Ndërlidhjet

Kievi dhe Moska në kërkim të avantazhit para bisedimeve të mundshme për paqe


Ushtarët ukrainas duke sulmuar pozicionet ruse afër Bahmutit me një obusë. 21 mars 2023.
Ushtarët ukrainas duke sulmuar pozicionet ruse afër Bahmutit me një obusë. 21 mars 2023.

Në fushëbetejën në Ukrainë, Rusia ka marrë iniciativën dhe dëshiron që të çimentojë fitoret e saj para mbajtjes së mundshme të bisedime për paqe me Kievin.

Forcat ruse, që janë në ofensivë që të paktën nga mesi i verës, kanë intensifikuar përparimin e tyre, duke shkatërruar trupat ukrainase përgjatë vijës së frontit të gjatë 1.100 kilometra: në jug afër Vuhledarit dhe Pokrovskut, më në veri afër Çasiv Jarit dhe Kujanskut, dhe madje edhe në Kursk, rajonin rus ku Ukraina nisi një ofensivë të befasishme në gusht.

Moska po ashtu ka marrë deri në 12.000 trupa nga Koreja e Veriut dhe ka nisur dislokimin e tyre në perëndim të Rusisë, si pjesë e asaj që zyrtarët amerikanë dhe ukrainas thonë se është përgatitje për një ofensivë të re për të larguar forcat ukrainase krejtësisht nga territori rus.

“Ne të gjithë e dimë, unë nuk do të zbuloja asnjë sekret ushtarak nëse them se fronti jonë ka kolapsuar”, tha gjeneralmajori ukrainas, Dmytro Marchenko, gjatë një vlerësimi të bërë publikisht më 29 tetor. Ai më vonë njoftoi për dorëheqjen e tij, dorëheqje që shumë e panë si ndëshkim për sinqeritetin e tij.

Gjatë fundjavës, Ukraina shfaqi zotësinë e saj, duke lëshuar dhjetëra dronë ndaj Moskës dhe dhjetëra rajoneve të tjera ruse. Sulmi, që pengoi disa fluturime, por që nuk shkaktoi ndonjë dëm të madh, ishte sulmi më i madh i këtij lloji që kur Rusi nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

E gjithë kjo nënkupton se lufta e Rusisë kundër Ukrainës po i afrohet një tjetër momenti kritik, me rritjen e presionit për arritjen e një armëpushimi apo marrëveshjeje të paqes që do të ndalohet plotësisht luftimet që kanë nisur gati 33 muaj më parë.

Presioni po rritet në masë të madhe për shkak të fitores së Donald Trumpit, i cili ka qenë kritik i zëshëm i volumit të ndihmës së SHBA-së për Ukrainën. Trump vazhdimisht është zotuar se do t’i japë fund luftës shumë shpejt edhe pse ka dhënë pak detaje se si do ta arrijë këtë.

Administrata në largim e presidentit Joe Biden – që i dërgoi Ukrainës gati 60 miliardë dollarë armë dhe pajisje të tjera dhe po ashtu ndihmë tjetër – ka treguar shenja padurimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe “planin e fitores” që ai ka promovuar si rrugë drejt një “paqeje të drejtë”.

“Rusia po tenton të avancojë sa më shumë që të mundet dhe të tregojë se ka aftësi që të mbajnë intensitetin e luftimeve për një të ardhme të parashikuar, për të krijuar edhe një realitet të ri në terren dhe për të pasur më shumë leva ndikim mbi çështje sikurse mundësia e anëtarësimit të Ukrainës në NATO”, tha Mykola Byelyeskov, hulumtues në Institutin Kombëtar për Studime Strategjike, që udhëhiqet nga Qeveria ukrainase.

“S’ka mundësi për kthim në normalitet”

Si Moska, ashtu edhe Kievi, po pësojnë humbje të mëdha të trupave. Rusia ka rimbushur radhët, duke zëvendësuar ushtarët e vrarë apo të plagosur – që vlerësohet se ka arritur në 600.000 – duke joshur rekrutët e rinj përmes pagave të larta dhe përfitimeve të tjera. Admirali Ton Radakin, shefi i shtabit të mbrojtjes së Britanisë, i tha transmetuesit britanik, BBC, se tetori ishte muaji më i keq për Rusinë, sa i përket humbjes së ushtarëve, pasi brenda ditës Moskës i ishin vrarë afër 1.500 ushtarë.

Ukraina, të cilës vlerësohet se i janë vrarë 80.000 ushtarë, po përballet me vështirësi për rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe mbushjen e radhëve.

Përderisa objektivat më të mëdha të Kremlinit janë më të gjera, një qëllim konstant është marrja e territorit ukrainas. Këtu përfshihet tërësia e rajoneve të Donjeckut dhe Luhanskut, që njihen si Donbas.

Pavarësisht se është mposhtur disa herë, trupat ruse aktualisht mbajnë kontrollin e rreth 20 për qind të territorit ukrainas dhe po vazhdojnë të marrin nën kontroll territor për çdo ditë.

