dhomat e Specializuara edhe një aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.

Në këtë aktakuzë, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Që nga publikimi i këtij informacioni në muajin prill, Dhomat e Specializuara ende nuk kanë njoftuar për konfirmim ose jo të aktakuzës.

Sipas procedurës, një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara shqyrton aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat apo jo.

Ndryshe, Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG