Rusia ka paralajmëruar të hënën kundër ndonjë “ndërhyrjeje të jashtme” në Kubë, pasi mijëra persona kanë marrë pjesë në protesta të rralla kundër Qeverisë komuniste.
“Ne e konsiderojmë të papranueshme ndonjë ndërhyrje eventuale në çështjet e brendshme të shtetit sovran, apo ndonjë veprim destruktiv që do të inkurajonte destabilizimin e situatës në këtë ishull”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, përmes një deklarate, transmeton agjencia e lajmeve AFP.
Ajo nuk ka sqaruar kush mund të jetë duke ndikuar në Kubë, mirëpo paralajmërimi duket se u është drejtuar Shteteve të Bashkuara, të cilat i kanë bërë thirrje Kubës të mos shënjestrojë protestuesit.
“Ne jemi duke përcjellë nga afër zhvillimet e situatës, në dhe rreth Kubës”, ka thënë Zakharova.
“Ne jemi të bindur se autoritetet kubane janë duke marrë të gjithë hapat e nevojshëm për të rikthyer rendin publik në interes të qytetarëve të shtetit dhe brenda kornizës kushtetuese”, ka thënë mes tjerash ajo.
Kuba ka qenë aleate e rëndësishme e ish-Bashkimit Sovjetik në Luftën e Ftohtë dhe Moska ka vazhduar të ketë marrëdhënie të mira diplomatike me Havanan, prej shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik më 1991.
Protestat në Kubë janë duke u konsideruar ndër më të mëdhatë në dekada, kundër Qeverisë.
Protestuesit kanë marshuar nëpër qytete, duke bërtitur kundër “diktaturës”.
Në disa pamje nëpër rrjetet sociale janë parë forcat e sigurisë duke ndaluar dhe rrahur disa protestues.
Kubanët janë zemëruar nga gjendja ekonomike, kufizimet në liritë civile, si dhe menaxhimi që u kanë bërë autoritetet pandemisë së koronavirusit.