Qëllimet më të gjera politike të Rusisë përfshijnë rrëzimin e Qeverisë ukrainase, diçka që ka pak të ngjarë të ndodhë të ndodhë në një të ardhme të afërt. Po ashtu, top-prioritet për Moskën është që ta pengojë anëtarësimin e Kievit në NATO.

Po ashtu, ka pak gjasa që në të ardhmen e afërt Ukraina të arrijë qëllimin e saj që të rimarrë kontrollin në mbarë shtetin, përfshirë Krimenë. Por, Kievi po synon që të pengojë Moskën që të bëjë përparime të tjera brenda Ukrainës dhe të mbajë nën kontroll territorin rus në rajonin e Kurskut.

“Të dyja palët duan të kenë sa më shumë leva ndikimi para ndonjë negociate të mundshme”, tha Eric Ciaramella, ish-zyrtar për Rusinë dhe Ukrainën në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. “Për ukrainasit, Kursku është pjesë e rëndësishme e kësaj përpjekjeje, edhe pse në fund nuk i dha aq ndikim sa priste Kievi dhe tani pozicionet e Ukrainës atje po duken gjithnjë e më të dobëta”.

Komandanti i ushtrisë ukrainas, gjenerali Oleksandr Syrskiy, tha më 12 nëntor se ka udhëtuar për në rajonin e Kurskut, rajon që presidenti ukrainas Zelensky ka thënë se mund të përdoret për të nxjerrë koncesione në negociatat eventuale me Rusinë.

Ai duket se ka mbrojtur vendimin për të sulmuar Kurskun, që disa vëzhgues të huaj kanë vënë në pikëpyetje këtë lëvizje të Kievit, pasi atje u dërguan disa nga njësitë më me përvojë, që paraprakisht kishin luftuar në pjesë të tjera të Ukrainës, veçmas në tri lokacione që po përballen me presion të madh rus.

“Këta dhjetëra mijëra armiq nga njësitë më të mira sulmuese ruse do të kishin sulmuar pozicionet tona në drejtim të Pokrovskut, Kurakovës apo Toretskut, gjë që do të përkeqësonte ndjeshëm situatën në front”, tha Syrskiy.

Çmimi për paqen

Si Trump, ashtu edhe nënpresidenti i ri, JD Vance, kanë sinjalizuar se do të shtyjnë më fortë Ukrainën për të negociuar. Ata nuk kanë bërë publik ndonjë plan specifik për të sjellë palët në tryezën e bisedimeve, dhe zyrtarët e lartë rusë, përfshirë Putinin, kanë sinjalizuar se nuk ka zbutje të qëndrimeve të Kremlinit.

Personi që Trump njoftoi se do të jetë këshilltari i tij i ri për siguri kombëtare, ndërkaq ka sugjeruar një mënyrë se si ta shtyjë Kremlinin që të negociojë.

“Amerika mund të përdorë levën ekonomike, përfshirë heqjen e pauzës ndaj eksporteve të gazit të lëngshëm natyror dhe goditjen e shitjeve të paligjshme të naftës së Rusisë, në mënyrë që të sjellë në tavolinën e bisedimeve zotin Putin”, tha Michael Waltz, bashkautor i një opinioni të publikuar në revistën Economist më 2 nëntor.

“Ky plan është më superior sesa qasja aktuale e Shtëpisë së Bardhë, të cilës i mungon një qëllim i deklaruar, por do të përfundojë në një ngërç me Rusinë që pushton disa territore ukrainase”, shkroi ai. “Rruga aktuale do të marrë më shumë kohë, gjak dhe pasuri për të arritur deri te qëllimi”.

Oleksandr Danylyuk, ish-këshilltari kryesor ushtarak dhe i inteligjencës në Ukrainë, sugjeroi se është naive të mendohet se Rusia synon që të negociojë.

“Synimi i tyre politik është që të shkatërrojë, ose të paktën, të ndryshojë arkitekturën e sigurisë botërore”, tha ai. “Parashikimi im: Rusia do t’i shfrytëzojë negociatat për të ulur mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe do të vazhdojë luftën e saj kundër Perëndimit”.

“Nuk ka mundësi për kthim në ‘normalitet’”, tha ai. “Kjo është një luftë botërore në të cilën Perëndimi ose mund të fitojë ose do të mposhtet”.

Në anën tjetër, Ukraina ka frikë se do të rritet padurimi në mesin e mbështetësve të saj perëndimorë dhe shumë zyrtarë janë të shqetësuar se prirja e administratës së Trumpit për të reduktuar mbështetjen e saj do të nënkuptojë që do të hiqet dorë nga Kievi.

“Ka pasur shumë diskutime për nevojën për t’iu nënshtruar Putinit, për t’u tërhequr, për të bërë disa koncesione”, tha Zelensky gjatë fjalimit në mbledhjen e Komitetit Evropian Politik më 7 nëntor. “Kjo është e papranueshme për Ukrainën dhe vetëvrasëse për gjithë Evropën”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG